Teatri i Operës dhe i Baletit shpall vitin 2017, vit i kompozitorit Prenk Jakova, i cili konsiderohet edhe si themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Mrika”.
Teatri i Operës e Baletit ka shpallur 2017-n, vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkon me 100-vjetorin e lindjes. Prenk Jakova, një nga kompozitorët më brilantë, konsiderohet edhe si themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Mrika”, në ironi e para që e zhyti në një histori dramatike, dhe e dyta që nuk e mbushi me aq lavdi, për shkak të skematizmit të tepruar të shfaqjes, por për kohën bëri histori. Me libret të Llazar Siliqit, “Mrika” është opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën ai e vuri në skenën e teatrit Migjeni në Shkodër, për të cilën vetë kompozitori, ndan në kujtimet e tij në kohën kur ai punonte për këtë vepër: “Besimi i madh që kishin shokët dhe aftësitë e mia dhe dëshira për të pasurue repertorin e muzikës shqiptare me vepra të gjinive të nalta muzikore, më shtyu që në korrikun 1956 t’i hyj punës për kompozimin e operës ‘Mrika’. Për të shkrue këtë vepër isha pasunue me folklorin e pasun të muzikës sonë popullore dhe në këtë mënyrë u përpoqa t’ua jap gjithë personazheve dhe të gjithë momenteve lirikë dhe dramatikë, pse vetëm në këtë mënyrë do t’i shërbeja artit tonë popullor”.
Përfaqësuesit zyrtarë pak ose aspak kanë marrë në konsideratë ndarjen tragjike nga jeta të Jakovës, mbi një të vërtetë që mbërriti mjaft vonë. Ish-drejtori i Operës, Zhani Ciko, ka qenë ndër të parët që institucionalisht ka hapur arkivin dhe ka dhënë versionin e plotë e ngjarjes tragjike me jetën e Jakovës. Ekstremiteti i jetës, në një anë duke kompozuar perla simfonike, këngë lirike si “Syrin te qershia” dhe “Margjelo”, muzikë filmash, kantata deri në vepra të plota operistike nuk përkojnë me brendinë, anën shpirtërore çka i shkaktoi regjimi. Kështu ndodhi me operën e dytë të Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shfaqur në Tiranë, u prit shumë mirë që në premierën e saj, por kritika zyrtare mediokre e detyroi kompozitorin të ripunojë disa pjesë. Pikërisht kjo situatë dhe peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.