Qytetarët e Durrësit dhe opozita politike kërkojnë me ngulm mbrojtjen e zbulimeve arkeologjike në sheshin para portit ndërkohë që kompania ndërtuese ka intensifikuar punimet me synimin për të përfunduar projektin para zgjedhjeve të 18 qershorit.
Nga Gëzim Kabashi, BIRN
Sheshi para portit të Durrësit ku vazhdojnë punimet për zbatimin e projektit shumëmilionësh Veliera është vënë përsëri në qendër të vëmendjes së publikut pas vendimit të gjykatës që kërkon pezullimin e plotë të punimeve në zonën e objektit të zbuluar dy muaj më parë. Megjithatë, askush nuk e di nëse objekti me vlerë 6 milionë dollarë do të bllokohet tërësisht; nëse zbulimi arkeologjik do të konservohet në dobi të publikut, apo do të mbulohet përfundimisht me dherat e nxjerra nga projekti i Velierës.
Tre nga katër bazamentet e betonuara të objektit tashmë janë gati, por ende nuk ka një zgjidhje që do të kënaqte njëkohësisht financuesit e projektit dhe shoqërinë civile. Kjo e fundit mbron me fanatizëm monumentin arkeologjik, ku ishte parashikuar të ngrihej këmba e katërt e simbolit të projektuar.
Përfaqësuesve të shoqërisë civile, që u mblodhën natën e kaluar për të protestuar si zakonisht pranë Torrës mesjetare, iu bashkuan edhe të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike lokale. Ata përsëritën sloganin “Mos ma vrit Dyrrahun”, ndërsa vlerësuan punën e Gjykatës së Durrësit, e cila në fillim të muajit bashkë me ndërprerjen e punimeve në të gjithë territorin mbi rrugën, ka vendosur edhe sekuestron preventive mbi të gjithë zonën me vlera arkeologjike.
Ndërkaq, ritmet e punës së punëtorëve dhe mjeteve të ndërtuesve janë rritur ndjeshëm, duke nënvizuar synimin e kryebashkiakut Vangjush Dako, që nuk e ka fshehur asnjëherë objektivin për ta përfunduar projektin para zgjedhjeve të 18 qershorit.
Firma ndërtuese është përqendruar tërësisht në pjesën tjetër pranë portit, dhe veçanërisht në nënkalimin e automjeteve që ndan dy zonat e kontestuara, ajo A që mbrohet nga harta e rrezikut arkeologjik dhe ajo B, që konsiderohet pjesa pa asnjë element historik apo arkeologjik në qytetin bregdetar.
Specialistët arkeologë, më të pakët në numër ndërkohë, vijojnë pastrimin e fortifikimit otoman, që u zbulua dy muaj më parë, së bashku me dy topa, gryka zjarri dhe rreth 40 gjyle guri, që tashmë janë transferuar në muzeun arkeologjik të Durrësit. Sipas drejtuesve të misionit, bastioni ka një gjatësi prej mbi 20 metra përballë detit dhe dy brinjët e tij kthehen në formë kuadrati për tu bashkuar me murin bizantin, që ndodhet 20 metra më në veri. Specialistët do të evidentojnë këto ditë edhe elementët e bashkimit mes fortifikimeve që i përkasin dy periudhave të ndryshme të jetës qytetare të Durrësit, në distancë prej disa qindra vitesh nga njeri tjetri.
Raporti përfundimtar do t’i kalojë Komitetit Kombëtar të Arkeologjisë dhe atij të Restaurimeve, dhe organizmat do të vendosin për të ardhmen e këtij zbulimi, që po vë në provë ndërgjegjen historikë të qytetarëve durrsakë si dhe potencialin vendimmarrës të institucioneve të kulturës kombëtare.