“Idetë e Kadaresë janë në fondamentin e mbrujtjes time intelektuale, në një farë mënyre unë jam një Kadarean nga idetë dhe nga kultura”
Piktori Bashkim Ahmeti nga dita e djeshme, është vendosur në Galerinë e Arteve në Tiranë në një ekspozitë personale me punë të dimensioneve por dhe dedikuar shkrimtarit Ismail Kadare. Ahmeti jeton në Amerikë, por kur vjen në Shqipëri gjithmonë ka një “zhurmë” për veçantinë se si ai ndërton veprën, pa ndarë dhe personazhin letrar.
I pyetur për personazhin e Kadaresë si në planin personal ashtu edhe në atë artistik ai ju përgjigj:
“Marrëdhëniet e mia me zotin Kadare nuk janë vetëm miqësore. Unë jam një admirues i letërsisë së tij, madje adhurues i artit të tij, ky është pozicioni im, ai është shkrimtari i madh, gjeniu i letrave shqipe. Kështu kam pasur rastin të takohemi edhe të diskutojmë, por përgjithësisht raporti im me të është raporti i një adhuruesi të letërsisë dhe artit të tij.
Nga ana tjetër si piktor jam admirues i personalitetit dhe ndjekës i ideve të tij. Idetë e Kadaresë janë në fondamentin e mbrujtjes time intelektuale, në një farë mënyre unë jam një Kadarean nga idetë dhe nga kultura.
Kjo punë më ka ngrënë një kohë të gjatë duke filluar nga 2002 për të mbaruar në 2016. Vazhdimisht kam punuar, kam bërë kërkime, jam munduar ta shoh në perspektiva të ndryshme, duke u kthyer kështu në një sprovë në gjininë e portretit. Gjithashtu qyteti i Gjirokastrës na bashkon në këtë mes duke qënë qyteti i Kadaresë por edhe qyteti im, aty ku unë kam marrë impaktin e parë kur kam ardhur në jetë.
Jam vazhdimisht nën imazhin dhe impresionet e Gjirokastrës, por sigurisht mënyra si e ka parë Kadareja Gjirokastrën nuk mund të ketë shkuar pa influencuar përfytyrimet e mia”. Më tej në lidhje me pikturën e tij Ahmeti shton: “E kanë thënë edhe njohës të artit lidhjen mes pikturës sime dhe skenografisë, por piktura ka luajtur rol se si unë e kam bërë skenografinë, pa mohuar që skenografia nga ana tjetër ka luajtur rol se si unë e kompozoj tablonë. Pikturat janë një mënyrë për t’u shprehur disa mendime që nuk thuhen dot me fjalë”.