Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Different trains ose muzika jote

$
0
0

Dy herë në vit artistë të shkëlqyer, të pasionuar, të famshëm, mjaft prej të cilëve japin edhe master class për studentët e të interesuarit, interpretojnë muzikë klasike të zgjedhur me shije e elegancë. Secili i ndryshëm, secili i veçantë, secili një përjetim artistik për të mos u humbur. Different trains… Trena të ndryshëm që bëjnë bashkë në të njëjtin stacion instrumentistët, kompozitorët, muzat dhe publikun

Si është të jesh në një stacion të madh, ku trenat shkojnë e vijnë dhe ti nuk ndien asnjë zhurmë? Sytë e tu ndjekin imazhet që i lënë vendin njëri-tjetrit, teksa shndërrohen e zëvendësohen, sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm, dhe gjithçka mbetet prej tyre është një përhitje, një vazhdë magjike e painterpretueshme…

Different trains

U bënë vite tashmë që organizohet një festival për muzikën klasike, “Different trains”. Aty vijnë instrumentistë të mrekullueshëm nga vendi dhe bota, instrumentistë që është fat t’i dëgjosh të interpretojnë për ty, ndërsa midis teje dhe asaj muzike të bekuar nga hyjnitë gjendet vetëm ajri. Dy herë në vit artistë të shkëlqyer, të pasionuar, të famshëm, mjaft prej të cilëve japin edhe master class për studentët e të interesuarit, interpretojnë muzikë klasike të zgjedhur me shije e elegancë. Secili i ndryshëm, secili i veçantë, secili një përjetim artistik për të mos u humbur. Different trains… Trena të ndryshëm që bëjnë bashkë në të njëjtin stacion instrumentistët, kompozitorët, muzat dhe publikun. Bëhesh dhe ti pjesë e këtij udhëtimi? Je dhe ti një idealist që nuk dorëzohet, si Vlorenti, organizatori i festivalit, që përveçse një artist shumë i talentuar e i përkushtuar, ndërmjetëson për të sjellë vlera që pasurojnë përvojën tonë muzikore. Je edhe ti një udhëtar në një botë magjike me tinguj.

Publiku që jemi

Si do të ishte nëse pas një koncerti, një promovimi libri, një ekspozite, një premiere a shfaqjes së një drame, të intervistohej publiku? Si do të ishte nëse dritat e shkrimeve e të reportazheve të binin mbi secilin prej atyre që gjejnë kohë e ia kushtojnë artit? Si do të na i jepnin historitë e përjetimet e tyre të përthyera nën ndikimin e artit? Si të porsapagëzuar, me siguri. Unë jam publiku. Jam një copëz e mozaikut të tij. Jam ena pritëse për artin që fryma e hyjnishme e muzës hedh mbi ne. Unë jam publiku. Mbi mua hidhen tingujt, fjalët, ngjyrat, imazhet, shpirtëzimi i ri i energjisë njerëzore që nuk e mban dot mbështjella e forma që e quajmë trup. Mbi mua, mbi ty, mbi të gjithë ne. Publiku është pjesa e së plotës në një proces artistik, është pikëmbërritja, sepse krijimi lind për të shkuar tek ai. Ne jemi publiku. Nëse mëdyshesh: “Ç’gjë të veçantë të bëj sot?”, ti bën një zgjedhje brenda mundësive të tua që zakonisht përgjigjen mund ta ketë: “Nuk bëj dot asgjë, sepse kam shumë punë…” ose “Mirë po dal me miqtë e mi, se ka ca ditë që nuk i kam takuar” dhe thjesht përfshihesh në të njëjtin rreth të përditshmërisë. Nëse kërkon: “Ç’të veçantë mund të bëjë arti për mua sot?”, ti kërkon të mëkohesh. Ti së pari, shkon tek arti. Shkon të edukohesh me të, të lartësohesh, të depërtojë brenda teje dhe të të pastrojë shpirtin.

Muzika jote

Nëse je një publik i kultivuar me muzikën klasike ose i lidhur profesionalisht me të, ky festival është një fat, një përvojë e re, jo vetëm prej instrumentistëve virtuozë e në zë që ndërmenda, por edhe prej zgjedhjeve muzikore që sjell, mjaft prej të cilave vijnë si risi, sepse nuk janë luajtur më parë në Shqipëri. Nëse je një publik i kultivuar me dashurinë për muzikën, sepse ta mbush shpirtin e të frymëzon, mos prit dy herë, kontakti yt i drejtpërdrejtë me muzikën do të të bëjë të kuptosh pse e do aq shumë atë, do të hapë një dritare më shumë për horizontin tënd muzikor, do të të mëkojë me tinguj. Tingujt të kuptojnë, të lënë të njësohesh me ta, ata e gjejnë muzikën brenda teje e ta bëjnë më të pranishme që ti të mund të ndriçohesh, të përtërihesh. Ashtu si trupi do ajër, ujë, ushqim, ashtu edhe shpirti do dashuri, dritë e hijeshi. Arti është ambrozia që shqisat e krijuesve e mbledhin dhe e shërbejnë për ty. Ushqeje shpirtin me të. Arti prandaj lind, që të jetojë në ty.

Erina Çoku


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708