Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Claudio Magris në Tiranë: Ish-vendet komuniste me demokraci të brishta, ende mure për të rrëzuar

$
0
0

Shkrimtari italian Claudio Magris “krijon” bibliotekën e tij në shqip me tre libra, të fundit “Danub”, një roman sprovë; udhëtim për të rievokuar kujtesën dhe kulturën në një nga momentet më të zymta të Evropës Qendrore, kur po shfaqeshin bulëzat e rënies së komunizmit dhe kur muri i Berlinit ende ekzistonte. Ky libër, shkruar para 30 vitesh, vjen në shqip i përkthyer nga Alma Hafizi

“Letërsia riparon mangësitë, falë strehimit në letër të asaj çka i vjedh jetës, paçka se e varfëron, e zbraz më shumë”. Një shkrimtar, thotë Zhan Poli, ruan të gjithë informacionin e fituar dhe idetë e tij vetëm në atë çka ka shkruar, e nëse dikush ia djeg shkrimet ai mbetet bosh dhe nuk di më asgjë; kur endet nëpër rrugë pa blloqet e tij të shënimit ndihet tërësisht injorant, budalla, “siluetë e zbehtë dhe kopje e unit të tij, përfaqësuesi i tij dhe kuruesi i humbur”. Duke folur mbi këtë përvojë, Claudio Magris ka parasysh librin e tij “Danub”, të shkruar 30 vite më parë, dhe dje është prezantuar në shqip, nga botimet Albas, përkthyer nga Alma Hafizi.

Ky është takimi i tretë në shqip me veprën e shkrimtarit italian vlerësuar me “Kafka” dhe “Principe delle Asturie”, ku vepra e tij “Danub”- as roman, as roman kritik, por një vepër mirëfilli letrare është konsideruar pothuaj një kryevepër.

Shkrimtari Magris foli për zanafillën e këtij libri. “Danub” mori jetë nga përvoja e një udhëtimi të shkrimtarit me bashkëshorten drejt Sllovakisë, deri në kufirin me Europën e Lindjes, shumë më parë se të binte Muri i Berlinit. Por nuk ka mjaftuar një udhëtim që shkrimtari të përfundojë librin, ai ka bërë plot katër udhëtime.

Letrarja është udhëtimi: real dhe imagjinar, njëherësh, aventurë e brendshme. Me këto cilësime vetë Magris shpjegoi në Tiranë se sa e domosdoshme është në këtë rast edhe kujtesa, pasi “Danub” është një libër i ngjizur nga një udhëtim i vitit 1983, kur në disa vende të Europës Qendrore që quheshin vende të dorës së dytë të Europës, shkrimtari dallonte bulëzat e rënies së komunizmit, dhe ekzistonte muri i Berlinit, të asaj epoke që konsiderohej Lufta e Ftohtë.

“Danubi është rruga e pështjelluar në kërkim të jetës dhe historisë që nga atlaset e Europës së vjetër dhe deri në ditët tona… Jam përpjekur të sjell diversitetin mes Lindjes e Perëndimit përgjatë Danubit, që nga bulëzat e rënies së mureve të komunizmit që pak dalloheshin në atë kohë, por duke aktualizuar situatën them se, këto vende kanë ende mure të tjera për të rrëzuar për shkak të demokracive të brishta që i karakterizon”, ja një reflektim i pastër që zbulon Magris jo pa qëllim edhe për shqiptarët, në këto ditët kur politika po radikalizon aktet e saj, dhe qeveria konsiderohet në dilemat e një sistemi të kapur…

Claudio Magris tha më tej se udhëtimi në qytetërimin europian nuk zgjon vetëm një interes letrar, por edhe shkencat ku dëshmohet ekzistenca parahistorike e një qytetërimi europian që identifikohej nga besimi, arti, arkitektura, urbanistika, bujqësia, kultura e të shkruarit.

Danub i shtrirë nga Ukraina në Itali, nga Gjermania Lindore në Greqi, qendra e parë ku përftohet identiteti i përbashkët europian.

