“Europa nuk mund të bëjë pa vendet e Ballkanit Perëndimor dhe as pa Shqipërinë që është pjesë e pandashme e këtij rajoni”. Ka qenë ky deklarimi i bërë sot nga ish-Presidenti i KE-së dhe ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi.
I ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së 28-të Ndërkombëtare të Paqes organizuar nga komuniteti “Sant’Egidio”, politikani Romano Prodi, nuk nguroi të fliste me superlative për “Vendin e shqiponjave”, siç e quajti ai Shqipërinë.
“Shqipëria është një mrekulli e vërtetë, po të kemi parasysh se sa vend i izoluar ka qenë. Ajo jeton sot brenda mundësive që ky vend ka por përpiqet maksimalisht për t’u zhvilluar dhe për të qenë një vend si ato të tjerat e Europës”,- ka thënë më tej Prodi.