Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Ilir Kerni: Teatri shëtitës do afrojë më shumë publik

$
0
0

operaPas prezantimit të kalendarit të ri dhe drejtorit artistik të baletit, Astrit Zejnati, Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni flet mbi rikonstruksionin që do të nisë në janar dhe planin e teatrit për të lëvizur në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Kjo do të jetë eksperiencë pozitive sipas Kernit, pasi do të afrojë më shumë publikun drejt operës dhe baletit…

Suadela Balliu

 

Ky do të jetë sezoni më i veçantë i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në këta 60 vjet, sipas drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, Ilir Kerni. Kjo jo vetëm për shfaqjet që do të ngjiten në skenë, ku spikatin opera “Don Giovani” “Carmina Burana” dhe baleti “Noces” me Angjelin Preljocaj, por sepse për të parën herë në mëse gjysmë shekulli teatri do i nënshtrohet rikonstruksionit total, ku sipas Kernit, punimet do të zgjasin jo më shumë se njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë muaj. Megjithatë, aktivitetet artistike do të vijojnë normalisht në këtë sezon në skenën aktuale, deri në dhjetor të këtij viti. “Ne programin artistik e kemi deri në dhjetor dhe është menduar edhe plani strategjik sesi do të funksionojë TKOB gjatë kësaj ndërhyrjeje. Duke qenë largpamës, ne do i adaptojmë në grupe më të vogla, po flas për koncerte të ndryshme që mund të bëjmë…baletet i kemi bërë me numër të vogël, dhe mund të bëjmë disa shfaqje në të dyja grupet. Ansambli është një nga sektorët që e ka këtë praktikë dhe ndoshta do të na sugjerojnë, kemi menduar sesi do të lëvizim në periudhën e rikonstruksionit në Shqipëri, në Tiranë do të jepen shfaqje të ndryshme, po pa diskutim në rajon dhe më gjerë. Për t’u theksuar është se trupa e baletit ka turne tani në dhjetor, por edhe për festat e nëntorit është në Gjermani; është menduar që orkestra të shkojë diku. Kështu që pa diskutim e kemi një plan sesi mund të funksionojë gjatë periudhës që është në rikonstruksion”, – ka thënë dje në konferencën për shtyp drejtori Ilir Kerni. Me prezantimin e kalendarit ku sezoni hapet me operën “Don Giovani”, në periudhën shtator-tetor e më pas vijon me “Carmina Burana” për t’ia lënë vendin në nëntor baletit të Preljocajt “Noces”, Kerni prezantoi edhe drejtorin artistik të baletit, balerinin dhe koreografin Astrit Zejnati, i cili është rikthyer në Shqipëri pas 20 vitesh karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Zejnati u shpreh se ka nisur me përgatitje intensive për të sjellë në formë pas shkëputjes verore trupën e baletit, veçanërisht për “Carmina Burana”, që nga ana teknike, sipas Zejnatit është tepër e vështirë. I pyetur nëse do të ketë ndryshime me ardhjen e tij, ai ka pohuar se “ndryshimet në staf janë të paevitueshme për hir të rinovimit, por gjithçka në kohën e duhur”, – ka përfunduar ai.

Sezoni i kaluar ka shënuar një rikthim të emrave të njohur shqiptarë nëpër botë, si Inva Mula, Gëzim Myshketa, Ermonela Jaho etj, një prezencë që Kerni e ka quajtur nder për teatrin dhe për vendin. “Unë nuk i ndaj artistët shpatarë dhe ata të huaj. Solistët janë ata që lëvizin dhe një shfaqje asnjëherë nuk mund të bëhet me një solist që e përsërit atë me tre a katër herë. Kështu që edhe për arsye kualitative dhe të publikut në të gjithë teatrot e botës qarkullojnë solistët. Secili teatër në bazë të buxhetit merr emra aq të fuqishëm sa ka mundësi, por TKOB ka pasur fatin që duke qenë të dashur shumë, dhe duke qenë se ka qenë një dëshirë e madhe për t’u kthyer në TKOB, kemi bërë që edhe emra botërorë, edhe shqiptarë të kthehen në teatrin tonë. Kjo do të vazhdojë sepse është teatri i vetëm dhe keni parë se në 18 muaj kanë ardhur të gjithë artistët shqiptarë me famë botërore”, –ka thënë Kerni. Sa i përket strategjisë, drejtoresha artistike, Abigela Voshtina ka sqaruar se TKOB ka një strategji të qartë dhe afatgjatë. “Unë mendoj se teatri nuk është tavolinë pokeri dhe strategjia e teatrit ka qenë shumë e qartë që në fillim të këtij sezoni. Po mundohemi që të fusim një strategji tjetër, që nuk është momentale, por të vazhdueshme, dhe arti për t’u bërë art do punë të padiskutueshme për të gjithë jetën. Kështu që unë them se ky nuk është një teatër pa një të kaluar, por një teatër që do të ketë një të ardhme shumë të mirë”, – ka përfunduar Voshtina.

