Artistja prezanton albumin përmes koncerteve në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë dhe në Beograd. Koncerti i saj mbështetet nga Universiteti Europian i Tiranës (UET).
Nga Blerina Goce
Muzika është për të një rrugë apo një pasqyrë reflektimi, për t’u bërë më të mirë, dhe pikërisht kjo muzikë ka qenë bashkudhëtarja e Elina Dunit në momentet më të vështira. Kur ishte ende fëmijë, vetëm 10 vjeç, “The Beatles” e shpëtuan në vetminë e saj, ndërsa tani veten e ka gjetur te “rrënjët”, te muzika me motive folklorike shqiptare, të cilën e sjell në mënyrën e vet origjinale, në xhazin, që padyshim mban edhe “pjesën zvicerane” të Elinës. E gjendur përherë mes Zvicrës dhe Shqipërisë, Elina Duni kthehet këtë herë, jo thjesht me një koncert. Ajo do të prezantojë albumin e saj “Dallëndyshe” përmes një turi koncertesh që përfshijnë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë. Turi do të nisë me Tiranën, ku janë përfshirë dy mbrëmje artistike, më 14 dhe 15 shtator, në sallën e koncerteve te Katedralja Ortodokse në Tiranë. Më pas, turi i saj ballkanik do të vijojë në Shkup, më 16 shtator, në Shtëpinë e Armatës, për të vazhduar më pas me Prishtinën, më 18 shtator, në Parkun e Gërmisë, për t’u përmbyllur në Serbi, më 19 shtator, ku koncerti do të mbahet në Shtëpinë e të Rinjve të Beogradit. Këtë tur koncertesh, përveç një komunikim artistik, duket se artistja Duni e sheh edhe si detyrë patriotike, por më tepër se për patriotizmin, në këtë bisedë ajo flet për dhimbjen, mërgimin dhe veçanërisht dashurinë…
Riktheheni me album, të nëntin në radhë. Ç’do të thotë ky album? Për më tepër, nënta është dhe një shifër interesante…
Është albumi i nëntë dhe i katërti me kuartetin. Nënta është shifër interesante, sepse thonë se nënta është shifra e fatit. Ky album është bërë në një kontekst jo shumë të thjeshtë, sepse pas “Matanë malit” nuk desha të ribëhej e njëjta gjë me kuartetin dhe gjetëm një rrugë, që tingëllon ndryshe. “Matanë malit” është më i rëndë, më tragjik. Ky është më i lehtë, më pranveror, edhe pse nganjëherë tematika e tij është më e rëndë përderisa flet për migrimin dhe dashurinë. Por, siç e kam thënë gjithmonë: në Ballkan dhe në Shqipëri duhet ta këndosh dhe ta vallëzosh dhimbjen për ta tejkaluar. Kjo është ajo çfarë ndodh në folk, në të gjithë muzikat popullore në botë. Dhe për mua është diçka shumë e bukur, një imazh shumë i bukur dhe është vërtet një realitet. E shoh te vetja ime, që gjërat më të bukura që kam thënë apo bërë kanë qenë gjithmonë në momente shumë të vështira. Ndërton ura në këto momente.
Pse e quan albumin “Dallëndyshe”?
Së pari, sepse “Dallëndyshe” është kënga arbëreshe që është në album. Është një këngë shumë e bukur, jo shumë e njohur, jo si “E bukura More”. Ka një tekst shumë të bukur: “Petkat e të mirat tona ne i lamë te Korona/ O sa natë kemi me ne, moj e bukura More/O sa natë kemi me ne”. Imagjino sa imazh i bukur që është, sa i lehtë dhe sa i thellë. Dhe pastaj thotë: “Kur u nismë gjithë atë ditë,/e dherat tona iknin nga sitë/burrat thellë me një psherëtimë,/ thirrtin gratë me një vajtim/dallëndyshe e lerë, e lerë/ kur të vish ti njatër herë/ vjen të vish ti te Korona/ më s’do gjesh ti shpitë tona/më s’do gjesh trimat hajdhjarë/por një qen, në qoftë i vrarë/Jem e vemi n’Itali, oj More, oj Arbëri”. Është shumë drithëruese si këngë, sepse është njëkohësisht ajo çfarë për mua përmbajnë këngët e pavdekshme ose që prekin njerëzit. Këto këngë kanë një tematikë universale. Këtu është ikja, mërgimi dhe me fjalë shumë të thjeshta shprehet dhimbja edhe me disa imazhe. Ti i sheh këta duke ikur, sheh qenin e vrarë. Unë i këndoj dallëndyshes. Ajo është një zog i jashtëzakonshëm. Mora vesh para disa ditësh që në Livadh, dallëndyshet vijnë dhe ikin në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë çdo vit. Ikin në 10 Shtator dhe kthehen në 25 Mars në orën 1 e një çerek.
