Duke vlerësuar poezinë dhe poetët shqiptarë, poetja e kompozitorja franceze “thyen” rregullat e frankofonisë në Tiranë, me një mbrëmje “stuhi”, të ndërtuar me lëndë shqiptare në gjuhën frankofone. Zabo Martin flet për poetët Lluljeta Lleshanaku, Parid Teferiçi, Agron Tufa, Edmond Tupja e të tjerë, si nuk ka “vdekur” tek ta humanizmi, me një shfaqje të rrallë, e humbur në jetën e ngarkuar parisiene
Është interesante se si poetja, e muzikantja franceze Zabo Martin i sheh poetët dhe poezinë në Shqipëri, gati në një privilegj që nuk besohet lehtë kur vjen fjala për t’u krahasuar me Parisin. Në mos është një ironi e sinqertë, se si kjo poete pritet për së dyti herë në Shqipëri në ditët e frankofonisë, duke u shprehur se poetët shqiptarë që ka takuar i kanë zgjuar shqisën e humanitetit. Martin thotë: “Kam takuar shumë poetë shqiptarë dhe kam vënë re se kanë një forcë e humanizëm të rrallë. Pikërisht kjo është poezia për mua. Kam lexuar Besa Myftiun, Luljeta Lleshanakun dhe u preka shumë. Jam prekur nga forca e poezive të tyre. Duke qenë se jeta është shumë e ngarkuar, e kemi larguar poezinë nga ne, por në Shqipëri kam vënë re se ju keni ende një raport të drejtpërdrejtë. Mbi këtë sfond kam ndërtuar poezinë dhe spektaklin tim”.
Martin është në Tiranë të promovojë kulturën franceze në Shqipëri, dhe në kërkim të një publiku frankofon. Kështu pranvera frankofone, krahas aktiviteteve me në qendër njohjen e kulturës frënge, këtë vit do të zgjojë një nga gjinitë disi të harruara: poezinë. Mbrëmjen e parë e hap poetja dhe këngëtarja franceze Zabo, e cila dje para mediave ka folur për një marrëdhënie me speciale që ajo ka ndërtuar me publikun dhe kulturën shqiptare, duke u nxitur të prezantojë në një mbrëmje të veçantë me poezi autorë shqiptarë të cilët do të recitohen në gjuhën frënge.
“Jam e gëzuar që jam në vendin tuaj, në këtë vend të poezisë. Unë kam qenë edhe dy vjet më parë në Shqipëri dhe jam takuar me artistë e poetë. Më kanë bërë përshtypje të veçanta poetët Lluljeta Lleshanaku, Parid Teferici, Agron Tufa, Edmond Tupja e të tjerë. Unë këtë herë kam ardhur për të organizuar një spektakël me ato që pikërisht këta poetë kanë shkruar, që titullohet “Mbrëmje me stuhi”, u shpreh Martin.
Këtë vit, “zgjerohen” interesat e kulturës franceze në Tiranë, duke paraqitur edhe aspekte të tjera të jetës sot. “Aktivitetet kulturore i drejtohen një publiku frankofon, por jo vetëm. Do të jenë për një publik të hapur. Temat që janë përzgjedhur këtë vit janë të shumta në numër, por disa nga më të rëndësishmet janë: një mbrëmje e veçantë gastronomie, forumi ekonomik frankofon dhe do të kemi 3 konferenca në fushën e debatit. Të gjitha këto aktivitete do të jenë të shpërndara në 11 qytete në të gjithë vendin”, -tha Rose Anne, atashe kulturor në Ambasadën franceze në Tiranë. Ndërsa një axhendë e pasur do qarkullojë në gjithë Shqipërinë, ku ndër ta tjera janë të përfshira edhe dy pjesë teatrale: “Shkolla e grave” dhe “Zoti i masakrës”.
Mbrëmjen e 21 marsit do të vizitojë Tiranën një shef kuzhine special, Eric Dyken, i cili ka drejtuar kuzhinën e pallatit të Elizesë për 3 presidentët e fundit francezë.
Axhenda
Ambasada e Francës në Tiranë, ka publikuar kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen në kuadër të Pranverës Frankofone. Ky event ka nisur dje e vazhdon deri më 28 mars. Sipas organizatorëve qëllimi i Pranverës së Frankofonisë janë promovimi i vlerave të frankofonisë: – Gjuha frënge dhe diversiteti kulturor dhe gjuhësor – Paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut – Mbështetja e edukimit, formimit, arsimit të lartë dhe punës kërkimore shkencore.