Në takimin e pestë të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, që mbahet të premten e fundit të çdo muaji, përfaqësimi kësaj herë merret nga Mikaela Minga, etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, e cila i kushtohet rrëfenjave muzikore urbane: etnomuzikologjia dhe qyteti, në një abstrakt ku shqyrton kërkimet tingujt dhe refleksione nga bota muzikore urbane duke nisur nga vitet ’70-të se si pati ndikim të ndërsjellët mes kulturave urbane dhe zhvillimeve muzikore
Intervistoi: Violeta Murati
Kur blues- i Amerikës së viteve ’20, fado-ja e Lisbonës, apo kënga napoletane u kthyen në fenomen urbane në Shqipëri, pikë referimi si shprehje përfaqësuese, etnomuzikologia Mikaela Minga merr këngën korçare. Kjo, jo vetëm se ka të bëjë me studimin e saj, tashmë të njohur, por Minga jep në një dimension më ndikues, siç e quan rrëfenjat muzikore urbane; etnomuzikologjinë dhe qytetin, në kërkim të këtyre hapësirave.
“E kam titulluar kështu për të treguar nga një anë marrëdhënien që ekziston mes kulturës urbane dhe muzikës dhe nga ana tjetër, aspekte të punës sime kërkimore. Prej disa vitesh jam fokusuar në studimin e fenomeneve urbane në Shqipëri, me prioritet këngën korçare dhe jo vetëm. Kësaj here mendova që të diskutoj më gjerësisht rreth muzikës urbane…”, thotë Minga, diskursi që lidhet me takimin e pestë të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, që mbahet të premten e fundit të çdo muaji, përfaqësimi kësaj herë merret nga Minga, etnomuzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve.
“Duke filluar nga vitet ’70, kërkimet në etnomuzikologji kanë treguar se ekziston një ndikim i ndërsjellët mes kulturave urbane dhe zhvillimeve muzikore. Nxjerrja në pah e lidhjeve shumëplanëshe mes qytetit dhe muzikës, mes urbanizimit dhe atyre praktikave, institucioneve, gjinive muzikore që gjallojnë brenda hapësirës kulturore qytetëse, ka bërë që etnomuzikologjia urbane të fitojë hapësirën e vet brenda një disipline shkencore që deri atëherë ishte fokusuar në studimin e kulturave muzikore «primitive», rurale, të konsideruara si shoqëri në vetvete. Në Shqipëri, një drejtim i tillë ka filluar të shfaqet këto vitet e fundit, ndërkohë që vetë etnomuzikologjia ka pasur kufizime të shumta, të kushtëzuara nga mënyra sesi ajo u zhvillua në periudhën diktatoriale….”
Duke marrë parasysh një situatë të tillë, thotë Minga, është ngritur diskutimi rreth muzikës urbane në kërkim të pikave referuese, si shprehje më përfaqësuese që shërbejnë sipas etnomuzikologes “për të dëgjuar dhe shqyrtuar aspekte të lidhjes mes muzikës dhe jetës urbane, mes etnomuzikologjisë dhe qytetit, në një gjeografi që shfaqet sa lokale, aq edhe nacionale e kozmopolite”. Minga në përvojën e saj me etno/muzikologjinë është marrë me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik dhe mesdhetar, me muzikën e fundshekullit të XX-të dhe multimedian, duke i parë në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Eshtë autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm. “Më kanë interesuar fenomene të botës ballkanike e mesdhetare. Po kështu, lidhja e muzikës me filmin dhe multimedian është një tjetër kanal studimi. Janë përvoja që duhen dhe të plotësojnë në një mënyrë apo një tjetër”.
Kur flasim për muzikologji, a është si të thuash diçka mes fjalës dhe muzikës, kur ju keni shkruar në një tekst tuajin për penën e Spiro Kalemit se: “Diku kam lexuar se të shkruarit për muzikën, është njëlloj si të vallëzuarit për akitekturën”…?
Po, e kam shkruar, dhe pastaj kam vazhduar, se në pamjen e parë duket një krahasim i gjetur, por kur të takon që një punë të tillë ta bësh si profesion, gjërat nuk rezultojnë krejt ashtu dhe këto gjuhë përndryshe të papajtueshme, gjejnë shumë pika të përbashkëta. Muzikologjia dhe nëndegë të saj, si etnomuzikologjia, historia e filologjia e muzikës, studimet mbi popular music inkuadrohen si disiplina shkencore dhe hulumtojnë aspekte të ndryshme që lidhen me tingullin si një fenomen fizik, psikologjik, estetik dhe kulturor. Ndaj në punën e një muzikologu mund të përfshihen edhe aspekte të tjera që kanë lidhje për shembull me akustikën, sociologjinë, fonologjinë, antropologjinë.
