Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Kufijtë, sfida me veten dhe tjetrin

$
0
0

****   Gazmend M. Kapllani, filozof dhe rrëfimtar, ka rrëfyer përmes një historie mes të shkuarës dhe të tashmes një ëndërr dhe një realitet, një absurd dhe një komedi, që vallëzojnë pafundësisht lëkurës së njeriut. “Ditar i shkurtër kufijsh” sjell absurdin e një sistemi pa liri dhe odisenë e pafundme të emigrimit. Ka pranuar fatin që i ka rënë për vendin ku ka lindur dhe “kohën-diktaturë”, por ka tentuar të jetë edhe zoti i fatit të tij, duke tentuar të vendosë për atë që duhet të arrijë

 Shënime për romanin “Ditar i shkurtër kufijsh” i Gazmend M. Kapllanit/ Përmes një sarkazme dhe përshkrimeve emocionale Kapllani zgjeron shinat paralele, herë në të shkuarën plot ëndrra e herë në të tashmen plot dështime, zhgënjime, refuzime e pasione që nuk mund t’i vësh asnjë kufi të vetëm, nuk mund t’i vësh vetëm një emër, nuk mund t’u japësh vetëm një zgjidhje.

Agim Baçi

Është më vështirë t’i arrish kufijtë apo t’i kapërcesh? Ka kufij të përhershëm apo i vendosim vetë? Janë më të rëndësishëm kufijtë që duken apo ata që nuk duken?  Gazmend M. Kapllani, filozof dhe rrëfimtar, ka rrëfyer përmes një historie mes të shkuarës dhe të tashmes një ëndërr dhe një realitet, një absurd dhe një komedi, që vallëzojnë pafundësisht lëkurës së njeriut. “Ditar i shkurtër kufijsh” sjell absurdin e një sistemi pa liri dhe odisenë e pafundme të emigrimit. Ka pranuar fatin që i ka rënë për vendin ku ka lindur dhe “kohën-diktaturë”, por ka tentuar të jetë edhe zoti i fatit të tij, duke tentuar të vendosë për atë që duhet të arrijë. Por që të dyja kanë një kufi- mënyrën se si kërkojmë t’i shohim të shkuarën e të tashmen, se si t’i pranojmë jetët tona, fatet tona, hapat tanë.

Nga një fëmijëri ku vetëm dy “stacione” Televizive kishe të drejtë të ndiqje – Televizionin e Partisë dhe “Tv Savra” (Savra ishte emri i fshatit në Lushnje ku internoheshin armiqtë e sistemit)- Gazmend Kapllani përshkruan gjithë ëndërrimin për “Matanë-Botën”, që vjen pas kufijve, që vjen pas ëndrrës. Ndërkohë, “syri vigjilent i Partisë” ka edhe “policinë e antenave” që ka heronjtë e vet, Metin dhe Llambin. Në atë errësirë kufijtë zmadhohen dhe “Matan-Bota” bëhet gjithnjë e më e largët, më e padukshme, më e paarritshme. Semaforë të vetëm mbeten sytë e atyre që ëndërruan Lirinë, por që plumbat i caktuan stacionin e përjetshëm të kufirit- kufirit që nuk mundën dot ta kapërcenin.

Por, e padukshme vjen e shfaqet bota edhe ku ata kufij kalohen. Janë sytë e të tjerëve që nuk kapërcehen lehtë. Duhet të besosh. Eshtë kufiri i të besuarit se mundesh. Se mund t’ia arrish. Një kufi i rrezikuar në çdo hap nga ata që nuk besojnë se je një prej tyre, se mund të besh si ata, se mund të këndosh apo mendosh si ata, se mund të dashurosh dhe të kesh ëndrrën tënde. Ky kufi është shpesh edhe më i pakalueshëm se ai që të çon në “Matan-Botë”.

