-Drejtoresha e UET-Press, Valbona Nathanaili flet për risitë e këtij panairi dhe shijet e lexuesit këtë vit.
Nëse do të kishte një tapet të kuq për yjet e Panairit të Librit 2016 vëmendja dhe prozhektorët janë drejtuar për kah dy autorë që janë njëkohësisht dhe njerëz publikë, njëri politikan dhe tjetri gazetar i njohur. Ben Blushi dhe Blendi Fevziu, autorë të botuar nga Mapo Editions kanë mbledhur mijëra lexues në stendën e UET-Press ku shiten librat e tyre të rinj, përkatësisht eseja “Pushteti” e Fevziut dhe “Kryeministri” i Blushit. Deri në fund të ditës së tretë të panariti numri i librave të shitur nga Blushi kishte kaluar 1500 copë, po ashtu dhe librat e Fevziut në këtë shifër. Pas tyre librat më të kërkuar ishin ata të Ilir Ikonomit, monografi për Esat Pashë Toptanit, që ka shitur mbi 300 kopje, Vera Bekteshi me romanin “Ora me rërë” dhe autori Artan Mullaj me “Çmimi i pafajësisë” që gjithashtu ka pasur qindra lexues në këtë panair. Drejtoresha e UET-Press, Valbona Nathanaili tregon risitë e këtij panairi dhe shijet e lexuesit këtë vit.
Si po ecën Panairi i Librit, cilët janë titujt më të shitur? Çfarë interesi ka ndryshe nga viti i shkuar?
Në ndryshim nga viti tjetër ka më pak lëvizje sivjet, ndoshta do të vijnë për fundjavë, ndoshta ka qenë moti i keq, nuk ka qënë ajo lëvizje që ka qënë një vit më përpara ose ndoshta dhe dy vjet më përpara. Në fakt, një arsye mund të jetë edhe numri i shtëpive botuese që ka ardhur duke u ulur, që marrin pjesë në panair për shembull për tre vite numri i shtëpive botuese ka qenë përkatësisht 120-180. Gjithmonë edhe më pak shtëpi botuese po marrin pjesë. Kjo shpjegohet dhe me faktin që një pjesë e mirë e shtëpive botuese të cilat kanë qenë me fonde të kufizuara, ose nuk kanë pasur shumë lexues, ose nuk kanë ditur të zgjedhin titujt, janë duke u mbyllur ose ndoshta duke u tërhequr duke dalë nga tregu dhe ndërkohë janë shtëpitë botuese të mëdha që vazhdojnë të konsolidohen, të shtojnë numrin e titujve.
ET-Press a është treguar i zgjuar me titujt dhe autorët, si e shikoni tendencën?
Po mendoj se sivjet kemi qenë më të ekuilibruar dhe më të balancuar ndoshta në zgjedhjen e titujve, nuk jemi mjaftuar vetëm me autorët tradicionalë të UET-it. Sigurisht që ata janë dhe fatmirësisht z.Blushi edhe z.Fevziu, të dy autorë të UET Press-it, kanë bërë nga një libër sivjet. Por krahas tyre kemi shumë personalitete nga politika nga shkenca të ndryshme të cilët janë ofruar me tituj të mirë. Gazetari Ilir Ikonomi vjen me një monografi për Esat Pashë Toptanin që po tërheq vëmendjen e lexuesit. Kemi botime letrare që vijnë nën logon e Mapo Editions, etj..
Cilët libra kanë tërhequr më shmë vëmendjen e lexuesit në stendën e UET Press?
Si gjithmonë është libri i Blushit patjetër, vetëm ditën e parë ka shitur 150 copë, por ditën e dytë dhe të tretë pas ardhjes së autorit në stendë dhe firmosjes së autografeve kjo shifër u dhjetëfishua. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me librin e Blendi Fevziut, i cili ka dalë jashtë asaj të zakonshmes së tij të shkrimit të monografive dhe sivjet ka ardhur me letërsi. Fevziu patjetër shet shumë, lexuesit e duan dhe libri i tij ecën duke e kaluar shifrën 1 mijë copë që pas ditës së dytë panairit. Një shkrimtare interesante, Vera Bekteshi, i pari që boton në UET Press. “Ora me rërë” ka pak që ka dalë në treg po ka simpatizantë, dashamirësit e vet të cilët të tërhequr nga librat e parë të Verës edhe këtu kanë besim në penën e saj. Ilir Ikonomi gjithashtu ka tërhequr qindra lexues.
Librat që kani thyer rekord shitjesh në panairet e shkuara si “Enver Hoxha”, “Ahmet Zogu”, “Kandidati”, a vazhdojnë të tërhiqen akoma apo s’ka interes për ta?
Sigurisht që nuk është më ai interesi i parë para dy vjetësh, Enver Hoxha u bë të paktën 5 vjet që botohet, nuk shiten si më përpara, por vazhdon të tërhiqet. Libri i Blushit “Otello” ka dalë dhe në anglisht këtë vit dhe shitet akoma. Lexuesit e Blushit dhe Fevziut vijnë blejnë librat e rinj dhe nëse nuk i kanë blerë librat e tyre të mëparshëm i marrin dhe ato.