Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Life in Images: Kontinenti tjetër me 150 foto të Marubëve

$
0
0

Pas suksesit në Berlin, Marubët udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga Muzeu Kombëtar në Shkodër është hapur së fundmi në SHBA. Ekspozita është hapur në Stamford të shtetit Connecticut, në galerinë GR të piktorit shkodran Gjergj Pali. Janë 150 fotografi të përzgjedhura nga Muzeu “Marubi”, që janë ekspozuar në SHBA, duke përcjellë një botë gati të harruar, ndërsa për brezat e rinj, e panjohur.

Pas suksesit në Berlin, Marubët udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga Muzeu Kombëtar në Shkodër është hapur së fundmi në SHBA. Ekspozita është hapur në Stamford të shtetit Connecticut, në galerinë GR të piktorit shkodran Gjergj Pali. Janë 150 fotografi të përzgjedhura nga Muzeu “Marubi”, që janë ekspozuar në SHBA, duke përcjellë një botë gati të harruar, ndërsa për brezat e rinj, e panjohur.

Sipas drejtorit të muzeut, Luçian Bedeni, në një kohë kur të gjithë janë të interesuar pas politikës, nuk duhet humbur fokusi i promovimit të trashëgimisë kulturore. Kurator i ekspozitës është artisti Zef Paci, sipas të cilit, fotografia e Marubëve nuk është fluturake, por e menduar mirë dhe kjo përbën edhe karakteristikën e veprës së tyre. Një ndër vizitorët e ekspozitës ka qenë edhe publicisti Sami Rrepishti, i cili thotë për “Zërin e Amerikës” se ndër portretet e fiksuara nga Marubi ka edhe njerëz të njohur në Shkodër, por më së shumti janë njerëz të thjeshtë, pasi Marubi duket se ka qenë i interesuar pikërisht për këtë shtresë të popullsisë.

“Kjo ekspozite “Life in Images” që përmban mbi 100 fotografi të koleksionit Marubi, dhe shfaqet për të parën herë në SHBA. Ekspozita ashtë nji sukses që mundëson pamjen e nji bote fantastike të gjanave, e pamë nga lentet e tri gjeneracioneve të fotografëve të familjes Marubi”, ka thënë Rrepishti. Përmes fotografive bardhezi, të realizuara gati një shekull më parë, na shpalosen kostume, sjellje, portrete njerëzish të njohur e të panjohur, ngjarje të shënuara të kohës. Falë Marubëve, kemi mundësi sot të udhëtojmë në një copë bote të fiksuar dhe të ngrirë në celuloid.

Arti i fotografisë në vendin tonë, i filluar rreth mesit të shekullit XIX në qytetin e Shkodrës, mbetet ndër më të njohurit në fushën e fotografisë evropiane, për periudhën nga gjysma e dytë e shek. XIX deri në gjysmën e parë të shek. XX.

Ishte pikërisht atelieja e parë e ngritur në vitin 1858 në qytetin e Shkodrës, e cila me anë të fotove të rralla profesionale të stampuara për dekada me radhë, fiksoi këtë pjesë të artit shqiptar, në historinë e fotografisë evropiane.

Fillesat e kësaj atelieje lidhen me emrin e Pjetër Marubit (1834-1903), i cili ishte dhe mbeti i njohur si mjeshtër i vërtetë i fotografisë. Puna mbi 40-vjeçare e Pjetër Marubit ka lënë gjurmë me vlera historike dhe artistike, duke fiksuar ngjarje dhe persona historike, siç janë ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fotografitë për kryengritjen e Mirditës (1876-1877) të botuara në “La Guerra d’Oriente”, ndërkohë që fotot e Lidhjes Shqiptare (1878-1881) u botuan në “The Illustrated London News”. Ndër fotografitë e tij më të hershme njihen ato të Hamza Kazazit dhe të Leonardo de Martinos.

Atelieja e parë, apo “Dritëshkronja” siç e quante vetë Pjetër Marubi, ishte një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 metra katrorë, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve dhe çatia ishin të tëra prej xhami, në mënyrë që drita të hynte e të depërtonte në mënyrë sa më natyrale. Klishetë e para bardhezi ishin të formateve 21×27, 26×31 dhe 30×40. Më pas fillon evoluimi dhe fotografi arrin të krijojë klishe pothuajse të të gjitha formateve të kohës. E gjithë kjo punë bëhej në një periudhe kur vetë Evropa kishte pak vite që kishte filluar artin e fotografisë.

Duke qenë se Pjetër Marubi nuk la fëmijë, eksperienca e tij u trashëgua nga familja Kodheli, duke filluar nga nxënësi i tij Mati Kodheli, e duke vazhduar më pas me Kel e Gegë Kodhelin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708