Mitrush Kuteli sapo është botuar në një libër për herë të parë në Francë, në botimet Editions Fauves. Rrëfenja “Fshati im e pi rakinë” i jep botës perëndimore një nga rrëfimtarët më të mirë në Ballkan; Trashgimtarët e Kutelit për herë të parë lëshojnë “të drejtën” e tyre për ta përkthyer në një gjuhë tjetër, duke marrë fund debati pothuaj 20 vjeçar mbi “tradhtinë” e gjuhës kuteliane; Klara Buda e përkthen të parën prozë në sesionin letrar francez, shoqëruar me biografinë letrare të Kutelit
-Trashëgimtarët “dorëzohen”, për herë të parë Kuteli në gjuhë të huaj.
Mund ta konsiderojmë një nga “aventurat” letrare, pothuaj shpresëhumbur, sa herë bëhej fjalë për të përkthyer letërsinë e Kutelit, e sidomos rrëfenjat në gjuhën frënge. Një litar pengesash sa letrare, dhe jashtë saj pasi kjo gjuhë ka qenë një nga portat më të pranueshme dhe gjithmonë hapur për letërsinë shqipe, për shkak të lidhjeve politike prej diktaturës. Kuteli atje mbërriti vonë. Në përpjekje shpesh të përjashtuara nga vullneti i trashgimtarëve të veprës, arsyeja ishte gjithnjë mos “tradhtia” e gjuhës, stilit të shkrimtarit, si një rast unik i panjohur që tani i bashkohet për herë të parë rrëfimeve të gjalla evropiane të Andersenit apo vëllezërve Grim.
Në fillimshkurt, të këtij viti, për herë të parë është paraqitur në Francë një prej tregimeve më të mira të Kutelit, “Fshati im e pi rakinë” me përkthimin në gjuhën frënge nga gazetarja, dhe autorja Klara Buda, me parathënie të firmosur nga Christian Gut, albanolog dhe latinist i njohur, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Kjo është vepra e parë që merr të drejtën nga trashëgimtarët e familjes “Kuteli” për përkthimin në frengjisht të rrëfenjës “Fshati im e pi rakinë”, ku siç na konfirmon një prej tyre, e bija Atalanta, ia kanë besuar përkthyeses për faktin se “përkthyesja Klara Buda kishte kapur dhe vlerësuar saktë disa veçori të stilit të Kutelit dhe të kësaj rrëfenje në veçanti….Mendoj se përkthyesja (ajo shkruan edhe vetë), ka intuitë, është e ndjeshme ndaj detajeve të stilit dhe ka arritur të përcjellë në gjuhën frënge diçka që lidhet me frymën, me shpirtin e origjinalit.”
Me Kutelin përkthyesja ka hyrë në një sprovë përkthimi jo të zakontë, ashtu siç është konsideruar së paku deri tani, përderisa është nga autorët që njeh izolim në një anë, por dhe një rast unik si shkrimtar që do tërhiqte botuesit jashtë kufinjve si me veprën ashtu edhe me biografinë e tij. Gjithë përpjekjet për ta përkthyer Kutelin në frengjisht kanë dështuar. Ndonëse, në media nuk ka munguar kjo vëmendje, në paradoks kur një rast shkrimtari Ismail Kadare është afruar përkthimit, por pa mundur të ketë besimin e trashgimtarëve të Kutelit. Duket ky një përplasje e gjatë, e heshtur së paku në kushtet për ta marrë përsipër përkthimin.
