Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Idealet dhe Realiteti: Mackinderi, një gjeograf i “politikës së fshehtë”

$
0
0

R., M.; Sir Halford John Mackinder (1861-1947), MAKonsideruar si një libër bazik në fushën e gjeopolitikës, ose politikës së fshehtë dhe politikës që ndjekin shërbimet inteligjente të çdo shteti; diplomacia është ana tjetër e medaljes së politikës së jashtme të një vendi. Ky libër që mban për autor Halford J. Mackinder, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Helga’s Secret”

Idealet demokratike dhe realiteti – Boshti gjeografik i historisë, një libër mbi principet e gjeopolitikës, që kundrohet ende prej strategëve të kësaj fushe me të njëjtat pasione si Karl Houshofer (gjeneral i Kajzer Vilhelmit në Luftën e Madhe dhe i A. Hitlerit), Kissinger, Brzezinski, Dimitri Kitsikis dhe gjeostrategët e tjerë modernë rusë.

Konsideruar si një libër bazik në fushën e gjeopolitikës, ose politikës së fshehtë dhe politikës që ndjekin shërbimet inteligjente të çdo shteti; diplomacia është ana tjetër e medaljes së politikës së jashtme të një vendi. Ky libër që mban për autor Halford J. Mackinder, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Helga’s Secret”.

Halford J. Mackinder ishte mësues, gjeograf, eksplorator, avokat, deputet, ekonomist dhe diplomat. Ai lindi në Gejnsborou, Linkolnshajër (Gainsborough, Lincolnshire), Angli, në shkurt 1861. Babai i tij ishte mjek. Halfordi studioi shkenca në Kolegjin Epsom dhe në Kishën e Krishtit në Oksford. Pasi mbaroi programin në Oksford, ai studioi për drejtësi në Londër, ndërkohë që jepte leksione në Kishën e Krishtit dhe, gjithashtu, ndihmonte në drejtimin e filialeve të reja të Universitetit në Bath, Mançester, Salisbëri dhe në vende të tjera, ku ai jepte leksione të Gjeografisë Fizike . “Me këtë përvojë, mendimet e Mackinderit mbi mësimdhënien e gjeografisë nisën të marrin formë. I zgjedhur në Shoqatën Mbretërore të Gjeografisë, ai i paraqiti shoqatës një kumtesë me titullin ‘Mbi qëllimin dhe metodat e Gjeografisë’, e risjellë edhe në këtë libër në pjesën e fundit të tij. E hapur me pyetjen ‘Çfarë është Gjeografia?’ kumtesa e tij zgjoi debate mes audiencës, disa nga të cilët ishin oficerë të ushtrisë dhe marinës, të cilët nuk e duronin dot paturpësinë e një akademiku të ri pa eksperiencë jashtë kufijve të Anglisë”, thotë botuesi i Helga’s Secret, Alfred Cako.

Ideja e tij ishte se Gjeografia duhet të shërbejë si një urë lidhëse midis shkencave të natyrës dhe shkencave shoqërore. Ndikimi i fakteve gjeografike mbi shoqërinë dhe efekti i shoqërisë mbi mjedisin, ishin thelbësore në këtë kumtesë. Ai shkroi në një kohë kur ishin realizuar zbulimet më të mëdha të globit. Nuk kishte mbetur më tokë për t’u zbuluar. Njeriu kishte arritur në polin e Veriut dhe të Jugut. Gjeografia fizike që jepej mësim në atë kohë ishte Gjeologjia, dhe leksionet e gjeografisë politike ishin pak më tepër se recitim i fakteve demografike. Ndërkohë që krijimi i disiplinës së Gjeografisë në Angli nuk ka qenë vetëm meritë e Mackinderit; kumtesa e tij në Shoqatën Mbretërore të Gjeografisë dhe diskutimet që rrodhën prej saj patën ndikim dhe sollën krijimin e rretheve të Gjeografisë në Oksford dhe në Kembrixh me mbështetjen edhe të shoqatës.

Në 1904 Mackinderi i paraqiti Shoqatës një kumtesë me titull “Boshti Gjeografik i Historisë” . Në këtë kumtesë ai për herë të parë solli teorinë e “Territorit Bosht” një emërtim për territorin në qendër të Euroazisë, e cila ishte e mbrojtur nga fuqitë detare të asaj kohe. Ai arsyetoi se fuqia kontinentale që kontrollonte këtë territor do të mund të dominonte një ditë botën.

