Dje, dita e fundit e ngjarjes më të madhe të librit në botë, panairi i Frankfurtit ku Kosova merrte pjesë me një stendë dinjitoze të autorëve të saj, dhe nga Shqipëria, botuesit e Tiranës privatisht në Frankfurt, të braktisur prej vitesh nga shteti, ndërsa vende të fuqishme si Italia, Franca edhe pse të fuqishme paraqiten zyrtarisht nga shteti. Vetëm katër botues, në një situatë modeste janë vendosur në Frankfurt nga Shqipëria: Onufri, Minerva botime, Botimpex dhe Albas
Në një formë të pazakontë është hapur edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë. Të pranishmëve, që janë mbledhur javën që shkoi, për të marrë pjesë në hapjen e aktivitetit më të madh të librit në botë, u është lexuar një letër nga burgu.
Heinrich Riethmüller, drejtor i Asociacionit të botuesve dhe shitësve të librave, ka lexuar letrën e shkrimtares, gazetares e aktivistes së të drejtave të njeriut, turkes Asli Erdogan. Edhe pse ndan të njëjtin mbiemër me presidentin e Turqisë, ata u takojnë botëve të ndryshme kanë komentuar mediat. Botues nga mbi 100 vende të botës janë bërë bashkë në këtë Panair. E në mesin e tyre është edhe Kosova e mbështetur zyrtarisht nga shteti i saj, dhe shumë pak botues nga Shqipëria të cilët kanë shkuar privatisht, pa asnjë mbështetje nga shteti.
Ndërsa shteti më i ri në Evropë po e vazhdon traditën e pjesëmarrjes, që ka nisur qysh më 1998, në këtë vit është e 18-ta herë që titujt e librave nga botuesit e Kosovës prezantohen nën “çatinë” e Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Sipas katalogut të Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK-së), botuar në rastin e këtij panairi, marrin pjesë më se 25 botues të Kosovës, me mbi 200 tituj, nga të cilët më se 100 janë të rinj, botuar brenda dy panaireve. Botues pjesëmarrës që nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, janë edhe Buzuku, Koha, Mendimi Pozitiv, Dija, Pema; deri tek ata që së bashku kontribuojnë në afirmimin kombëtar dhe ndërkombëtar të librit shqip.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, sivjet ka mbështetur financiarisht shpenzimet rreth stendës, qirasë, pajisjet dhe promovimin kulturor në aspektin më të shëndoshë në fushën e librit.
Nga kjo panoramë krejt e kundërta, e cituar trishtuese ka ndodhur me botuesit e Shqipërisë. Nga Frankfurti, kontaktuar nga gazeta “Mapo” me telefon, botuesi Bujar Hudhri ka thënë se Shqipëria nuk përfaqësohet zyrtarisht në këtë panair. Hudhri vetë, tregon se gjendet në panair për të nënshkruar kontratën për të sjellë në gjuhën shqipe Markesin, dhe këtë rast të art të ngjarjes botërore të librit e sheh në një aspekt mjaft trishtues që nuk është mbështetur nga shteti, Ministria e Kulturës.
Hudhri ka folur për një mundësi marrëveshje për të përkthyer autorët tanë të rinj në gjuhët e Evropës, një organizim në rang botëror që u jep mundësi përkthimi gjuhëve nga vendet në zhvillim, jo vetëm duke financuar por edhe promovuar autorët e tyre, e sidomos të rinjtë. Kësaj mundësie ka treguar Hudhri, Shqipëria nuk ka mundur t’i përgjigjet për shkak të mungesës së organizimit.
“Frankfurti është ngjarja më e madhe ku mblidhen të gjithë botuesit kryesor, është një mundësi e artë, dhe më vjen keq që Shqipëria e ka humbur këtë traditë, që nuk përfaqësohet”, ka thënë Hudhri nga Frankfurti.
Ndonëse pa mbështetje zyrtare, disa botues kanë shkelur privatisht këtë panair, duke ngritur stendat e tyre në mënyrë fare modeste, sa i takon mbulimit të hapësirave. Kur shteti i Kosovës paguan 20 mijë euro për stendën me rreth 25 botues të përfaqësuar, Shqipëria nuk jep asnjë qindarkë këtë vit. Njihemi se atje me nga 4 metër katror hapësirë kanë marrë pjesë vetëm katër botues: “Onufri”, “Botimpex”, “Minerva” si dhe “Albas”.