Drejtori i TKOB, Kerni ka bërë me dije se në muajin nëntor do të jetë vetë koreografi i famshëm me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj për baletin e tij “Noces”, ndërsa në fillim të 2016, trupa e baletit të TKOB do të zhvillojë një turne në Francë me dy shfaqje; “L’esstravaganza” dhe “Noces”.

 

Zoti Kerni, a e keni gati një plan të lëvizjes së trupës artistike nga godina e TKOB pas nisjes së rikonstruksionit dhe si do të bëhet kjo lëvizje?

Strategjinë për të lëvizur e kemi gati, që nga orkestrat e vogla, koncertet e vogla e të mëdha, baleti që ka shfaqje interesante…Jam i sigurt se do të jetë eksperiencë shumë e mirë, sepse do të lëvizim jo vetëm nëpër Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, por dhe jashtë vendit. Më e rëndësishmja është se buxheti ynë nuk do të preket dhe i gjithi do të kalojë për lëvizjen e trupave, në njëfarë kuptimi mundësitë financiare i kemi mjaftueshëm për të bërë këtë lëvizje të trupave për shfaqje.

A ka pasur një rritje të buxhetit për TKOB-in këtë sezon të ri?

Ne shpresojmë që situata të ndryshojë. Kjo nuk do të thotë se kërkesat nuk janë bërë në vazhdimësi me gjithë këtë nevojë që ka teatri, por kjo nuk varet nga ne. Por nga ana tjetër mirëkuptojmë të gjitha vështirësitë financiare që janë; një vend e 3 milionë banorë e me një GDP modeste…vendi fqinj i yni, Maqedonia, ka tetë herë më shumë buxhet sesa Shqipëria.

Pra, rikonstruksioni do të nisë në janar?

Më 1 janar ne kemi planin e saktë sesi do të operojmë me lëvizjet. Do të shkojmë me dy shfaqje në Gjermani. Ashtu siç kemi pasur edhe sezonin që u mbyll turne në Itali do të vazhdojmë me këto përvoja. Kemi gjetur në bashkëpunime të frytshme, ata na kërkojnë por edhe TKOB është i interesuar për ta çuar trupën jashtë. Këtë sezon do të shkojmë me “La Sylphide”, “Coppelia”, por edhe me “Noces” të Preljocajt. Emri i madh i Preljocajt të jep mundësinë që të shkosh edhe me shfaqjet e tjera që kemi ne.

Flitet se TKOB i paguan shumë emrat e mëdhenj që vijnë këtu për shfaqje. Kjo bëhet si strategji për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare?

A vijnë emrat e mëdhenj me para këtu?! Po të marrësh statistikat dhe të bësh një përllogaritje të thjeshtë, ne kemi një buxhet prej 100 mijë eurosh në vit. Sa herë kanë ardhur këta emra? Po t’i shumëzosh me kashenë e tyre bëjnë 50 herë më shumë sesa buxheti ynë dhe kështu e kupton a kanë marrë apo jo para ata. Për të mos folur edhe për kostot e produksionit, skenografisë, orkestra, kori dhe baleti ekstra… Pra është e pamundur. Me një llogaritje të vogël, 100 mijë euro pjesëtoji me 190 e ca shfaqje, shih nëse marrin diçka…

Me nisjen e rikonstruksionit do të thotë se nuk do të ketë premiera, pra do të ketë rivënie në skenë…

Do të jenë shfaqje rivënieje në skenë, pas janarit. Koncerte simfonike që nga Butrinti e në të gjitha territoret… Është hera e parë që ndodh e do të prekë publik më të gjerë e më të larmishëm, do të bëhen në vende të hapura etj. Kjo është diçka shumë e mirë që i ndodh operës. Në kushte të tjera nuk do i bënim, se nuk kemi mundësi.

A i keni piketuar institucionet që do ju strehojnë nga janari e tutje?