Përmendet një përkthim i hershëm, i “Vjeshta e Xheladin Beut”, nga një emër pseudonim, Luan Gjergji për të cilin Kadare është shprehur se ishte një përkthim i mirë, ndërsa ka zëra se ky rast i “mbylli derën” Kutelit, duke u quajtur përkthimi i dobët. Në një intervistë të saj, ku prezanton përkthimin Klara Buda shprehet për këtë rast: “Ekzistonte një përkthim shumë i dobët në frëngjisht i novelës Vjeshta e Xheladin Beut, nga Luan Gjergji, një pseudonim, dhe që i kishte mbyllur “derën” e përkthimit të veprës së Kutelit në Francë. Duke pasur parasysh këtë përkthim Ecole Pratique Des Hautes Etudes, e hodhi poshtë, si jo interesant studimin e veprës së Kutelit. Por unë nuk u tërhoqa, këmbëngula se përkthimi ishte shumë i dobët dhe e cënonte vlerën e veprës, kështu që propozova të përkthej një novelë tjetër të Kutelit. Ata pranuan dhe përmes stilit të kësaj rrëfenje e binda komisionin, që të pranonte studimin e Kutelit në një Universitet francez. Kjo rrëfenjë madje edhe është dramatizuar dhe është vënë në skenë në Normandi të Francës, një zonë ku prodhohen pijet calvados, që është një lloj rakie molle. Tema e studimit është: “Biografia Letrare e Mitrush Kutelit dhe përkthimi i rrëfenjës “Fshati im e pi Rakinë””.
“Fshati im e pi rakinë” duke u përcaktuar si një prej perlave të letërsisë shqipe, e njeh lexuesin francez me një akt të kohës së letërsisë së vërtetë dhe lirisë së shprehjes – siç vlerëson përkthyesja, e cila më herët e ka përfshirë këtë tregim, bashkë me biografinë letrare të Kutelit, si pjesë e punimit universitar, i mbrojtur frëngjisht në Ecole Pratique Des Hautes Etudes, Paris.
Fshati im që pi raki është një histori dashurie që manifeston fuqinë e emocionit ndërsa fton lexuesit për të ndarë një vizion poetik të thellë mbi Shqipërinë.
Sipas tij, gjerat janë mbresëlënëse kur të gjithë mbarsen me imagjinatë, ata zbulojnë veten në botë, si drita e parë e agimit dhe zgjimit të shpirtrave pas një nate të gjatë të ankthshme.
Pamja poetike, dhe reminishenca kozmogonike e një populli të ankoruar në traditat e tij…
Ne jemi lejuar të shkojnë në fshatrat e Shqipërisë për të ndarë të paktën një pjesë të shpirtit popullor. Kuteli na tregon për një fshat me vreshta, ku të dehurit, shija dhe rakia dominojnë gjithçka. Nëse kjo është qasja e mbrëmjes me ngjyra të arta të një dielli me ngjyra të ndezura mbi vreshta dhe pemë, çdo gjë është autentike dhe asgjë nuk është diku tjetër. Ekzaltimi është në kulmin e tij, me karaktetrin e njeriut të vjetër, që në ekstazën e tij dhe transmetimin mitik të ndikuar nga rakia, vazhdimisht shtyn ekuilibrat dhe tabutë. Përpjekjet e Kutelit për të kuptuar efektet e alkoolit si një subtancë marramendëse, një zëvendësim në kërkimin e shpirtit absolut në të cilën imagjinata e lejon të shpikë paraqitjet dhe realitetet paralele…
Ndërsa shtjellimi i biografisë së shkrimtarit vjen racional duke tërhequr vëmendjen heshtja e gjatë e tij në dikaturë, si dhe një realitet letrar që ndjek të njëjtën linjë rrëfimi deri në një lloj shpallje si rrëfimtari më i mirë në Ballkan. Pjesa prezantuese me shkrimtarin shkon bashkë me përkthimin ku shënohet: Mitrush Kuteli (1907-1967) është shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe. Pjesë e elitës shkencore dhe letrare, ai u dënua, u persekutua dhe u la në heshtje nga regjimi totalitar shqiptar. Pas daljes nga burgu e deri në vdekjen e tij të hershme në vitin 1967, ai u detyrua të punojë si përkthyes duke iu nënshtrua normës së shtëpisë botuese Naim Frashëri (që shkonte nga 4 – 8 faqe A4 përkthim në ditë). Botimi i veprave personale nuk ishte ndaluar zyrtarisht, por kjo u bë realitet pak nga pak. Kështu pjesa kryesore e veprave që na ka lënë ky autor është shkruar dhe botuar para periudhës totalitare, të «realizmit» të indoktrinuar që u quajt realizëm socialist. Kjo vepër, një gjerdan ku ka të paktën mes të tjerash disa perla, tridhjetë në total, ku mund të permendim Vjeshtën e Xheladin Beut, E madhe është gjema e mëkatit, Fshati im e pi rakinë, Xinxifillua, Rina Katarinella, etj. Stili dhe metoda e tij e veçantë përben një risi në prozën narrative dhe shënon lindjen e prozës moderne shqipe. Sot Kuteli konsiderohet si një nga mjeshtrit e fjalës shqipe, kontributi i të cilit është i pamohueshëm dhe i padiskutueshëm.