Po veten, e sheh si dallëndyshe?
Po, sigurisht. Së pari, dallëndyshja është shumë afër njerëzve. Sepse ndërsa ajo ndërton shpesh foletë nëpër shtëpi është zog që kam përshtypjen e duam shumë ose e kemi shumë të afërt, e ndiejmë të afërt. Dhe është njëkohësisht historia ime, sepse unë iki gjithmonë prej Shqipërisë por gjithmonë rikthehem. Kjo është gjithmonë ikja, mërgimi dhe foleja. Kjo është historia ime, nuk mund të jetoj pa Shqipërinë. Unë e di shumë mirë që çfarëdo të bëj, ngado që shkoj, kërkoj gjithmonë Tiranën e fëmijërisë sime ose atë ndjesi. Sepse fakti që kam kaluar një fëmijëri aq të bukur në Shqipërinë e atëhershme është për mua një burim shumë i madh lumturie. Kam kaluar një fëmijëri me njerëz shumë të dashur, me shumë diell, me shumë miq. Kam qenë aktive qysh në moshën pesë vjeç, në televizor, në radio dhe nuk e di kush e thotë që, të kesh një fëmijëri të bukur apo të keqe, janë të dyja tragjedi. Dhe deri diku është e vërtetë, sepse ke përshtypjen që koha jote e artë ka kaluar. Nga ana tjetër, është diçka shumë e madhe, sepse ke përshtypjen që ke një burim ngrohtësie, i cili nuk shteron kurrë. Dhe sado keq që të jesh, është gjithmonë një burim ku mund të shkosh dhe të rigjesh veten, sepse ka shumë dashuri, është si një lloj rezerve ngrohtësie dhe dashurie.
Nëse do të kishe mundësinë të zgjidhje ku të jetoje, do të ishin këto vende Zvicra apo Shqipëria?
Zgjedhja ime është që jam midis të dyjave. Për momentin do të doja të kisha më shumë kohë dhe para për të udhëtuar, në fakt. Nëse doja të shprehja një dëshirë, kjo do të ishte ajo që do të doja të bëja. Por mendoj që një njeri si unë e gjen ekuilibrin midis dy botëve. Çdo mërgimtar për mendimin tim është gjithmonë pak i huaj në të dy vendet, edhe tek ai nga i cili vjen, edhe tek ai ku është. Kjo është gjithashtu ndjesia ime. Mbaj brenda vetes gjithmonë dy botë dhe nuk mundem asnjëherë të zgjedh vetëm njërën, apo vetëm tjetrën. Besoj që kjo muzikë e kuartetit i prek kaq shumë edhe shqiptarët, edhe të huajt, pikërisht sepse i flet të dyja botëve dhe pasurohet. Sa më shumë botë të kesh, aq më e thellë është diçka dhe aq më shumë ke mundësi shprehjeje. Dhe unë jam këto dy botë. Kjo do të jem gjithmonë dhe e kam pranuar tashmë. Nuk jam më në luftë me këtë. Ka pasur vite kur kam qenë në luftë e doja të isha si të tjerët. Por kam kuptuar në fakt, se kjo është pasuri dhe jo diçka që duhet fshirë. Pikërisht muzika më ka dhënë mundësinë të unifikohem përmes saj, të gjej rrugën time që është midis këtyre dy botëve.