Përveç nivelit sistematik, e të thelluar shkencor, ka edhe një nivel tjetër të lëvrimit të shkrimit mbi muzikën: ai i kritikës dhe i gazetarisë muzikore. Ndonëse nuk ka të njëjtën thellësi, kur bëhet me profesionalizëm, edhe ky ka rëndësinë e vet për mënyrën e artikulimit të problematikave të ndryshme të muzikës, qoftë brenda rrethit të muzikantëve, ashtu edhe si formë komunikimi me publikun.
Po ju? Çfarë keni shkruar?
Unë merrem kryesisht me të parën, por kur gjej mundësinë, nxitem nga ndonjë gjë, inkuadrohem edhe në nivelin e dytë. Mendoj që janë të rëndësishme për të treguar dhe trajtuar situatën e muzikës në Shqipëri, qoftë ajo aktuale, qoftë ajo që i përket të shkuarës. Megjithatë, qysh në kohën kur mbarova studimet e deri tani, jam përpjekur të dal edhe jashtë hapësirës shqiptare. Kam shkruar artikuj të ndryshëm, por edhe disa libra. I pari ka qenë një përmbledhje e sprovave të mia të para në muzikologji, ndërsa libri i dytë i kushtohet Luciano Berios, një figure shumë karizmatike të avangardës së muzikës europiane. Së fundi, kam botuar në italisht dhe me bashkautor Nicola Scaldaferri-in një vëllim dedikuar këngëtares korçare Spanja Pipa.
Më kanë interesuar fenomene të botës ballkanike e mesdhetare. Po kështu, lidhja e muzikës me filmin dhe multimedian është një tjetër kanal studimi. Janë përvoja që duhen dhe të plotësojnë në një mënyrë apo një tjetër.
Në fakt, Mikaela është hera e parë që një studiuese e etnomuzikologjisë, si ju të ketë një aktivitet kaq angazhues, për t’ju vlerësuar në kontributin konkret në botime, studime si dhe mbi reflektimet tuaja në këtë fushë. Së fundi, vini në një situatë publike, në kuadër të seminarit “Përthyerje antropologjike”. Si kjo ide?
Ju falenderoj që më keni ndjekur, por nuk besoj se jam unë e para. Ka pasur edhe përfaqësues të tjerë që janë angazhuar në një mënyrë apo një tjetër në lidhje me shkrimet mbi muzikën. Përmend për shembull Spiro Kalemin, i cili ka qenë jashtëzakonisht aktiv, Fatmir Hysin, Pandi Bellon, etj. Shkrimi i personalizuar për muzikën është lëvruar madje më shumë në periudhën para viteve ’90, sesa tani. Sa i takon seminarit, ky është një aktivitet i nisur nga Departamenti i Etnografisë, i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Te premten e fundit të çdo muaji kemi nga një të ftuar dhe mblidhemi për të diskutuar rreth aspekteve të ndryshme që karakterizojnë punën e tij. Është një nismë shumë e mirë, për të gjetur forma komunikimi, përthyerje, si vetë emri mëton. Kjo bëhet shumë e domosdoshme po të kemi parasysh atë situatë ngërçi institucionale e ligjor që prej disa vitesh ka përfshirë shkencat albanologjike në Shqipëri.
Rrëfenja muzikore urbane – Etnomuzikologjia dhe Qyteti. Mund të na flisni diçka më konkretisht?
E kam titulluar kështu për të treguar nga një anë marrëdhënien që ekziston mes kulturës urbane dhe muzikës dhe nga ana tjetër, aspekte të punës sime kërkimore. Prej disa vitesh jam fokusuar në studimin e fenomeneve urbane në Shqipëri, me prioritet këngën korçare dhe jo vetëm. Kësaj here mendova që të diskutoj më gjerësisht rreth muzikës urbane, duke marrë si pikë referimi veç këngës korçare, edhe disa shprehje mjaft përfaqësuese si, fjala vjen, blues– i Amerikës së viteve ’20, fado-ja e Lisbonës dhe kënga napoletane.
Nisur nga vitet ’70-të ju flisni mbi kërkimet në etnomuzikologji, se si ekzistojnë ndikimet e ndërsjellta mes kulturave urbane dhe zhvillimeve muzikore. Mund të flasim për rezultate, çfarë hapësirash ka fituar entomuzikologjia?
Më duhet të sqaroj se kjo ka ndodhur në nivelin ndërkombëtar. Etnomuzikologjia ka fituar një hapësirë më të madhe në drejtim të terrenit të kërkimeve, por edhe të metodologjisë. Kjo sepse deri atëherë etnomuzikologët ishin marrë kryesisht me studime të veçuara, në vende të largëta që nuk ishin të tyret, dhe në shoqëri tradicionale. Qyteti deri atëherë nuk konsiderohej si një terren studimi. Në momentin kur kjo ndodhi, vërejmë një lloj ridimensionimi të shumë prej atyre paradigmave që kishin mbizotëruar deri atëherë. Studimi i fenomeneve muzikore urbane, aq më tepër në qytete dhe metropole të mëdha, me një përbërje etnike të përzier, ky lloj studimi nxori në pah rolin e diversitetit muzikor.
