Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

‘Kontrabasi’ i Suskind: Ç’vegël e poshtër në duart e Çapalikut!

$
0
0

Me regji të Stefan Çapalikut, vepra “Kontrabasi” e Patrik Suskind, premierë në teatrin e Metropolit; një vepër e cila i ka kushtuar një njeriu të mbërthyer në sigurinë që i jep puna e përjetshme dhe dhoma e izoluar. “Gjithçka është qesharake në këtë trajtesë tragjike. Ai është monologu i këtij njeriu të butë dhe të frustruar, që në jetën e vet i ka bërë vend veçse muzikës dhe instrumentit. Është gjithashtu tregimi i hidhur i vetmisë dhe i hakmarrjes së artistit, mbi të cilin s’kanë rënë kurrë projektorët e skenës”

Kontrabasi…më tepër një pengesë, se një instrument. Nuk e ngre dot peshë, duhet ta heqësh zvarrë, dhe po ra në tokë, thyhet. Në makinë hyn vetëm po të heqësh sediljen e pasme. Dhe po hyri, makinën e ke plot. Në shtëpi gjithmonë duhet t`i shmangesh. Rri aty në një mënyrë kaq idiote… është një instinkt i fortë mbi të cilin shkruan Patrik Suskind monodramën e tij, “Kontrabasi”, që vjen në shqip nga Lek Tasi. Por, në skenë kjo shfaqje lajmërohet në këtë fundjavë, me guximin jo të herës së parë të dramaturgut Stefan Çapaliku, me premierë në Teatrin e Metropolit.

Është një monolog që kërkon pandehmat përtej një rrëfimi. Kontrabasisti flet për audiencën në dhomën e tij të vogël, të izoluar mirë në pikëpamje akustike, duke pirë birrë. Ai është i punësuar në një orkestër shteti. Në fillim kontrabasisti çmon tej mase instrumentin e vet për rëndësinë e tij në orkestër, duke treguar anekdota me një humor të fshehtë e hera-herës idhnak. Më pas ai fillon të na shpjegojë anën e errët të marrëdhënies së tij me kontrabasin, si një pengesë e vazhdueshme drejt realizimit të qëllimeve të veta, një prej të cilave është edhe njohja me Sarën, këtë soprano të re, të cilën e admiron prej së largu. “Nuk njoh asnjë shok timin që ta ketë mësuar kontrabasin me dëshirë. Shkaku në një farë mënyre besoj se është i qartë. Nuk është një instrument i manovrueshëm…”.

Regjisori na shpjegon se “kontrabasi” është një vepër e cila i ka kushtuar një njeriu të mbërthyer në sigurinë që i jep puna e përjetshme dhe dhoma e izoluar. “Gjithçka është qesharake në këtë trajtesë tragjike. Ai është monologu i këtij njeriu të butë dhe të frustruar, që në jetën e vet i ka bërë vend veçse muzikës dhe instrumentit. Është gjithashtu tregimi i hidhur i vetmisë dhe i hakmarrjes së artistit, mbi të cilin s’kanë rënë kurrë projektorët e skenës”.

Herë pas here ai pandeh se ndoshta muzika e dhomës mund të ishte shpëtimi nga anonimati i orkestrantëve të dënuar për t’iu rënë veglave gjithë jetën atje poshtë, në gropën gjysmërrethore…. “E nganjëherë e vendos kontrabasin në karrige, e mbështes në shpinore me harkun pranë, e ulem në kolltuk. E mandej e shikoj. E mandej mendoj: ç’vegël e poshtër! Jo, po shikojeni vetë! Provoni pakëz ta shikoni. A nuk ngjet me një plakë të dhjamosur? Vithet shumë të ulëta, beli një shëmti e vërtetë, ndërsa shpatullat e ngushta e të rrëzuara si prej rakitike. Me u çmend”, një pjesë tjetër e monodramës”.

Suskind me instinktin e tij të fortë për të kuptuar absurdin e personazhit të vet, dëshmon me këtë rast se i njeh njerëzit po kaq mirë sa edhe muzikën.

Dorëshkrimi i monodramës “Kontrabasi” i Patrick Suskind daton më 1980 dhe premiera u dha në Teatrin Cuvilliés në Mynih, më 22 shtator 1981. Ky tekst u vu në skenë në shumicën e teatrove gjermanishtfolëse dhe vetëm në sezonin e viteve 1984–1985 u luajt më shumë se 500 herë.

Patrick Suskind u lind më 1949 në Gjermani. Ai është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist, i njohur ndërkombëtarisht prej romanit “Parfumi”, botuar më 1985.

 

 

Kontrabasi

Patrick Suskind

Përktheu: Lek Tasi

Interpreton: Pjerin Vlashi

Regjia: Stefan Çapaliku

Skena & kostumet: Jonida Beqo

Koreograf: Gjergj Prevazi

Të drejtat teatrore: Shtëpia Botuese Diogjen, Zyrih


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708