Sipas Cakos, duke u zgjeruar mbi këtë koncept, dhe me eksperiencën e freskët të Luftës së Parë Botërore, ai i zgjeroi kufijtë e konceptit të tij të “Territorit Bosht”, e quajti atë “Tokëzemër”, dhe botoi librin Idealet Demokratike dhe Realiteti në v.1919.

“Bazuar te koncepti i tij kundrejt thashethemit të sjellë nga një skllav “Ju jeni të vdekshëm”, për rikthimin e fitoreve të Legjioneve Romake, Mackinderi formuloi thënien e tij të shumëcituar:

Kush sundon Evropën Lindore sundon Tokëzemrën; kush sundon Tokëzemrën sundon Ishullin e Botës; kush sundon Ishullin e Botës sundon Botën. Mackinderi kishte në mendje nderimin e kujdesshëm të një paqeje të qëndrueshme të bazuar në një ekuilibër forcash të projektuar për të parandaluar rishfaqjen e Gjermanisë si “udhëheqësja” që kontrollonte burimet e Tokëzemrës.

Kritikët e Mackinderit shpesh fokusohen mbi këto tre rreshta, duke i quajtur të pamjaftueshme për të shpjeguar, për të parashikuar e për të këshilluar. Majkëll Hauardi i quan ato “Budallallëk me brirë” . Duke i futur të gjithë gjeopolitikanët në të njëjtin kallëp Hauardi është i mendimit se ata i trajtojnë çështjet në mënyrë të cekët”, shpjegon më tej Cako.

Nëse shihet në kontekstin e ngjarjeve historike, konflikteve midis fuqive të tokës e fuqive detare dhe përparimit teknologjik gjatë Luftës së Parë Botërore, vizioni i Mackinderit nuk ishte as universal e as tepër i kufizuar. Ajo thënie kishte një qëllim paralajmërues, një paralajmërim për politikanët e asaj kohe. Ishte një parashikim për rigjallërimin e Gjermanisë dhe për superfuqinë e mëvonshme, Bashkimin Sovjetik, por në atë kohë atij nuk iu vu shumë veshi. Makinderi e parashikoi këtë, duke theksuar se “Demokracia refuzon të mendojë në mënyrë strategjike me përjashtim të rasteve kur detyrohet ta bëjë këtë për t’u mbrojtur.”

Paralajmërimi i tij ishte për rigjallërimin e mundshëm të Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore. Megjithëse e pranon se Bashkimi Sovjetik nuk mund të paraqesë shumë kërcënim për njëfarë kohe, ai gjykon se paqja e pas-luftës kishte nevojë për një shtet tampon midis dy “organizuesve” të mëdhenj historikë për të parandaluar ngritjen e secilës nga këto për të sfiduar shtetet bregdetare, të cilat ai i quajti gjysmëhënat e brendshme dhe të jashtme. Përveç kësaj ai mendonte se ishte nevoja për një Lidhje të Kombeve.

Në librin e tij të vitit 1982, Mackinderi: Gjeografia në Ndihmë të Drejtimit të Shtetit, U. H. Parker analizon me kujdes, klasifikon, shtjellon, dhe hedh poshtë rreth 100 kritika të ndryshme për teorinë e Tokëzemrës. Ai shkruan: “Shpesh, kritikuesit e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar atë që ka shkruar Mackinderi; përgjithësisht ata duken sikur kanë lexuar shumë pak nga Mackinderi, ose sikur thjesht po përsërisin ato që kanë thënë të tjerët.

Kritiku kryesor i Makinderit ka qenë profesor Nikolas Spikman nga Universiteti i Jellit në Nju Jork. Megjithëse Spikmani e pranonte konceptin e Mackinderit të Ishullit të Botës, të Tokëzemrës dhe gjysmëhënave të brendshme dhe të jashtme këndvështrimi i tij ishte i ndryshëm. Ndërkohë që shkrimi i Mackinderit fokusohej mbi “organizuesit” dhe shfrytëzimi prej tyre i forcave tokësore për një sulm të mundshëm, Spikmani fokusohej mbi demokracitë. Këto shtete në periferi të Ishullit të Botës kishin një mentalitet mbrojtës, i cili më vonë do të artikulohej si Teoria e Përmbajtjes nga Xhorxh Kenan.

