Pas polemikave mbi librin me 101 dokumente “Kadare në Pallatin e Ëndrrave”, botimet UET Press, gazetari Dashnor Kaloçi përgjigjet për akuzat e Fatos Lubonjës, për autenticitetin e dokumenteve, si dhe për përgjegjësinë e interpretimit, shpjegimeve mbi to
Pas polemikave për librin me 101 dokumente “Kadare në Pallatin e ëndrrave” , ndër më delikatët, siç e kemi parë këto ditë, është dokumenti ku përmendet edhe Fatos Lubonja, i cili ka reaguar duke thënë se ka pasaktësi, simulim dhe manipulim, çfarë komenti keni për këtë?
Lidhur me atë çfarë analisti dhe publicisti Fatos Lubonja ka shprehur në shtyp publikisht, unë ja kam dhënë njëherë përgjigjen, po në gazetën “Panorama”, dhe jam i gatshëm t’i jap përgjigje sa herë të pyetem lidhur me këtë, jo vetëm atij por cilitdo që ka pyetje pretendime, apo gjithçka tjetër rreth librit tim. Siç kam sqaruar edhe në parathënien e librit, në 101 dokumentet që janë pasqyruar aty janë të hedhura në libër pa i bërë absolutisht asnjë ndryshim, shkurtim, deformim, falsifikim apo çdo gjë tjetër që mund të mendojë ndonjë. Në çdo fund dokumenti janë të nënshkruar, data, viti, numri i dosjes, faqja, fondi etj., që mund të gjendet lehtësisht, dhe të verifikohen po ashtu nga kushdo. Të gjitha dokumentet janë të botuara të plota me përjashtim të tri-katër dokumenteve që janë nga fondi i arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (ku bën pjesë edhe dokumenti i Fatos Lubonjës) të cilët kanë të pasqyruar vetëm pjesën që ka lidhje me Kadarenë, pasi e gjithë dosja ka rreth 300 fletë, dhe nuk kishte arsye të botohej pasi dilte jashtë kontekstit të librit. Kjo dosje është aty, në arkivin e Ministrisë së Rendit, kush të dojë mund ta verifikojë apo të na kërkojë ne, që edhe mund ta japim të plotë dorazi ose ta publikojmë në gazetë. Meqë jemi në këtë pikë të debatit, më falni që jam i detyruar të flas për punën time, kam 25 vjet që merrem me këtë punë, nuk kam pasur asnjë lloj kontestimi jo vetëm për origjinalitetin e dokumentit, por edhe në interpretime.
Pikërisht për këtë donim të sqaronim: në libër dokumentet janë shoqëruar me komente, interpretime, analiza dhe shpjegime etj., po rreth tyre çfarë mund të thoni, pse janë bërë?
Po me vend pyetja juaj, ashtu si dhe në librin e parë “Kadare i denoncuar” edhe në këtë libër, të gjitha dokumentet janë shoqëruar me komente, interpretime, analiza dhe shpjegime etj., të miat të cilat janë shpjeguar edhe në libër pse janë bërë. Kjo është praktikë e njohur në librat me dokumente, që të bëhen shpjegime përkatëse, që lidhet me shumë arsye, një ndër to është për brezin e ri, të cilët nuk kanë dijeni mbi ato dokumente. Siç kam thënë edhe te parathënia e librit të parë pa këto shpjegime libri do të dukej si një hartë memece pa shenja konvencionale.
Por gjithashtu kam thënë që çdo njeri, edhe pa u bazuar te analizat e mia, e nxjerr vetë konkluzionin mbi çdo dokument apo edhe komentet e mia. Lidhur me të gjitha këto shpjegime, nisur që prej titujve e gjithçka tjetër që është e shkruar aty, është përgjegjësi e imja, qoftë morale dhe ligjore. Në këtë kontekst janë edhe titujt, të cilët pothuaj 100% janë nxjerr nga lënda e dokumentit, dhe janë vënë pa i ndryshuar asgjë, me ndonjë përjashtim ku ka pasur shumë informacion është nxjerrë thelbi i tyre gjithnjë, pa devijuar konteksti i dokumentit. Kjo vlen edhe për dokumentin e zotit Lubonja dhe familjes Lubonja.
Ju e keni thënë disa herë, por për shkak të debatit të pritshëm, që ka shkaktuar libri me 101 dokumente të Kadaresë, na duhet të insistojmë te pyetja se dokumentet e këtij botimi janë të marra nga origjinalet, autentike?
Po, patjetër. Të gjitha dokumentet janë autentike të marra nga origjinalet që ndodhen në Arkivat përkatëse të shtetit shqiptar. Siç thashë edhe më lart janë lehtësisht të verifikueshme për këdo.