Komplekset e shoqërive postdiktatoriale janë ende problemet që shqetësojnë më së shumti shqiptarët, prej të cilëve regjisori Armando Bora, pas një heshtjeje të gjatë, ka ngritur teatrin e tij, mes absurdit e groteskut, këtë herë duke çmitizuar një përvojë satirike të Edipit si personazh
Armando Bora për të dytën herë paraqitet me një version grotesk të trajtimit të diktaturës, si psikozë dhe gjendje shpirtërore. Ka shkruar një dramë të re satirike, të quajtur “Qejfharami” për ta inskenuar në mjediset e Cirkut Kombëtar.
Kjo është ndërmarrja e dytë, pas veprës “Ata hyjnë pa trokitur”, që mbante të njëjtën linjë, atë të diktaturës, terrorin që i shkaktonte individit sistemi. Duket se kjo linjë është një këllëf i duhur që ka gjetur regjisori, edhe si autor, pas një heshtjeje të gjatë në teatër.
Bora, një regjisor me koncepte politike për teatrin krijon një rast të ndarë nga gjithë pjesa tjetër e krijimtarisë teatrore në vend. Me një natyrë origjinale, orientuar nga absurdi, regjisori vendos relatën publik-skenë në një formë autoriale, individuale duke u përpjekur të dëshmojë shqetësimin e tij, edhe pse ndodhet në një kohë relativisht të vonë për ta rrëfyer. Megjithatë, duhet thënë se teatri shqiptar me këtë mban një sigël nisjeje prej nga duhet të ngiste historinë, pasi në fillim të ’90-ës u bë një përpjekje nga regjisori Gëzim Kame, edhe pse në kushte foshnjarake të estetikës.
Në këtë nënsistem të teatrit, heshturazi ja ku vjen Bora për të identifikuar në të dytin rast memorien si kusht dramatik. Me “Theatre of the day” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Cirkun Kombëtar, të dielën prezanton shfaqjen “Qejfharami”. Kjo shfaqje teatrore është ndërtuar duke u mbështetur mbi parimet e Teatrit Polifonik që dallon për mënyrën se si aktori përdor trupin e tij, gjestet dhe lëvizjet skenike.
Drama satirike “Qejfharami” sipas Borës vjen si një ritrajtim modern i mitit të Edipit, çmitizimin e këtij personazhi, duke e vendosur në situata dhe rrethana që zbulojnë anë komike dhe groteske të tij. Historia e këtij Edipi mbivendoset me situata dhe rrethana që kanë jetuar personazhe të tjerë të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Portretet e perandorit Kaligula, Makbethit, Stalinit apo e diktatorëve të tjerë modernë bashkohen bashkë për të sjellë në një polifoni ngjyrash dhe tingujsh, portretin e vërtetë të një pushtetari. Në dramë ka edhe një linjë lirike ku marrëdhënia midis Djalit dhe Vajzës në prag të martesës merr një kthesë dramatike si rrjedhojë e vendosjes së ligjit të Qejfharamit. Sipas këtij ligji, në një situatë kur të gjithë meshkujt janë të infektuar nga murtaja e kuqe, detyrohet çdo femër e martuar që fëmijët t’i bëjë me mbretin Edip si i vetmi mashkull i pastër dhe i paprekur nga murtaja. Për të bërë të mundur ndalimin e këtij ligji, Djali vendos të hyjë në guvën e Qorrit duke lexuar sekretet e Tebës dhe duke zbuluar prejardhjen e infektuar të mbretit Edip. Pas leximit të sekreteve, Djali humbet shikimin dhe i verbër i rrëfen të vërtetën Edipit duke i kërkuar largimin nga pushteti. “Teksti tenton të shpjegojë dhe t’u japë përgjigje disa prej problemeve që vuajnë shoqëritë postdiktatoriale”. Kostumet e realizuara nga Anila Zajmi Katanolli janë të konceptuara mbi të njëjtat parime estetike dhe filozofike që është ndërtuar shfaqja.
Për realizimin e shfaqjes është punuar duke u ushtruar me teknikat e arteve marciale dhe teknika të artit të cirkut. Përdorimi i maskave dhe kukullës i jep shfaqjes, njëkohësisht edhe dimensionin antik dhe atë modern. V.M