Idealist? Budalla? Pasionant? I çmendur? Një kalorës, fisnik që fuqia e imagjinatës e shkaktuar nga dashuria për leximin e ka shndërruar në emblemën e letërsisë botërore. Është Don Kishoti i Servantesit, që për herë të parë është sjellë premierë në Tiranë, si projekt i financuar nga Ministria e Kulturës në marrëdhënie kontraktuese me Teatrin Kombëtar për lirimin e skenës. E ndërlikuar kur nuk flitet për një shfaqje repertori, por një projekt i jashtëm teatri
Idealist? Budalla? Pasionant? I çmendur? Një kalorës, fisnik që fuqia e imagjinatës e shkaktuar nga dashuria për leximin e ka shndërruar në emblemën e letërsisë botërore. Është Don Kishoti i Servantesit, që për herë të parë është sjellë premierë në Tiranë, si projekt i financuar nga Ministria e Kulturës në marrëdhënie kontraktuese me Teatrin Kombëtar për lirimin e skenës. E ndërlikuar kur nuk flitet për një shfaqje repertori, por një projekt i jashtëm teatri. Megjithatë kjo shfaqje është konsideruar sukses nga vetë protagonistët e saj, për arsye se dha dhjetë shfaqje, e fundit me kërkesë të publikut.
Regjisori Klajd Ymeri për shkak të një teksti klasik nuk heq as “idealistin”, as “pasionantin”, as “të çmendurin”, dhe as “budallain” te Don Kishoti, por vetëm se ka sfumuar realitetin klasik, aventurën e personazhit në kërkim të brendisë së tij, të përroit psikik pse edhe ky tregim i Servantesit ka hyrë në histori. Aktorët Romir Zalla në rolin e Don Kishotit dhe Gentian Zeneli në rolin e Sanço Panços, sidomos i pari aktor profesionist dhe i dyti me një markë humori që mbante pothuaj të njëjtën “rrobë” edhe në skenën e teatrit, mbeten shumë gazmor për publikun edhe pa folur. Romir Zalla aktor që kur kanë ditur t’i gjejnë anën regjisorët është brilant. Aktor i plastikës me shumë se fjalës, Zalla dha gjithë potencialin e tij në një portret të plotë, ndoshta për herë të parë në karrierën e tij që mesa duket, nëse nuk do të kemi donkishot-ë të tjerë në të ardhmen ky do të mbetet gjurmë. Nga ana tjetër Sançoja, është zemra e tregimit; ai është disi një zë i arsyes, i cili është i gatshëm për shokun e tij për të qenë i paprekur nga çdo aftësi për të arsyetuar. Zenelaj e mban këtë imazh, edhe pse ndihet tek ai zhargoni “portokalli”, duke e devijuar jo në pak raste klasiken, e lëshuar rolin.
Më tepër problemet e kësaj shfaqjeje nxorën edhe një herë punët e regjisurës në teatrin shqiptar, përballë “kostumit” që përpiqen t’i veshin një shfaqje, edhe kur kjo është pothuaj gati, sidomos ato klasiket.
Shfaqja mbeti një narracion i gjatë, prej dy orësh, duke e dekompozuar dhe fragmentarizuar portretin e Don Kishotit si një emblemë unike e kalorësisë “idioteske” mbi atë që është konsideruar “luftë me mullinjtë e erës”, mbetur në këtë simbolikë si një nga rastet më klasike të letërsisë botërore, por edhe në teatër, e më tepër në atë operistik.
Ymeri krijonte barqe artistike me Don Kishotit duke lënë shpesh në të njëjtin pellg këtë figurë, pa mundur të ndërtojë estetikën e udhëtimit linear të Don Kishotit.
Episodet ku kalon dhe ndalon Don Kishoti nuk mbajnë masën, kohën dhe për pasojë mundësinë për ta ndjerë në ajër “luftimin” e tij, të quajtur donkishotesk.
Episode që në mjaft raste mbeteshin të panevojshme për të patur një përqendrim aq të lartë, apo për t’u zhvilluar tej masës qoftë në ardhjen në skenë të ciganes, dhe sidomos qëndresa te hanxhiu nxori pothuaj jashtë skene Don Kishotin duke e kaluar fokusin në mënyrë të panevojshme, më shumë se ç’duhet në personazhe të tjerë.
Por mbeten dhe dy çështje të rëndësishme për këtë shfaqje që lidhen me aktorët. Zalla nuk del origjinal, si përputhje karakteriale, dhe pse natyra e tij në dukje është mjaft afër Don Kishotit. Kërkimi regjisorial si nevojë për të parë një kontekst origjinal aq dhe personal në këtë vënie në skenë ishin pothuaj në limitet estetike. Regjisori duhej të mendonte për një trajtë më të qëmtuar, se sa gati përqasja shumë herë e roleve që ka pasur Zalla në programet e humorit me atë në skenën e teatrit.
Ndërsa çështja tjetër lidhet me regjistrin e aktorëve. Në teatrin shqiptar vazhdojnë zërat e grykës, të larta, deri diku patetike, dhe pothuaj në çjerrje duke krijuar kakofoni zërash. Shfaqja prej dy orësh mbytej nga një tension dëgjimor i zërave jashtëzakonisht të lartë, ku edhe muzika gjendej e panevojë për të krijuar zhurmën e atij teatri, duke kaluar masën klasike në një natyrë spektakli.
Sigurisht ulur fare pranë një spektatori çfarëdo, humor prodhonte çdo fjali si e tillë, por jo që të përcillte në shumë raste (jo në të gjitha) një komedi, ku fjala hidhet brenda sarkazmës e pritet në të njëjtën formë, pa e ngatërruar me humorin, atë që është batutë. Nëse një teatër divulgohet nga koncepti i qartë si tekst komedian për hir të publikut atëherë s’është arritur gjë, qoftë dhe kjo vepra e Don Kishotit e shkruar nga mjeshtër botëror.
Materia e kësaj vepre nuk ka nevojë më për të shkruar çfarë mesazhesh përcjell, kur gjithë mbeten në qerthullin e një teatri që nuk ndryshon. Sikur Don Kishoti i Ymerajt do të kishte synuar realitetin donkishotesk, spektaklin e luftës me “mullinjtë” e erës, për të provuar budallallëkun e luftës së kotë, atëherë vështrimi njerëzor do kishte pjesën e tij prej secilit në publik, e sidomos këtij shqiptar.
Violeta Murati