Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktorja Bako luan rolin e nënës në familjen në të cilën zhvillohen ngjarjet kryesore të filmit, ku kësaj familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige
Suela Bako, aktore e teatrit, por në vitet e fundit ka pasur një këmbëngulje të rrallë për t’u bërë pjesë e kinematografisë, në role por dhe në produksione të shkurtra, duke pasur vetë regjinë. Puna si duket tani po i jep frytet. Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky çmim i ndarë për Suela Bakon vlerësohet të jetë tejet i rëndësishëm për aktoren shqiptare, duke pasur parasysh se filmi ka dalë nga një konkurrim me një përzgjedhje fantastike të filmave të tjerë që kanë qenë në garë në këtë edicion të këtij festivali.
Regjisori i filmi Steven Kastrissios ka qenë i pranishëm në këtë festival, kurse për çmimin që i është ndarë Suela Bakos ka thënë se gjithmonë e ka ditur se Suela do të fitojë një çmim për punën e saj në filmin Bloodlands. “Ishte vetëm çështje kohe”, është shprehur regjisori, duke kujtuar përvojën e tij përgjatë xhirimeve, ku sipas tij, Suela Bako kishte punuar shumë për të nxjerrë rolin e saj, ashtu sikurse edhe e kërkonte skenari.
“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për dhimbjen që i kanë shkaktuar.
Aktorja Bako luan rolin e nënës në familjen në të cilën zhvillohen ngjarjet kryesore të filmit, ku kësaj familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige. Ngjarja zhvillohet në Tiranë, ku familjet moderne tipike shqiptare bien pre e sulmit të vampirëve të udhëhequr nga shtriga, në rolin e së cilës paraqitet aktorja nga Kosova, Ilire Vinca. Kasta e aktorëve është e gjitha shqiptare dhe i gjithë filmi shfaqet në gjuhën shqipe. Aktorët e tjerë që luajnë në këtë film janë Gëzim Rudi, Emiljano Palali dhe Alesia Xhemalaj.
Filmi
Filmi i regjisorit greko-australian Steven Kastrissios, pritet të shfaqet për publikun shqiptar në muajin qershor. I gjithë kasti i filmit, një prodhim shqiptaro-australian, është shqiptar. Në rolet kryesore interpretojnë Gëzim Rudi, Suela Bako, Emiljano Palali, Ilire Vinca, Dritan Arbana, Alesia Xhemalaj, Enxhi Cuku etj.