Mitrush Kuteli është shkrimtar përfaqësues i kohës së tij, i prirjeve të pandryshueshme të letërsisë moderne shqipe dhe sidomos, poet i vargut dhe prozës, i ushqyer me letërsinë popullore. Në rrëfenjën “Fshati im e pi rakinë” që botohet në sesionin letrar francez, gjejmë anën tipike të Kutelit, të stilit të tij oral (ligjërues) dhe elementë të veçantë të një letërsie të ushqyer nga tradita popullore, të lloji të Baladës sipas konceptit të ethnografëve gjermanë…”. V.Murati
Atalanta Pasko: Nuk e kemi bllokuar Kutelin, s’donim tjetërsimin e tij
Për “Mapo”-n, flet Atalanta Pasko, në emër të familjes si trashëgimtarë të veprës së Kutelit, të cilët për herë të parë “dorëzohen” për Kutelin në gjuhë të huaj
Ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së medias, gati një gjest idilik pse Kuteli nuk është përkthyer në frengjisht, a lidhet kjo me mosbesimin tuaj për t’iu përgjigjur pozitivisht dhe shkrimtarëve me emër? Pse ka ndodhur kjo, ç’është kjo histori kaq e gjatë?
Pse Kuteli nuk është përkthyer frëngjisht, vërtet edhe unë do të desha ta di këtë. Pyetja që më vjen shpesh vetiu, është pak më konkrete: si ka mundësi që Jusuf Vrioni, përkthyes i disa shkrimtarëve shqiptarë, s’ka përkthyer asgjë nga Kuteli. Sa i takon përgjigjes pozitive ose jo, kjo s’ka të bëjë me shkrimtarët me emër, por me emrin e përkthyesit…
Përkthimi i rrëfenjës, “Fshati im e pi rakinë” nëse jemi të saktë, a është i pari libër më vete në gjuhën frënge? Sa të rëndësishëm e konsideroni këtë?
Po, është i pari libër më vete i Kutelit frëngjisht – një ngjarje e bukur, sigurisht.
E keni lexuar veprën në frengjisht, je e bindur se nuk ka “tradhti” të gjuhës së Kutelit?
Kam lexuar pak faqe, në atë kohë të shkurtër që pata në dispozicion për t’i hedhur një sy dhe pata ndjesinë se përkthyesja Klara Buda kishte kapur dhe vlerësuar saktë disa veçori të stilit të Kutelit dhe të kësaj rrëfenje në veçanti. Unë lexoj dhe e shijoj frëngjishten, por nuk e njoh aq sa të jap konsiderata të prera për gjëra që lidhen me saktësinë. Sa i takon këtij rasti mendoj se përkthyesja (ajo shkruan edhe vetë), ka intuitë, është e ndjeshme ndaj detajeve të stilit dhe ka arritur të përcjellë në gjuhën frënge diçka që lidhet me frymën, me shpirtin e origjinalit. Kjo me sa duket është e prekshme, të njëjtën përshtypje pati edhe vëllai.