“Ky nuk është një libër mbi lumin Danub, mbi gjeografinë e tij, mbi historinë, por një libër për të treguar se si duhet të shkrihen kufijtë e ngurtë të politikës, por edhe të kulturës. Është një udhëtim sentimental drejt Europës, të cilën unë nuk dua ta quaj Europa tjetër, një udhëtim, ku më dukej se po ndiqja gjurmët e Shlimanit, që gjeti Trojën e më pas zbuloi shtresë pas shtrese një tërësi të shumë fragmenteve të vogla të historisë. Në këtë udhëtim kam zbuluar legjendat, dashuritë, luftërat, duke ndërtuar identitetin e një personazhi shkrimtar që është në luftë me harresën”, -tha shkrimtari.

Ndërsa mbi këtë udhëtim të Magris, përkthyesja Alma Hafizi bashkë me përvojën sjell dhe një arsye reflektimi estetik se: “Udhëtimi danubian përfundon në Det të gjerë, një metaforë e çlirimit nga ankthi, frika, pasiguria, rendje drejt lirisë. Me të kapërcyer kufijtë e çdo lloji, shkrimtari i personifikuar me udhëtarin danubian pasuron identitetin e tij me eksperienca të reja, plotëson kujtesën historike dhe kulturore, e sfidon më me forcë armikun kryesor të tij, harresën”. Kapitujt e romanit të Magris dëshmojnë praninë e Europës Qendrore gjermane, magjare, sllave, hebraike, ku rreth Danubit është një botë e pavarur përtej kombeve.

“Ky qytetërim e ka magjepsur Magrisin jo vetëm për shkak të letërsisë, por si shëmbëlltyrë, si metaforë të asaj që bota perëndimore nuk e ka. Në këtë aspekt Danub është një fiction, sepse çdo gjë është e vërtetë, por vendosja e së tërës në një kontekst letrar vjen falë një mekanizmi imagjinar, personazhi kryesor është figura e dubluar e shkrimtarit”, -tha përkthyesja.

Meditimet e udhëtarit mendjehapur që përshkon me përkushtim e dëshirë rrjedhën e Danubit plak, që nga burimet e deri në Detin e Zi, duke ripërtypur idetë mbi një jetë dhe kulturën bashkëkohore, mbi ngjarjet e rëndësishme dhe vragat e lëna në kohë.

Për Magris kjo aventurë e brendshme e lidhur dhe me referencat e dokumenteve arkivore të shumta e të hollësishme kanë ushqyer trillin letrar të shkrimtarit deri në shmangiet fantastike të një udhëtari kureshtar për vendet, librat dhe njerëzit. Vetë shkrimtari mendon se “duke

krijuar një Dekameron danubian në miniaturë, me histori e ngjarje, fate individuale e kolektive, të mbetura pa zot brigjeve të lumit dhe të kohës. Danub është rruga e pështjelluar në kërkim të kuptimit të jetës dhe të historisë, që nga atlaset e Europës së vjetër e deri në ditët tona”.

Ky itinerar i përzier mes romanit dhe sprovës, ndjek kulturën si përvojë jetësore duke na treguar mozaikun e një qytetërimi të Evropës Qendrore, në një paradoks mjaft të thjeshtë: kulturën. V.M

 

 

Bio

Claudio Magris lindi në Trieste më 1939. Është profesor i letërsisë gjermane në Universitetin e Triestes, bashkëpunëtor i gazetës prestigjioze “Corriere della Sera”. Autor i një sërë veprash letrare, eseistike, publicistike, pjesë teatrale etj., si “Një identitet kufiri” (1982), “Stadelmann” (1988), “Utopia dhe zhgënjimi” (1999), “Udhëtim i pafund” (2005), “Historia nuk ka përfunduar” (2006), “Verbërisht” (2005), “Ekspozita” (2001) , “Pra Ju do të kuptoni” (2006), “Etikë, politikë, laicitet”, “Alfabetet”, “Ese letrare” (2009), “Shënime civile” dhe në vitin 2015 “Letërsia është hakmarrja ime” së bashku me Mario Vargas Llosa. Fitues i një sërë çmimesh prestigjioze në fushën e letrave, Claudio Magrisit në vitin 1986 iu akordua Çmimi “Bagutta” për veprën e tij “Danub”; Çmimin Strega me romanin “Mikrokozme”; Çmimin “Principe delle Asturie” Çmimin “Chiara” etj. Në vitin 2016 u vlerësua me Çmimin Kafka për “merita të larta letrare dhe aftësinë për të përfshirë lexuesin”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708