Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Teatri, sezoni i Gladiola Harizajt

$
0
0

gladiolaCilësimi si aktorja më e mirë për sezonin teatror 2014-2015, me rolin e Geshës në shfaqjen “Liri në Bremen”, ishte një vlerësim që “përkëdheli” tek ajo sedrën, për më tepër që ky ishte i pari rol i saj kryesor në një shfaqje në Teatrin Kombëtar. Por duket se ky është vetëm fillimi, sepse më pas ajo pati dhe një rol tjetër në dramën “Vrasja e Maratit”, ashtu sikurse pritet në role të tjera, me të cilat ajo do të shfaqet së shpejti.

Intervistoi: Blerina Goce

 

Vetëm pak kohë më parë, nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar jeni vlerësuar si një prej dy aktoreve më të mira për sezonin teatror 2014-2015, pas interpretimit tuaj të personazhit të Geshës në shfaqjen “Liri në Bremen”. Ç’do të thotë për ju ky vlerësim?

Nuk e prisja. I jam shumë mirënjohëse bordit të TK-së për vlerësimin që më bëri. Duke marrë parasysh që jam një aktore “e re”, edhe pse shkollën e kam mbaruar që më 2002-in, por nuk kam pasur mundësi apo nuk më është dhënë mundësia për të punuar këto kohë. Përveç një roli më 2008-n dhe një në vitin 2012, ky ishte rasti i parë. Kam pasur gjëra të vogla në TK, por jo një rol të mirëfilltë, aq më tepër siç ishte roli i Geshës në “Liri në Bremen”. Vlerësimin në fillim ma bëri vetë regjisorja Sesilia Plasari me përzgjedhjen që më bëri në një audicion, që për herë të parë në Teatrin Kombëtar ishte i hapur, ku të gjitha ne, vajzat që ishim në audicion për rolin e Geshës shikonim njëra-tjetrën, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Pra, fillimisht mora vlerësimin nga Sesilia. Pastaj, sigurisht nga publiku. Vlerësimin e kam marrë dhe nga drejtori i TK, z. Hervin Çuli direkt pas premierës dhe, në fund fare, kur e mora nga bordi ishte një kënaqësi dhe më e madhe, tamam përmbyllje e punës sime. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që më vlerësuan.

Ç’do të thoshte për ju interpretimi krah Ndriçim Xhepës, Bujar Asqeriut, etj? Ishte e vështirë të futeshit brenda personazhit?

Kjo ishte një kënaqësi më vete dhe përgjegjësi më vete në të njëjtën kohë. Të luaje me Ndriçim Xhepën, Anastas Kristoforin, Bujar Asqeriun, pa anashkaluar dhe aktorët e tjerë, ishte një eksperiencë që e vlerësoj pa fund dhe që, sigurisht më ka ndihmuar në gjithë punën time për të ndërtuar atë personazh. Për ta kuptuar këtë grua në të gjithë dimensionin dhe në momentet qe kalonte, pa diskutim përveç punës sime një ndihmë të madhe më dhanë dhe diskutimet pafund me Sesilian, e cila për mua është regjisorja që do “dashuronte”çdo aktor. Mendimi im deri tani … pa provuar shumë të tjerë. E vështirë ishte të kuptoje dhe të “përjetoje” atë zhgënjim që ajo pati nga bashkëshorti, zhgënjimin që pati nga prindërit, se ashtu u rrit dhe atë mori nga ata, edhe pse kërkonte tjetër gjë. Por deri këtu dhe e mirëkuptoja Gesche-n, por nuk e kuptova dot dhe më dhemb dhe tani kur e mendoj te fëmijët, si ajo arrin t’i vrasë dhe ata. Atë, Ola si individ, si njeri nuk ia fal dot, nuk e kupton dot.

“Je e dëshpëruar Geshë … botën s’e rrotullon dashuria …”. Këto fjalë thotë personazhi i interpretuar prej jush në Bremenin e vitit 1831. Në fakt, mendoni ashtu si dhe Gesha, që botën s’e rrotullon dashuria?

Unë them që botën e “rrotullon” dashuria. E ka rrotulluar dhe do ta rrotullojë gjithmonë. Varet dhe nga njerëzit. Unë jam pak dhe natyrë emotive dhe sigurisht që më pëlqen të kapem te kjo shprehje. Ka njerëz që janë të ftohtë, ndoshta nuk e mendojnë kështu. Por dashuria duhet “ta rrotullojë” botën. Jo vetëm dashuria për një partner, por për fëmijën, për mikun, për shokun, për shoqen, fqinjin, të gjithë. Ky është thelbi. Edhe Gesche këtë tregon, që në momentin e parë. Se ajo e jep, por nuk e merr këtë dashuri. Dhe është pikërisht kjo arsyeja që asaj i erren sytë dhe vendos të kryejë atë akt dhe meqenëse arrin ta bëjë një herë, nuk është aq e tmerrshme pastaj edhe për t’u përsëritur.

Mund të zbuloni diçka edhe për projektet tuaja në vijim?

Një nga projektet e afërta është pjesa e Çehovit “Tre motrat”, ku vetë regjisori Hervin Çuli më ka besuar një rol, që më mirë po e lë surprizë. Gjithashtu dhe regjisorja Elma Doresi, e cila  ka fituar këtë vit dhe do jetë pjesë e repertorit të TK-së me komedinë e W. Shakespeare “Zbutja e kryeneçes”. Dhe po e lë surprizë se kë rol … gjejeni vetë, s’besoj ta keni të vështirë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708