I përmend shpesh Prishtinën dhe Tiranën, si “dy dashni”. Mund të rrëfesh për këto “dashni”?
Prishtinën e quaj, Prishtina e mirë. Kurse Tirana është e imja.
Pse është e mirë Prishtina?
Që herën e parë që kam qenë në Prishtinë, në 2003, kam njohur disa njerëz që më kanë prekur shumë, disa vende që më kanë pëlqyer shumë. Ka qenë një lloj kulture alternative në atë kohë, që mungonte në Tiranë dhe që unë e ndieja. Kam atje disa miq shumë të mirë. Kam një bazë dashamirësish, fansash të muzikës sime, që janë edhe shumë të rinj, 18-20 vjeç dhe që më prekin shumë. Ka pasur momente, kur kam dalë në Prishtinë rrugës, që më kanë ndaluar në rrugë studentë dhe më kanë thënë vetëm: Aman, të t’përqafi pak. Dhe më kanë përqafuar. Më pëlqen shumë rinia e Kosovës dhe kam besim tek ajo. Uroj të kenë mundësi të bëjnë gjërat që ëndërrojnë të bëjnë. Nuk është e thjeshtë. Ka diçka shumë të ngrohtë Prishtina. Për mua është vërtet ngrohtësi. Kam shumë miq të mirë dhe publik të mirë atje. Kanë gjithashtu njohuri dhe shije të madhe muzikore, një kulturë e cila i ka bërë më të pasur muzikalisht. Kanë grupe të rinjsh interesantë, që ne nuk i kemi akoma, që bëjnë muzikë alternative, që bëjnë ‘rock’, electro, indie pop, kanë iniciativa. Ka vende, ku dëgjohet e luhet muzikë jazz, që nuk ka në Tiranë. Do të doja shumë të kishte më shumë lëvizje, ata të vijnë dhe ne do të shkojmë andej. Për këtë do të ndihmonte gjithashtu të kishte dhe një vend, një jazz club, ku muzikantët të takoheshin, pa pasur probleme të tipit sa pije janë shitur sot.
Të kthehemi sërish te turi në Ballkan. Ç’do të thonë këto koncerte dhe veçanërisht, çfarë ndjesie krijon fakti që do të këndosh shqip në Beograd?
Në Tiranë, së pari, koncerti është i organizuar nga Anima Pictures dhe PIK të njëjtët organizatorë të “Muzës së zezë”. Kam gjetur mbështetje dhe sponsor dhe jam shumë e eksituar, që do të jem në një sallë të re që nuk e njoh, në Qendrën Kulturore të Kishës Orthodokse. Salla nuk është hiç e lidhur me fenë, është thjesht një sallë shumë e mirë dhe besoj për akustikën që ka kuarteti, i shkon vërtet shumë. Ndaj e pres me shumë emocion. Për mua është shumë emocionuese kur këndoj në shqip, kur sjell këngët shqiptare. Më duket sikur i sjell nga kurbeti i tyre zviceran. Momenti kur jam përballë publikut shqiptar, është shumë i veçantë se është i vetmi publik, i cili e merr vërtet drejtpërdrejt atë që unë bëj. Të tjerët e marrin në mënyrë indirekte, derisa nuk i kuptojnë fjalët.
Ndërsa koncertin në Prishtinë do ta bëjmë në Amfiteatrin e Gërmisë. Është hera e parë gjithashtu, që do të bëhet në ‘open air’. Është një skenë mjaft e madhe, me të paktën 1000 vetë. Jam shumë e emocionuar gjithashtu.
