Biblioteka Kombëtare sot në një konferencë shkencore në kremtimin e 150-vjetorit të lindjes së Ndre Mjedës, një prej lirikëve më të shquar të poezisë shqipe, me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Në fokus vepra e akademikut Sabri Hamiti, “Ndre Mjeda” si një udhëtim në leximet personale të poetit, nga leximi më i hershëm e intim deri te shqyrtimet si liriku klasik dhe poeti ëndërrues
Megjithëse është liriku më romantik, ëndërrues dhe intim Ndre Mjeda nuk “shteron” nga meditimet poetike. Poetët sidomos janë më të përfshirë emocionalisht në leximet e këtij liriku. Por edhe studiuesit vazhdojnë të shqyrtojnë rrëfimin poetik të rrallë të Mjedës, si vargëzues por edhe përkthyes brilant. Vetëm se veprimtarinë dedikuar poetit të “vajit” në të shumtën ndajnë ceremonitë. Ashtu si për shumë shkrimtarë të tjerë, edhe Mjeda copëtohet në kujtesë. Si prift e poet nuk mungon përkujtimi që vjen nga kisha e Kuklit. Si ambicie studimi, Mjeda mbetet ende një autor preferencial, ku studiuesit kërkojnë afritë estetike por dhe një lloj uni letrar te ky lirik. Ky rast është fokusi që i ka dhënë sot, kësaj ngjarjeje Biblioteka Kombëtare që sot kremton në një konferencë, 150-vjetorin e lindjes së poetit, duke e zhvendosur këtë ngjarje te studiuesi e poeti Sabri Hamiti. Ky është vlerësuar si i ftuar nderi, ku marrin pjesë edhe studiues të tjerë, që sjellin kontributin e tyre në këto kremtime.
Vepra poetike e Ndre Mjedjes, një prej lirikëve më të shquar të poezisë shqipe, qysh prej botimit të “Vajit të bylbylit” më 1887, të “Juvenilias” thuajse 100 vjet më parë, por edhe të poemës së mirënjohur “Liria” apo poemave në tingëllima të përsosura “Lissus” e “Scodra”, shpalos ende për studiuesit dhe lexuesit e tij të shumtë mundësi e joshje sa estetike aq edhe shqyrtuese për t’u rilexuar, për t’u ri-interpretuar e për të na shndërruar në lexues të pasionuar të tij.
Pikërisht një pasion të tillë, thuhet në njoftimin e Bibliotekës, njëkohësisht prej lexuesi e studiuesi shembullor, e përmbledh edhe libri më i fundit i akademikut Sabri Hamiti, me titullin “Ndre Mjedja”, si një udhëtim në leximet personale të poetit, ku, nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982 e deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” që përmbyllin librin më 2016-n, shpërfaqet mrekullia e leximit por edhe sfida e përhershme e rileximit dhe ri-interpretimit.
I pranishëm në promovimin e librit, akademiku Sabri Hamiti do të mbajë edhe ligjëratën “Mjedja: liriku klasiku”, në të cilën parashtrohen leximet dhe qasjet më përkufizuese ndaj poetikës së Mjedjes, si: Vetja, Andrra e jetës, Ikona poetike, Përjetësia, Bukurija etj.
Veprimtaria do të vijojë me tryezën e rrumbullakët: “Rilexime të Mjedjes”, gjatë së cilës do të prezantohen shqyrtimet dhe perspektivat më të reja studimore mbi veprën dhe personalitetin e Ndre Mjedjes, i cili gjithnjë e më shumë tërheq vëmendjen e studiuesve e lexuesve, jo vetëm si poeti i përsosmërisë, por edhe si gjuhëtari modern, si përkthyesi i hollë, si atdhetari vetëflijues, si kleriku i përkushtuar dhe si mësuesi i pasionuar.
Nga ana tjetër, në Kukël çdo vit organizohen veprimtari përkujtimore, por edhe konferenca shkencore në Qendrën Muzeale, Dom Ndre Mjeda që është projektuar dhe ndërtuar nga vetë poeti, ndërsa u rikonstruktua dhe u vu në shërbim të besimtarëve por edhe në shërbim të studiuesve. Pjesë e këtij muzeu janë reliket që i përkasin poetit por edhe tryeza e tij, e cila është rikonstruktuar plotësisht.