Duke iu referuar rrëfenjave muzikore urbane, pse mendoni se është i domosdoshëm studimi i kësaj hapësire, ku hyn pasuria jonë?
Është i domosdoshëm sepse në shumë qytete, si rrjedhojë e rrethanave të caktuara urbane lindën gjini muzikore të veçanta që luajtën një rol të madh duke mos mbetur vetëm brenda mureve të një qyteti të vetëm, por edhe jashtë tij. Ndër këto gjini mund të përmend: rembetikon, në Greqi, fadon në Portugali, tangon në Argjentinë dhe Uruguai, flamenco-n në Spanjë. Sot falë edhe globalizimit muzikor këto muzika na janë bërë shumë të njohura, por ama ato kanë lindur pikërisht në kontekste të caktuara urbane. Në Shqipëri, rrethanat historike të fund shekullit XIX dhe fillim shekullit XX, ushqyen krijimin e këngës urbane në Shkodër dhe Korçë, dy qendra me një identitet kulturor shumë specifik. Këto janë parë shumë në dritën e nacionalizmit dhe jo si realitetet në vetvete. Në rastin e Korçës unë kam vërejtur sesi vetë ideja kombëtar u mbrujt brenda kulturës urbane, ndërkohë kjo e fundit kishte shumë elementë të tjerë brenda vetes, ndikime nga kultura të ndryshme që herë përplaseshin, e herë gjenin gjuhën e përbashkët e shtresëzonin gjini të tilla si muzika me saze, apo kënga korçare.
Box gri
Takimet “Përthyerje antropologjike”
Prej vitit 2016 është mbajtur seminari përmanent “Përthyerje antropologjike”, e cila pas një shkëputjeje disamujore rimerr ritmin e tij, të premten e fundit të çdo muaji.
“Përthyerje Antropologjike” është konceptuar si një seminar përmanent i Departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare. Si pjesë themelore e seminarit organizatorët kanë përfshirë një seri takimesh në të cilat prezantohen monografi, studime si dhe filma antropologjikë. Zhanret e shqyrtimit apo dokumentimit të jetës së përditshme janë objekt i prezantimit dhe debatit të hapur. Takimet si njësi përbërëse të seminarit zhvillohen në formate të ndryshme duke marrë trajtën e prezantimit të librave nga autorë apo kritikë, e leksioneve të hapura, e prezantimeve të filmit antropologjik si dhe të tezave doktorale të botuara e të pabotuara ende. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është krijimi i një mjedisi ku të mundësohen përthyerje pikëpamjesh antropologjike mbi kulturën dhe shoqërinë. Takimi i parë ka nisur me shfaqjen e filmit të parë antropologjik “Shqiptarët e Rrogamit”, realizuar nga antropologia norvegjeze Berit Backer në bashkëpunim me regjisorin David Wason, në1991, ku në këtë rast është marrë në diskutim konteksti i realizmit të dokumentarit, mbi antropologjinë vizuale dhe filmin si metodë terreni.
Vlen të përmendet se në takimin e tij të dytë, është diskutuar mbi librin “Nën Shenjën e Modernitetit: Antropologji e proceseve proletarizuese gjatë socializmit shtetëror”, (Pika pa siperfaqe, 2015), me autor Olsi Lelajn. Në këtë monografi shqyrtohen proceset klasëformuese në Shqipëri gjatë komunizmit. Duke rrokur një qasje diakronike në leximin e proceseve proletarizuese të fshatarësisë dhe krijimit të klasës punëtore, ky studim, me prerje antropologjike, analizon se cilat janë forcat shtytëse sociale që luajnë rol transformues për grupet shoqërore dhe individin në modernitet kur mungojnë forcat e tregut në shoqëri. Autori e ka parë proletarizimin e fshatarësisë gjatë komunizmit në Shqipëri si produkt i mënyrës shtetërore të prodhimit. Nëpërmjet të dhënave empirike dhe interpretimeve të tyre, ky studim, duke e marrë Shqipërinë gjatë periudhës së komunizmit si rast paradigmatik, përpiqet të kuptojë natyrën dhe pasojat e modernitetit të planifikuar nga shteti mbi shoqërinë.
Pasuar dhe nga takime të tjera, seminari u ndërprere për pak kohë duke realizuar takimin e pestë me Mikaela Mingën, etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Mikaela Minga merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik dhe mesdhetar, me muzikën e fundshekullit të XX-të dhe multimedian, duke i parë në rrafsh artistik dhe social-kulturor.