Bisedat janë bërë muaj përpara, është RTSH-ja që do të presë orkestrën dhe do të rakordohen me orkestrën e saj, e gjithë shkolla e baletit do të jetë në dispozicion të trupës së baletit. Të gjitha këto janë bërë biseda paraprake dhe përpara disa ditësh kemi bërë shkresat zyrtare.

Si e ka pritur idenë e lëvizjes trupa e TKOB?

Eksperiencat e reja janë sa interesante aq edhe të papritura. Kam përshtypjen se e gjitha kjo do të jetë eksperiencë pozitive dhe njerëzit do të tunden, do të lëvizin, në kuptimin që do të ndërrojnë ambient, do të adaptohen me kushte të tjera, të jenë portabël. Natyrisht, e gjitha kjo duhet menaxhuar mirë, sidomos nga administrata.

Ardhja e Astrit Zejnatit si drejtor artistik i baletit a jua ka lehtësuar punën? Si ratë sërish në kontakte dhe si e bindët ta sillni këtu?

Po ju them se Ilir Kerni dhe Astrit Zejnati janë të vetmit produkte njëqind për qind shqiptarë që kanë rezistuar jashtë. Të tjerët kanë bërë shkollime të tjera jashtë, ndërsa produkt i mirëfilltë “Made in Albania” jemi ne. Zejnati ka rezistuar 20 vjet në Amerikë. Dy herë në vit ka bërë audicione për të mbajtur pozicionin. Sfondi i tij artistik dhe disiplinor është i tillë që sikur pesëdhjetë për qind e asaj të implementohet jemi në parametra fantastikë. Është person me integritet dhe vjen si kontribut për teatrin.

Gjatë konferencës ju folët edhe për të tjera risi. A mund të na zbuloni ndonjë prej tyre?

Viti tjetër do të ketë surpriza plot. Nuk ka si të mbarojnë këtu. E rëndësishme është të ndizen motorët, sepse është e pamundur që sado e madhe të jetë anija apo avioni, do të ecë përpara. Tani do të kemi rikonstruksionin. Kjo makineri është vënë në lëvizje, por do të kemi interesim edhe më të madh nga ato yje që kanë ardhur këta tetëmbëdhjetë muaj. Do të kemi një teatër fantastik e do të kërkojnë të vijnë. Do të ishte fantastike sikur të hapnim audicione të punësohen sikur një për qind e artistëve të huaj… unë fantazoj pak. Emrat e mëdhenj kanë nostalgji të vijnë në teatër në kushtet siç është, po kur të bëhet?!

A keni dhënë ju ide për fytyrën e re që do marrë TKOB pas rikonstruksionit?

Kemi bërë biseda siç e dua unë sallën e teatrit, por të bëjmë të gjithë maksimumin brenda mundësve… lozhat dhe ballkonet do të jenë rrethore, do të rritet kapaciteti i teatrit dhe do të ndryshojë si pamje. Do të shkulet me themel, skena do të jetë krejtësisht me teknologji moderne. i vetmi problem që shoh është se pas rikonstruksionit do të duhet staf i ri; ekspertë të skenës, ndriçimit, e gjithçkaje që t’i përgjigjen teknologjisë së re, fillimisht mendoj të kemi asistencë nga jashtë derisa të edukohet një staf për ta menaxhuar.

Një nga debatet e vitit të kaluar kanë qenë kontratat e stafit të TKOB. A do të rishihen në bazë të performancës, siç keni thënë ?

Po ju them vetëm diçka: Kam dëgjuar këtë periudhë se dikush po kërkon një vend pune në TKOB. Ky koncept fshihet, është tepër i vjetër, jashtë kohe, në Teatër kërkohet një kontratë. Nuk kërkohet vend pune. Por do mësohen njerëzit me këtë proces, që të kërkojnë kontratë dhe jo vend pune. Nëse flasim në parim, bëhet fjalë për nocionin kontratë. Atëherë, për çfarë flasim?

Të gjithë në TKOB janë me kontrata. Jemi me kontratë, jo me vend pune. Me vend pune, me afat kontraktual. Sa të kuptojnë që janë me kontratë për një periudhë kohe të caktuar… nëse nuk e kuptojnë, nuk jemi në kohë. Kontrata më e gjatë në jetën time është Drejtor i Përgjithshëm i TKOB për katër vjet. Kontratat e mia kanë qenë gjithnjë 1-vjeçare.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708