Kjo çështje nuk është hera e parë që ngrihet për pjesëmarrjen shqiptare në Frankfurt. Ministra e Kulturës ka neglizhuar që buxhetit të saj t’i shtohet edhe ky zë, për ta shndërruar librin shqip në një ngjarje siç ndodh me botimet shqip të Kosovës. Në asnjë rast, duket se Ministria e Kulturës më shumë kërkon të “shpenzojë” para në ca projekte që sa vijnë e bëhen të sofistikuara se sa të shfrytëzojë emrin e një shkrimtari si Kadare, pretendent për Nobel në një ngjarje për daljen e letërsisë shqipe nga zhgualli lokal.
I indinjuar për këtë situatë, Hudhri shprehet se ky mentalitet shtetar në vend, nuk do të ndërrohet ndonjëherë, duke e konsideruar një turp këtë situatë ku të paktën duheshin promovuar autorët shqiptarë. Rasti ironik është se shtete si Italia dhe Franca paraqiten në Frankfurt zyrtarisht, si përfaqësim shtetëror, duke u mbështetur nga ministritë e tyre të kulturës.
Sot ky panair nuk shikohet më si biznes, apo kur botuesit shkonin si tregtar për të shitur libra, dhe sa më shumë prej tyre. Sipas Hudhrit kjo mendësi ka rënë për të gjithë duke mjaftuar me një kopje libri por qëllimi është komunikimi dhe njohja dhe sugjerimi për autorët e tu.
Konkretisht Hudhri thotë se në Frankfurt këtë vit prezanton Kadarenë, Agron Tufën dhe Mira Meksi si dhe autorë të huaj. “Sikur ky event të kishte organizim autorët shqiptarë do kishin mundësi të mira për t’u promovuar, por kjo që po ndodh është trishtim, kur je fare i vetmuar si përfaqësim nga Shqipëria” . Botuesi shikon jo larg, por tek fqinjët, Serbia ku botuesit e këtij vendi afirmojnë autorët e tyre duke sjellë fragmente nga veprat e tyre, në disa gjuhë të huaja të bashkëshoqëruar me biografi. Rasti tjetër, Rumania ngjitur me stendat modeste të Shqipërisë, krijon atmosferën e promovimit të autorëve të saj, në një sipërfaqe të konsiderueshme të paguar nga shtetit, ku nëpër tavolina shkrimtarët rumunë bashkëbisedojnë me të huaj…Kjo nuk ndodh me Shqipërinë, me autorët e saj të lënë në ishullim. “Shqipëria nuk ekziston, nuk jemi ne Shqipëria…Ne jemi vetmi totale, në botën e madhe të libri..”, thotë në dëshpërim Hudhri, duke shtuar se autorët nuk janë pronë private e botuesve, qoftë Kadare apo Agron Tufa e të tjerë, duhet t’i mbrojë shteti shqiptar me kushtetutë.
Një shkrimtar që ndodhet këto ditë në Frankfurt dhe ndjek këtë atmosferë letrare të përfaqësimit të librit shqip, Kopi Kyçyku tërheq vëmendjen për këto kontraste krahasuar me dinjitetin e Kosovës. Kyçyku është shprehur ndër të tjera: “Në kontrast të dhimbshëm, ishin botuesit nga Shqipëria. Në një sipërfaqe prej rreth 4 m2 (Shtëpia Botuese “Fan Noli”) dhe pak më shumë se ajo (“Minerva”), ra në sy mungesa e veprave përfaqësimtare të letërsisë e të qytetërimit tonë dhe moskujdesi për paraqitjen grafike të stendave. Theksoj në këtë kontekst se simbolika e stendës kosovare ishte domethënëse dhe tërheqëse, jo si e një shteti të krijuar rishtas, por si e një shteti që ka zënë vend në hartën politike të botës qysh në kohët më të hershme, krahas shteteve më të zhvilluar…”. Ndërsa ka reaguar edhe përkthyesja Anila Xhekalia duke u shprehur se mediat në Shqipëri nuk kanë transmetuar asnjë lajm për këtë ngjarje, edhe pse ndiqet nga të gjitha mediat ndërkombëtare, por duke kuptuar se pas kësaj ka dhe një përfaqësim të injoruar nga vetë shteti. “Sot dita e fundit e panairit më të madh të librit në botë, panairi i librit në Frankfurt. Ngjarja më e bukur e vitit e librit që përcillet nga media gjithëkombëtare. Por nëse hedh sytë nga shtypi në Shqipëri, asgjë për ngjarjen e bukur të librit: kupton se Shqipëria ende nuk mund të jetë pjesë e ngjarjeve botërore të librit. I pëlqen inferioriteti në maksimum, më e brishtë s’ka ku shkon më, Shqipëria depresive e mbetur në izolimin e shkuar, në realsocin e përjetshëm të saj!”
