Përveç Kadaresë, në këtë listë rekomandohet edhe libri “Persepolis” nga Marjane Satrapi, “Effi Briest” nga Theodor Fontane, “The Imperfect” nga Tom Rachman, “The Wave” nga Morton Rhue etj.
“Bento”, revista letrare e njohur në qarqet krijuese nëpër Evropë, sidomos në Gjermani, ka botuar kësisoj një listë të dhjetë librave që të ndryshojnë jetën. Ekipi i “Bento”, revistës që botohet në gjuhën gjermane, ka radhitur dhjetë librat që kanë ndryshuar jetën e stafit të kësaj magazine, kësisoj për të rekomanduar këta libra edhe te të tjerët. “Vjeshta është një stinë kur lexohet, prandaj po ju prezantojmë librat të cilët na lanë neve kujtime dhe na ndryshuan jetën” shkruhet në tekstin e revistës. Në mesin e librave, është edhe libri “Piramida” i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.
“Të shikosh në të kaluarën të ndihmon ta kuptosh të sotmen. Mund të jetë një klishe por atë e jetësoi Kadareja në këtë vepër. Ai shkruan për Piramidën e Madhe, të ndërtuar para 4500 vitesh. Vepra nuk tingëllon si Egjipti por si realiteti i sotëm. Marrë parasysh faktin se Kadare u rrit në një ambient si Shqipëria komuniste, Piramida është një parabolë për çdo lloj shtypje” shkruhet në rekomandimin e “Bento” për Kadarenë. Romani nis me një bujë, e cila hedh dritë mbi strategjinë dhe patologjinë, mbi ironinë dhe melankolinë e këtij ndërtimi monumental. Pak kohë pas ngritjes në fron, faraoni i ri kumton se nuk dëshiron që t’i ndërtohet një piramidë, e kjo gjë e vë në dëshpërim të thellë priftërinë më të lartë. Sepse, me këtë nuk vihet në pikëpyetje ngritja përfundimtare e mbretit tek yjet, por e rrezikon edhe arkitekturën e pushtetit të shtetit, mbi të cilën bazohet bindja pa kushte e popullit. Vërtet Piramida si varr është e rëndësishme, por edhe më e rëndësishme është përpjekja që zgjat pa mbarim e ndërtimit të saj si mjet për ta shkatërruar atë mirëqenie, e cila të nënshtruarit i bën të ngopur, të lirë dhe të pacipë. Para pak viteve, 2014, një prej gazetave më të njohura evropiane “Neue Zürcher Zeitung”, dhe kritiku i njohur, Andreas Breitenstein, ka shkruan rreth botimit në gjermanisht të romanit “Piramida” të Ismail Kadaresë, duke u shprehur ndër të tjera se “njëmend ndërtimi i varrit më të madh të ngritur ndonjëherë arrin te Kadareja në një simbol të megalomanisë dhe të mizantropisë së një sundimi totalitar, siç e ka përjetuar edhe atdheu i tij, Shqipëria nga 1944 deri më 1985-n nën diktatorin komunist Enver Hoxha. Prapëseprapë, Kadareja ishte shumë afër sekretit të pushtetit, për të dalluar se diktatorët si shtytës janë gjithmonë edhe të shtyrë – sistemi i hibrisit dhe frikës, besnikërisë dhe tradhtisë, mbikëqyrjes dhe ndëshkimit kanoset që të rrëzohet dhe të drejtohet kundër krijuesit. Të shtjellosh pikërisht këtë demonizëm në rastin e ndërtimit të Piramidës së Keopsit, përbën humorin dhe harenë e këtij libri nga viti 1992, të cilin tani e kemi në përkthimin e mirë në gjermanisht nga Joachim Röhm”. Përveç Kadaresë, në këtë listë rekomandohet edhe libri “Persepolis” nga Marjane Satrapi, “Effi Briest” nga Theodor Fontane, “The Imperfect” nga Tom Rachman, “The Wave” nga Morton Rhue etj.