Shkupi, gjithashtu është shumë i veçantë për mua, sepse shpesh shqiptarët e Maqedonisë janë pak të lënë anash, në gjithë këtë shqiptarinë tonë. Besoj që e kanë shumë të nevojshme, që të jemi aty, që kultura shqiptare të jetë aty. Ka qenë shumë e vështirë të gjejmë sponsor dhe koncertin atje do ta bëjmë gati pa sponsor, vetëm me një mikun tim të mirë që u propozua dhe ne. Do të jetë një koncert me humbje, por është një akt patriotik për mua, që duhet ta bëj. Dy herë që kam qenë në Shkup kam përjetuar emocione shumë të rralla nga publiku shkupjan. Ata janë shumë të etur që diçka të ndodhi. Ka shumë dashamirës të kësaj muzike.
Kurse Beogradi është: Uau, çfarë do të ndodhë! Koncerti atje është nën organizimin e “Swiss Music Days”, festival zviceran me të cilin po bashkëpunojmë për gjithë turin dhe që kanë organizuar Beogradin. Është një pikëpyetje që ka dhe gëzim dhe në të njëjtën kohë pak shqetësim, se nuk e di si do të pritemi. Por besoj gjithashtu që janë gjëra shumë të nevojshme. Do të shkoj të këndoj shqip në Beograd. Atë muzikë që e këndoj në të gjithë botën, do të shkoj ta këndoj edhe në Beograd, ku Zvicra është një lloj ndërmjetëse të themi mes shqiptarisë që unë përfaqësoj dhe Beogradit. Shpresoj tek këto ura lidhëse. Shpresoj që arti, muzika është një mënyrë për të shkuar përpara, për të bërë një hap përpara. Jam shumë e emocionuar, që kjo peshë e këtij hapi ka rënë tek unë.
Në albumet dhe këngët e tua, ndjehet një lloj tërheqjeje ndaj gjuhës, dialektit gegë dhe folklorit. Nga se vjen dhe a ndjehet kjo edhe në këngët e “Dallëndyshe”-s?
Te “Dallëndyshe”, i kam ndryshuar pak titujt, se këngët i kanë titujt pak të gjatë në shqip. Ka këngë shumë të bukura, si për shembull Ylberin, “Kur e përcolla Ylberin”, këngë e Dibrës. Ka shumë këngë të Veriut në fakt dhe disa të Jugut. Por është e vërtetë, e ndiej shumë fort Veriun, edhe pse jam nga origjina jam më shumë jugore. Kam pasur tërheqje për Veriun, që e vogël. Kam pasur librin “Legjenda të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit me Gjergj Elez Alinë, bajlozin, zanat. Gati gjithë mitologjia që kemi është e Veriut, është e zanave. Tek unë ka qenë gjithmonë kjo ideja e malësorit të urtë dhe që di. I pëlqej shumë zanat, shtojzovallet. Më duken dhe imazhe shumë feministe. Kam qenë në Theth para tre javësh, për herë të parë. Kam mbetur së pari e mrekulluar nga mikpritja që kam pasur, gjërat e mira që kishte për të ngrënë, thjeshtësia dhe një lloj çmendurie jona. Kemi ecur me një fuoristradë 4×4 shumë shpejt nëpër male dhe kemi dëgjuar këtë muzikë, muzikën time. Kjo muzikë i shkon shumë maleve të Shqipërisë dhe ka qenë emocion shumë i fortë për mua. Ishte një shoku im që më ftoi atje dhe ka qenë vërtet një ndjesi shumë e fortë. Ishte hera e parë që unë shkova vërtet në Bjeshkët e Namuna.
Pas këtij turi, ku do të fokusohet Elina Duni?
Projekti i radhës është një spektakël që do të bëj solo, do të jem vetëm unë, me kitarë dhe me piano, duke kënduar këngë e gjithashtu duke luajtur teatër. Do të jetë një spektakël që është mbi migrimin dhe emigrantët, të cilët kanë krijuar Zvicrën moderne, që ne njohim sot. Zvicra është ajo që është falë emigrantëve që kanë shkuar që në vitet ’60, që kanë qenë portugezë, italianë, shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë. Është ky ballafaqim me mërgimin, që është dhe një temë aktuale e sotmja me çfarë po ndodh në Siri e gjithashtu ç’po ndodh tek ne, ku shqiptarët fatkeqësisht vazhdojnë të emigrojnë.