Një ditë më parë, është promovuar në Romë romani i Ylljet Aliçkajt, “Valsi i lumturisë”, përkthyer në gjuhën italiane; Libri mori vëmendjen dhe vlerësime nga botues e letrarë italianë, duke u shprehur për të, se ndërton një teatër lotësh, krijon ironinë pirandeliane, me aftësi për t’iu përshtatur dialogun e duhur situatave, me qasje antropologjike. Duke vështruar përtej kësa historie, u theksua se Shqipëria gjen një përfaqësim letrar në kërkim të vetvetes, si forcë autoreflektimi, sipas një pesimizmi pozitiv, jo kafkian… etj,.
Ngjarja e bujshme e vitit 1985 kur familja Popa në Tiranë për pesë vjet u strehua në ambasadën italiane tashmë është dhe në gjuhën italiane. Bëhet fjalë për romanin, tashmë të njohur në shqip, të Ylljet Aliçkajt. Duke iu përgjigjur interesit të botuesve italianë, dje në mbrëmje është organizuar në Romë promovimi i librit, në prani të personaliteteve të letrave italiane dhe botuesve. “Il sogno italiano” (në shqip “Valsi i lumturisë”) ka marrë vlerësime jashtë parashikimeve të autorit duke u konsideruar jo vetëm një dëshmi shqiptare, por duke u konsideruar një kontribut letrar, si roman historik. “Bëhej fjalë për një familje të tërë, ndërkohë që mekanizmi i asaj kohe në Shqipëri, i cili ndalonte njerëzit të largoheshin nga vendi nëpërmjet kufijve, ishte një rrezik shumë i madh, pasi kishte mundësi për të ikur sigurisht, por rreziku ishte i madh, dhe nëse dikush arrinte të arratisej, të tjerët kishin pasoja të rënda. Sepse ai që ikte do të jetonte me pendimin ose me brerjen e ndërgjegjes që e kishte lënë të gjithë pjesën tjetër të familjes në burg ose në internim. Pra familja që gjeti këtë zgjidhje, ndërmori këtë risk, ishin të gjithë bashkë, ishin 4 motra, dy vëllezër, që vinin nga një familje me “biografi të keqe”, siç quhej në atë kohë. Ambasada ishte aty, në mes të Tiranës, ata u futën në Ambasadën italiane për të lënë vendin e tyre dhe për të qenë në një tokë ndërkombëtare”, – ka treguar Aliçkaj për dokumentarin e televizionit zviceran. Por si arritën ata të futeshin në një ambasadë të huaj, në zemër të regjimit më të egër komunist të Evropës? Rastësia apo fati i ndihmoi pa dyshim, ishte vetëm një moment, një moment që tregoi se fati ishte me ta. “Ata kishin një kulturë oksidentale falë babait të tyre që kishte studiuar në Itali, por nga ana tjetër pikërisht për këtë fakt, ata ishin trajtuar keq nga ana politike gjatë gjithë jetës së tyre. Polici shqiptar ishte aty, po bisedonte me dikë ndërkohë që pinte duhan. Ata të gjashtë ishin veshur pak më ndryshe nga rutina shqiptare, pra dukeshin si italianë, kanë folur italisht me njëri-tjetrin ndërkohë që i afroheshin portës, dhe ndoshta i kanë dhënë impresionin policit se ata ishin italianë. Ata po qeshnin të shpenguar që të mos ngjallnin dyshime, por ajo ishte një buzëqeshje për jetë a vdekje. Dhe u futën. Por në momentin që u futën, sapo kishin kaluar portën, polici dyshon, e kupton dhe kërkon të hyjë brenda, nxjerr revolverin, u afrohet gjysmë metri afër dhe tentoi t’i nxirrte, sepse për të ishte po ashtu një gjë e rëndë, i kushtonte jetën edhe policit. Ishte përgjegjësia e tij të ruante ambasadën jashtë portës, ndërsa karabinierët italianë ishin përgjegjës për brenda ambasadës, dhe ata as nuk ishin në atë moment aty. Ka reaguar familja Popa duke kundërshtuar dhe pastaj kanë reaguar edhe policët italianë duke thënë: ‘stop, këtu është territor italian’ dhe e nxorën policin jashtë. Ai doli jashtë dhe donte të vriste veten, pasi për të ishte e rëndë kjo që ndodhi”, – tregon Aliçka, duke e veshur me detajet që i kanë munguar deri më sot kësaj historie.
