Shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave shqipe, ka ndërruar jetë të mërkurën në mbrëmje në moshën 86-vjeçare dhe dje, në mjediset e Teatrit Kombëtar në Kosovë janë bërë homazhet e fundit. Në Shqipëri dje shumë pak zëra kanë pasur reagim për këtë personalitet të kulturës, që jehonën e ka pasur të fortë në qarqet e këtushme letrare dhe intelektuale, por pa mundur të flitet për arritjet e komunikimit kulturor mes dy vendeve
Shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave shqipe, ka ndërruar jetë të mërkurën në mbrëmje në moshën 86-vjeçare dhe dje, në mjediset e Teatrit Kombëtar në Kosovë janë bërë homazhet e fundit. “Bota e letrave shqipe ka humbur penën e mprehtë, kultura njeriun që i dha një tjetër imazh asaj, gazetaria njërin nga personalitetet e shquara të saj”, është shënuar dje nga mediat e Kosovës. Kultura dhe bota politike e Kosovës pothuajse është “paralizuar” nga humbja e Kelmendit, si humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Media e Kosovës e ndan: humbje për kulturën e Kosovës dhe atë shqiptare njëkohësisht, një moment që nuk vlen më hipokrizia se në ç’pikë është komunikimi kulturor e njohja reciproke mes dy vendeve. Ndërsa në Shqipëri dje shumë pak zëra kanë pasur reagim për këtë personalitet, që jehonën e ka pasur të fortë në qarqet e këtushme letrare dhe intelektuale, por pa mundur të marrë vëmendjen totale.
Është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij.
Dje, gjithë politika kosovare ka marrë vëmendjen e mediave për të thënë fjalët e fundit për Kelmendin. Në rrjetet sociale pak nga Shqipëria kanë dhënë ndjeshmërinë e tyre. Ne po sjellim dy prej tyre. Shkrimtaren Natasha Lako, e cila ka lënë shënimin për familjarët: “Migjen, ju lutem merrni si familje edhe ngushëllimet tona familjare për humbjen e Ramizit, i cili për ne ka qenë dhe mbetet një botë e tërë e ngrohtë lirie njerëzore. Kemi humbur një shkrimtar dhe një mik që na ka dhënë shumë dashuri”.
Shkrimtari dhe studiuesi Virion Graçi ndan këtë përshpirtje dhe vlerësim: “Përshpirtje për Ramiz Kelmendin! Për mua, përkthimet e TIJ nga fundi i viteve tetëdhjetë – kryevepra të letërsisë botërore, kanë qenë dalje nga qelia jonë kulturore plot errësirë, merimanga e buburrecë të lumtur. Si njeri e kam takuar në vitin 2006, në Prishtinë, në panair. Shkova drejt tij si i panjohur, i dhashë dorën dhe disa fjalë respekti e mirënjohjeje. U ndava me të si i panjohur, si lexues që ka përpirë mijëra faqe me të cilat ka qenë i shkrirë njeriu i mirë Ramiz Kelemendi”. Ramiz Jakup Kelmendi lindi më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagandonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por meqenëse ishte i mitur (16 vjeç), i mbajtën vetëm 30 ditë burg. Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht. Kur përfundoi shkollën, u pranua gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”. Më 1950 regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia financoi babai i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomohet në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”. Sapo mbaroi studimet rikthehet në gazetën “Rilindja”, atëherë e përditshme, ku për 12 vjet punoi redaktor, reporter i lirë, kolumnist. Kolumnet e Kelmendit, ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete. Në vitin 1967, emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – 80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis etj. Ai ishte një nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për të kërkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës. Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nënshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve. Kur doli në pension, Kelmendi nuk pushoi kurrë së punuari. Më 1996, Kelmendi vendosë të hapë, Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në hapësirat shqiptare “Faik Konica”, i cili funksionoi deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.
Agim Sopi: Kelmendi, tregimtar avangardë
E s’kishte si të mos kujtohej kjo figurë e madhe e kulturës edhe nga drejtuesi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi. Ai foli për angazhimin e Ramiz Kelmendit në lëmin e teatrit, duke thënë se Ramiz Kelmendi ishte shpirt i madh prej poeti, tregimtar avangardë, artist i thellë e i guximshëm, krijues e kritik i lartë e modern i Teatrit të Kosovës, baba i skenës poetike, emër që do të mbetet gjatë në mbamendjen historike të këtij vendi. “Ai shndriti lartë në kohët e errëta të historisë, dhe iku padiktueshëm duke na lënë zbrazëtinë e dhembjen e madhe, neve nxënësve të tij”, tha Sopi.
Migjen Kelmendi: Gjithë jeta e tim eti, dashuria
Në fund të homazheve, në nderimin e fundit të përcjelljes së Ramiz Kelmendit, me një dhimbje jashtëzakonisht të madhe të pranishmëve të cilët ulëset e teatrit nuk qenë të mjaftueshme për ta, iu drejtua biri i Ramizit, Migjen Kelmendi. “Më ra hise mua që t’i them disa fjalë për babën edhe pse kam shumëçka me thënë. Për fat të keq i kam ngjarë, sepse ka qenë shumë i ndjeshëm sikur unë. Ajo që dua të them ndër këto fjalë të mira që u thanë deri më tani, është se unë dua të potencoj një aspekt të tij, që e përkufizon dhe e përmbledh, e që është dashuria”, ishin fjalët e pakta nga lotët e Migjen Kelmendit.