Maska e vdekjes prej hallçie e ish-diktatorit Enver Hoxha, shumë shpejt do të ekspozohet në një prej galerive të Muzeut Historik Kombëtar.
Në kohën kur Enver Hoxha kishte vetëm pak ditë që kish vdekur dhe ende vazhdonin të bëheshin homazhe nga populli i përlotur që parakalonte pranë kufomës së tij, në një sallë të madhe me tinguj të muzikës funebre në sfond, dikush nga shokët e tij, apo ndoshta e shoqja, u kujtuan për maskën e allçinjtë që duhej t’i bëhej Enverit.
Një javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, nën drejtimin e Muntaz Dhramit, dy formatorë, realizuan maskën në allci të fytyrës së diktatorit.
Synohej të ruhej kështu, imazhi i fundëm i ‘udhëheqësit’, që të mund të përdorej në të ardhmen për skulptura që do të mund të realizoheshin për nder të tij.
Maska, imazhin e së cilës e botojmë sot sipas disa fotove të realizuara nga gazetari Ben Andoni, tetë vite më parë, nuk të kujton aspak pamjen e tij; mbase se u realizua me urgjencë, mbase ngaqë u realizua në mënyrë sekrete, e mbi të gjitha se kish kaluar një javë që Hoxha qe ndarë nga jeta.
Tradita e ruajtjes së maskës, e nisur me Faraonin Tutankhaum, e vijuar Napoelon Bonapartin e Leninin, u vu në provë edhe në rastin e Hoxhës, në prillin e 1985.