Disa kritikë e akuzojnë Makinderin se e ka ekzagjeruar potencialin energjetik të Tokëzemrës. Disa të tjerë thonë se teoria e tij nuk merr mjaftueshëm në konsideratë teknologjinë, se ajo ka dalë jashtë përdorimit për shkak të shtimit të rëndësisë së forcave ajrore. Të tjerë kritikë e kundërshtojnë teorinë e tij në planin filozofik, etik, politik apo ideologjik. Të tjerë janë të mendimit se e gjithë dega e Gjeopolitikës është e dyshimtë.

Gjeopolitika u diskreditua disi për shkak të zhvillimit të Gjeopolitikës Gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Karl Haus’hoferi, një gjeograf dhe shovinist gjerman, i shtrembëroi idetë e Mackinderit dhe të të tjerëve për të justifikuar zgjerimin e Gjermanisë. Haus’hoferi, bashkë me shumë gjermanë të tjerë, besonte se Gjermania nuk duhet ta kishte humbur Luftën e Parë Botërore, dhe se trajtimi i Gjermanisë pas lufte ishte i padrejtë. Duke u mbështetur në konceptin e Tokëzemrës, Haus’hoferi argumentoi nevojën gjermane për lebens-raum (hapësirën jetike). Bashkë me studime të tjera pseudoshkencore, si p.sh. ato që provonin superioritetin e racës Ariane, shfrytëzimi i gjeopolitikës nga Haus’hoferi për qëllime propagandistike kontribuoi në zhvillimin e qëllimeve ekspansioniste të nazistëve.

Disa kritikë e akuzojnë Mackinderin për determinizëm. Ata i kuptojnë këto paralajmërime për atë që mund të ndodhë si parashikime për atë që duhet të ndodhë. Por këta kritikë e keqkuptojnë Mackinderin, i cili thoshte se e ardhmja përcaktohet nga njeriu dhe jo nga gjeografia. Për shkak të kushteve gjeografike, njerëzit që do të kontrollonin Tokëzemrën do të kishin një avantazh të madh. Në vitin 1943 Makinderit i kërkuan ta ripunonte teorinë e tij në dritën e zhvillimeve që çuan në Luftën e Dytë Botërore. Ai u përgjigj me një mbrojte të tezës së tij të vjetër në artikullin e tij “Bota e Rrumbullakët dhe Fitorja e Paqes” . Duke thënë se koncepti i Tokëzemrës ishte “më i vlefshëm dhe i dobishëm sot” sesa atëherë kur ai shkroi për të, ai skicoi një pikëpamje gjeografike të një aleance të një fuqie të madhe të Tokëzemrës, Bashkimit Sovjetik, me forcat oqeanike të cilat zotëronin një vendzbarkim në Francë, një aerodrom të rrethuar nga një hendek uji në Britani dhe një rezervë me fuqi punëtore të kualifikuar, bujqësi dhe industri, në pjesën lindore të SHBA-ve dhe të Kanadasë”. Kjo ide formonte bazën e pikëpamjes së tij të ekuilibrit të forcave.

Megjithëse shqetësimi i tij kryesor vazhdonte të ishte Gjermania, ai e pranoi se edhe shtete të tjera e kishin potencialin për të vendosur hegjemoninë mbi Tokëzemrën. Duke e përjashtuar Rusinë si rrezik të menjëhershëm në kohën kur sapo kishte ndodhur revolucioni, ai nuk e përjashtoi atë edhe në afat të gjatë. Madje ai mori në konsideratë edhe Kinën si një “organizues” me mundësi të madhe i Tokëzemrës. “Pavarësisht evoluimit të teorisë gjeopolitike, vlera paralajmëruese e librit Idealet Demokratike dhe Realiteti nuk është zvogëluar në këta 77 vjet. Mundësia e kthimit të sundimit autokratik të Tokëzemrës së Makinderit mbetet në fuqi. Fundi i Luftës së Ftohtë nuk i ka dhënë fund ambicieve. Pavarësisht nga idealet demokratike, realiteti i një fuqie autokratike që kërkon të vendosë hegjemoninë mbi Euroazinë qendrore, mbetet një mundësi. Mackinderi nuk e parashikon atë, ai vetëm sa na paralajmëron për këtë kërcënim”, e thellon argumentin mbi këtë përvojë Cako.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708