Ambasadori italian, Françesko Karlo Xhentile, mbas kërkesës kategorike të palës shqiptare, refuzoi t’i dorëzojë të strehuarit dhe i kaloi Krishtlindjet e vitit 1985 bashkë me këta shqiptarë në ambasadë. Autoritetet, nëpërmjet një note të Ministrisë së Jashtme, i bënë të ditur ambasadorit se incidenti qe tepër i rëndë e se do kish pasoja të papëlqyeshme deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Familja Popa u strehua për rreth 5 vjet në dy dhoma të ambasadës italiane. Dhe vetëm në majin e vitit 1990, fill mbas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, qeveria shqiptare dha lejen për largimin e tyre drejt Italisë. Gjatë atyre 5 viteve, godina e Ambasadës italiane dhe ideja që aty brenda ishin 6 shqiptarë që kishin arritur të arratiseshin nga vendi i tyre ditën me diell, mu në mes të kryeqytetit, për shqiptarët e tjerë ishte një ankth i vazhdueshëm, sikur çdo lajm që kishte të bënte me ta do të ndryshonte dhe jetën e tyre përfundimisht. “Regjimi komunist e rrethoi ambasadën me rreth 800 policë e ushtarë. Mbaj mend që ne kalonim aty dhe bënim sikur s’e shihnim ambasadën, por të gjithë prisnim me ankth një lajm prej aty”, – tregon Aliçka. Libri mori vëmendjen dhe vlerësime nga botues e letrarë italianë, duke u shprehur për të, se ndërton një teatër lotësh, krijon ironinë pirandeliane, me aftësi për t’iu përshtatur dialogun e duhur situatave, me qasje antropologjike. Duke vështruar përtej kësaj historie, u theksua se Shqipëria gjen një përfaqësim lertrar në kërkim të vetvetes, si forcë autoreflektimi, sipas një pesimizmi pozitiv, jo kafkian… etj,. “Fitorja e familjes Popa është një nga ato fitoret e vogla që ndryshojnë botën”, ka komentuar gazetari zviceran në dokumentarin e tij, por në fakt historia e tyre edhe pse mund të ketë ndryshuar botën e shqiptarëve, nuk e ndryshoi dot jetën e tyre. “Ata nuk arritën të integroheshin në jetën në Itali, ata ishin mësuar psikologjikisht të ishin në qendër të vëmendjes, dhe atje u lanë pas dorë, autoritetet italiane i dërguan në një kamp refugjatësh, më vonë jetuan në një apartament të vogël, por nuk arritën të kishin një jetë siç kishin ëndërruar apo pritur. Ndoshta ishte dhe për faj të tyre, nuk arritën dot t’i jepnin kuptim lirisë për të cilën luftuan. Ndërkohë ata u harruan, pasi tashmë nuk ishte më një familje, por me qindra e mijëra që po futeshin nëpër ambasada”. Kështu mendon shkrimtari Aliçka, që në mënyrë letrare e ka sjellë këtë trishtim nëpërmjet librit. Vetëm dy prej motrave janë akoma gjallë dhe jetojnë në periferi të Durrësit në kushte të mjera, ndërsa të tjerët gjithashtu nuk patën ndonjë jetë të mirë. Ato nuk kanë pranuar të flasin për gazetarin, i cili thotë se “nuk kanë asnjë kujtim të bukur nga Italia apo italianët, përveç kohës që jetuan në ambasadë”. Shkrimtari Visar Zhiti, i dërguari i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, në Vatikan foli mbi librin e Aliçkajt duke kujtuar momentet e vështira të diktaturës komuniste, si dhe mbi dhimbjen e familjes Popa, duke kujtuar se ndërkohë që ishte në burg, kjo ngjarje ishte bombë për atë kohë.