Duhet të mësosh të ecësh në mënyrë normale, sepse e ke zakon dhe ecën shumë shpejt, sikur të ndjek Djalli nga mbrapa. Duhet gjithashtu të mësosh kodet e qarkullimit rrugor, për këmbësorët, sigurisht… duhet të mos i përpish me sy vajzat e bukura të vendësve me atë shikimin që të kujton Kuazimodon kur i mbërthen sytë mbi Esmeraldën te Shën Mëria e Parisit. Duhet… Duhet… Duhet Duhet… Pa fund dhe pa afat skadimi. Çdo ditë, çdo natë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Nuk ke privilegjin të mendosh nëpërmjet foljes “dua”, je i dënuar të jetosh nën kërkesat e pamëshirshme të foljes “duhet”… Sepse këtu ku erdhe duhet t’ia dalësh mbanë. Eshtë betimi që i sapoardhuri i bën vetes. Siç mjekët kanë betimin e Hipokratit, mërgimtari ka betimin e vet: “Duhet t’ia dal mbanë!”. Këtej e tutje, ky betim do bëhet atdheu i tij i vërtetë. Duhet t’ia dal mbanë!Jo vetëm pse të afërmit e tij atje në mëmëdhe presin diçka prej tij. Kjo është më e pakta. Ai duhet t’ia dalë mbanë sidomos që të mos kthehet i dështuar. Frika e dështimit e bën të dridhet si fëmijë i humbur në errësirë… Duhet t’ia dalë mbanë! Por si t’ia dalë mbanë? Dhe këtu ndahen rrugët e mërgimtarëve: ata që ia dalin mbanë dhe ata që dështojnë, të integruarit dhe të përjashtuarit, fatlumët dhe të paaftët…”. (Gazmend M. Kapllani,  “Ditar i shkurtër kufijsh”, Neriada 2016, f.20-21)

Përmes një sarkazme dhe përshkrimeve emocionale Kapllani zgjeron shinat paralele, herë në të shkuarën plot ëndrra e herë në të tashmen plot dështime, zhgënjime, refuzime e pasione që nuk mund t’i vësh asnjë kufi të vetëm, nuk mund t’i vësh vetëm një emër, nuk mund t’u japësh vetëm një zgjidhje. Humori i Kapllanit më shumë anon nga loti i dhembjes. Eshtë humor plot kritikë për kufirin që i vëmë tjetrit, është njëkohësisht edhe për kufirin që i vëmë vetes për të besuar në atë që kemi dhe në atë që duhet të besojmë se mund t’i arrijmë.

Po ku përfundon ky kufi që duhet të arrijmë apo kapërcejmë? Janë më të vështirë kufijtë brenda nesh për t’u kapërcyer apo ata që na vënë të tjerët? Janë kufijtë e dashurisë apo të egos? Janë kufijtë e dështimit apo suksesit? Janë kufijtë e pranimit apo mospranimit? Janë kufijtë e gjuhës apo zemrës? Janë kufijtë e asaj që na dhanë apo asaj që deshëm?

Askush nuk mund të thotë se ka përgjigjet përfundimtare. As Kapllani nuk synon të vendosë kufij. Por, të paktën ai ka synuar të japë dilemat e njeriut që mes ëndrrës dhe realitetit ka mundur të gjejë një zgjidhje – herë se i duhej e herë se ka dashur. Por gjithmonë duke besuar se bota e pafund e kufijve udhëton me botën e pafund të vetë njeriut…

Ata që vuajnë nga sindroma e kufijve kanë origjina, emra, vendlindje të ndryshme. Por mënyra se si ua ngulin sytë me përgjërim kufijve dhe mënyra se si kufijtë i përgjigjen me armiqësi atij shikimi përgjërues ngelen në çdo kohë të pandryshuara… Por pavarësisht se nga cila anë e kufirit do lindim, ne jemi të gjithë emigrantë në këtë botë. Kalimtarë të përjetshëm, mbartës të një lejeje qëndrimi të përkohshme mbi këtë tokë…”.  (Gazmend M. Kapllani,  “Ditar i shkurtër kufijsh”, f.164)

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708