Si është historia e shkrimit të kësaj rrëfenje, ç’ jetë botimi ka patur?
Kuteli e botoi “Fshati im e pi rakinë” së pari më 1943, në përmbledhjen “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”. E botoi edhe si libërth më vete më 1944.
A menduat ta “dorëzoni” tani veprën e Kutelit në duart e përkthyesve, pas kësaj përvojë për t’u njohur jashtë kufijve?
Fjala “dorëzoni”, edhe me thonjëza, më duket disi e papërshtatshme. E drejta që kemi ne si familje, të themi “po” ose “jo” lidhet edhe me detyrën për t’i dhënë lexuesit të huaj Kutelin sa më afër origjinalit dhe sidomos, të patjetërsuar. A s’ju shkon mendja se po të kishim vepruar ndryshe ndokush mund të na kishte kritikuar rëndë (dhe me të drejtë!) si të përciptë dhe të papërgjegjshëm? Sikur të kishim qenë edhe ne shkrimtarë, me siguri do të thoshin se s’duam të na errësohet lavdia jonë, prandaj bllokojmë botimin e babait – Kutelit në gjuhë të huaj. Gjithsesi, kjo do të ishte qesharake dhe e pamundur të ndodhte, sepse në çdo veprim ka një logjikë, apo një interes. Në këtë rast mungojnë të dyja.
Cilën vepër do ta kishit si më përfaqësuese për Kutelin? Po, ashtu biografia e këtij shkrimtari është një rast i rrallë, pothuaj unik ndër shkrimtarët shqiptarë për t’ia paraqitur botuesve të perëndimit. A do ta gjenit edhe një mundësi të tillë, për të bashkëshoqëruar përkthimin e veprës?
Lidhur me veprën që do ta cilësonim si përfaqësuese, krijimtaria e Kutelit është kaq e gjerë sa kushdo mund të gjejë atë që i rri më afër shpirtit të vet. Gjithsesi kjo është çështje e specialistëve dhe jo e familjes. Po ashtu edhe pajisja e botimit me biografi, ose jo, këtë zgjedhje e bën botuesi dhe jo familja. Për jetën e Kutelit ne kemi shkruar diçka tek vëllimi “Prozë dhe vargje të zgjedhura 1” dhe tek “Poem Kosovar dhe Poemi i Shëndaumit”.
Intervistoi: V.Murati
Gjendja e hiperbolizuar e Fshatit…
“Raki nër gaze, raki nër helme e gjithë raki midis helmesh e gazesh”.
“Një raki e fortë e me damf sa i vdekur të jesh, ngrihesh nga varri”.
“Kazan e shtëpi- shtëpi e kazan”.
“Të jesh aty në fshat dem-baba-dem, nga gjyshi e stërgjyshi e më tutje”.
“Se nxjerrin raki për syleshë, për truleshë e për lale lakuce”.
“Një shlivë triherë-zjerë, bojë portokalle, erë borziloku, që sa e pi të duket vetja kral e sikur fluturon përmbi Drin e gjer mbi Mal të Thatë”.
“I vogli e pi kupën barabar me të madhin; as dridhet, as shembet, as shëmtohet”.
“Se kështu e paska kjo e shkretë botë, helmi sjell gaz e gazi tjetër gaz, gjer ta ngrysim e ne”.
“Në të qahet a këndohet (njerëz jemi, ne të mjerët…) pi raki, pi raki, pi raki”.
“Po ka ca kohë që po na dehen edhe shpesëria”.
“Se kjo e uruara raki s’qenke pak e mirë, po beter e më tutje; si për njeri e për gomar”.
“Me dy pagure të mëdha që i mbante në brez si kobure karadaklli”.
“Vinin njerëzia e i vaditnin varrin me raki”, sepse ndarja është vazhdim i jetës.
“Ik rruga përpara tij, unjen e ngrihen shtëpitë, duke i bërë temenara”