V.Murati
Me Buzukun në Frankfurt mbi Majn!
Nga Kopi Kyçyku, Frankfurt
Në Panairin e Frankfurtit e kam për të parën herë që vij, ndërsa miku im, shkrimtari, publicisti e botuesi Abdullah Zeneli ka shkelur këtu fillimisht qysh më 1984 dhe jo vetëm nuk ndjen mërzi, por mezi pret të rikthehet sërish e sërish, gjithnjë “me ballin lart e duarplot”. Stendën që shtrihet në një sipërfaqe prej 24 m2 e ka mbushur me veprat që kanë nxjerrë 25 shtëpi botuese të Kosovës, me autorë të Përtej e Përkëtej Drinit. Gjithçka është vendosur aty ku duhet dhe si duhet. Si nga ana funksionale, ashtu edhe nga ajo arkitektonike, gjithçka flet për një punë me përkushtim. U deshën, bie fjala dy ditë të ngjeshura, nga mëngjesi herët e deri natën vonë që Zenelajt familjarisht u morën me kujdes të rrallë me përgatitjen e të gjithë elementeve që bien apo nuk bien në sy, por që veçmas e të gjithë së bashku shpalosin me ngjyra të ndritshme vlerat historike, kulturore, traditat e virtytet shumëshekullore të Kosovës kreshnike e të botës shqiptare në përgjithësi. Vëmendja që iu kushtua nga shumë të huaj veprave të ekspozuara, – le të përmendim kalimthi vlerësimin që i bëri përfaqësuesi i botuesve të Selisë së Shenjtë dramës “Nëna lutet për ne”, kushtuar Nënë Terezës, shkruar nga Abdullah Zeneli, si dhe shumë librave të autorëve Ibrahim Rugova, Veton Surroi, Kujtim Shala, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, u shoqërua me dëshirën për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi me botuesit kosovarë. Gjatë ditëve të panairit, Shtëpia Botuese “Buzuku” zhvilloi një seri veprimtarish që u ndoqën me respekt nga të pranishëm të shumtë të vendeve të ndryshëm, që nga fqinjët e deri në skajet më të largëta të globit.
Në kontrast të dhimbshëm me sa thashë më lart, ishin botuesit nga Shqipëria. Në një sipërfaqe prej rreth 4 m2 (Shtëpia Botuese “Fan Noli”) dhe pak më shumë se ajo (“Minerva”), ra në sy mungesa e veprave përfaqësimtare të letërsisë e të qytetërimit tonë dhe moskujdesi për paraqitjen grafike të stendave. Theksoj në këtë kontekst se simbolika e stendës kosovare ishte domethënëse dhe tërheqëse, jo si e një shteti të krijuar rishtas, por si e një shteti që ka zënë vend në hartën politike të botës qysh në kohët më të hershme, krahas shteteve më të zhvilluar.
Pra, mund të thuhet se vlerat tona mbarëkombëtare në Frankfurt i mbrojti dhe i shpalosi vetëm Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. Kam dëgjuar e lexuar shumë deklarata të zyrtarëve të lartë që kanë në dorë frenat e kulturës shqiptare në Tiranë. Gjithnjë japin statistika për kaq e aq restaurime monumentesh e rinovime muzeumesh etj. Të gjitha brenda kufijve të atdheut. Nuk e mohoj se janë punë që meritojnë përgëzim, por jehona në botë e vlerave tona kombëtare nuk duhet të anashkalohet. Përkundrazi!