Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Kafe – dialog me Hubert Petit

$
0
0

*****    Një libër me ese, ide dhe debate, i botuar në fillim të vitit nga UET Press, nën titullin Kafe-dialog, me autor Hubert Petit, duket se ka një sinergji të çuditshme, me problematikën dhe idetë që përcjell, me nevojën për një komunikim sa më të shpejtë e të butë midis përfaqësive të tensionuara politike të vendit tonë dhe atyre ndërmjetëse, si dhe gjetjen e mekanizmit për të dalë nga bosh-i.

Kafe – dialog me Hubert Petit

Qysh në hapje të lëndës, autori pohon se procesi i dialogut nga vetë natyra është dhe duhet të mbetet reciprok dhe mësimet e nxjerra nga ai, duhet të shkojnë përtej ndarjeve partiake. Ai pohon se potenciali i dialogut ekziston në vendin tonë, duke përfshirë këtu edhe sferën politike. E rëndësishme është vullneti i mirë dhe metoda e afrimit

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Një libër me ese, ide dhe debate, i botuar në fillim të vitit nga UET Press, nën titullin Kafe-dialog, me autor Hubert Petit, duket se ka një sinergji të çuditshme, me problematikën dhe idetë që përcjell, me nevojën për një komunikim sa më të shpejtë e të butë midis përfaqësive të tensionuara politike të vendit tonë dhe atyre ndërmjetse, si dhe gjetjen e mekanizmit për të dalë nga bosh-i. Libri parashtron shkurtimisht shkaqet e krizës politike, pas pranimit të kandidimit tonë në BE (pjesë e të cilave janë evidente edhe sot) dhe dialogun metodik, jozyrtar, për mënyrën e përshtatjes së jetës taktike me kërkesat e botës moderne nëpërmjet bashkëbisedimit.

Qysh në hapje të lëndës autori pohon se procesi i dialogut nga vetë natyra është dhe duhet të mbetet reciprok dhe mësimet e nxjerra nga ai, duhet të shkojnë përtej ndarjeve partiake. Ai pohon se potenciali i dialogut ekziston në vendin tonë, duke përfshirë këtu edhe sferën politike. E rëndësishme është vullneti i mirë dhe metoda e afrimit. Marrëveshje politike midis shumicës dhe opozitës u arritën, thotë autori nga përvoja, kur të gjithë i kishin humbur shpresat!

Le të shohim tri faktorët kyç që kushtëzojnë përfundimin e një dialogu pozitiv për Hubert Petit:

Besim: pa besim nuk ka rezultat.

Bashkëpunim: dialogu është një punë në grup.

Konsensus: është objektivi dhe mjeti i suksesit.

Dialogu është i nevojshëm për të hapur veprimin, por për këtë duhet të dëgjohen të dyja palët e të gjendet gjuha etike për të shkëmbyer mesazhe dhe jo fyerjet, ngritjet e zërit, shpërthimet! Kështu etika e mire është pjesë e potencialit për zgjidhje.

Një pikë e rëndësishme në këtë proces afrimi dhe komunikimi, është momenti: kur duket se ka afrim, palët e ndërmjetësimit duhet ta kapin atë dhe me mjete të përshtatshme ta rezultojnë.

Mediat janë një pike delikate e dialogut, sipas autorit: ato mund ta akselerojnë procesin e afrimit, por mund edhe të sjellin konfuzion, keqinterpretim ose rrjedhjeje informacioni para kohe, duke penguar kristalizimin për mirë. Prandaj maturia e tyre e ndihmon procesin!

Autori kur flet ka parasysh një seri takimesh jo zyrtare të ndërmjetësuara prej tij, dhe ndoshta një nga arsyet që ato ia dolën të nxjerrin një konsensus, ishte pikërisht pse ishin jozyrtare! Ndoshta mungesa e zyrtarizmit i afron palët pasi heq ngërçin e lartësisë.

Duke kuptuar rolin e ndërmjetësit në këto bisedime, që normalisht janë përfaqësues të SHBA dhe Europës në vendin tonë, ai nuk harron të verë në dukje simpatinë dhe shpresën që populli shqiptar ka për ta. Kështu, ndërmjetësi, nuk është një sunstancë ekstra midis palëve, por një element që do transfuzojë një lëndë që vjen prej dy palëve kundërshtare, me qëllim që ajo të vazhdojë dhe që ruhet si komunikim.

Hapat thelbësore për suksesin e dialogut kanë të bëjnë me përgatitjen paraprake të kushteve të dialogimit, me dialogimin, me përfundimin dhe me hedhjen në letër të përfundimeve të rënies dakord, ku palët edhe firmosin. Por, nëse të gjitha këto momente konsumohen në një të vetëm, pa u përgatitur me përkushtim, sigurisht që kjo tregon se predispozita nuk është për dialogim.

Po çfarë mund ta pengojë predispozitën dialoguese të partive politike?

Nga përvoja që ai kaloi nxjerr dy konkluzione: e para, nuk ekziston kultura e respektimit të interesit të përgjithshëm, domethënë e të kuptuarit se je përfaqësues jo thjesht i një partie, por i një shoqërie të tërë që pret prej teje, edhe nëse je në opozitë, apo pozitë, dhe e dyta, që është e lidhur me të parën, ai dallon elementin e theksuar familjar, ende grupor e klanor, në kulturën tone, që shprehet edhe në lëvizjen politike. Por ndoshta, me gjithë të drejtën që mund të ketë, nuk është moment të theksojmë defektet, por të hedhim ura për kapërcimin, prandaj po listoj disa nga pikat kyçe që ai ka nxjerrë për dialogim me kulture e arritje marrëveshjeje:

Qëndro spektator i angazhuar, madje edhe dëshmitar: Çka do të thotë, mos ndërhy në polemikat e politikës së brendshme, por angazhohu në mënyrë jozyrtare dhe pragmatike për ta lehtësuar dialogun.

Koordino mesazhet publike: Nuk ka gjë më të keqe sesa papajtueshmëria e mesazheve që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar. Përfaqësuesit politikë dhe ata ndërmjetës duhet t´i koordinojnë mesazhet. (në mënyrë sa më të rakorduar dhe do të shtoja me sa më pak pathos!)

Gjej një pretekst të besueshëm: Fillimi i një negociimi duhet të mbështetet mbi një pretekst të besueshëm për të dyja palët kundërshtare, thotë atori, duke treguar se: Thirra, pra, në një takim jozyrtar, përfaqësues nga mazhoranca dhe nga opozita, për të diskutuar mbi problemin e medias, por me synimin e vërtetë dhe konfidencial për të shkuar më tej, në gjetjen e mënyrës më të mirë, për të zhbllokuar institucionet.

Përgatit terrenin: Të vësh punën përpara në një negociim do të duhet gjithashtu, të përgatisësh terrenin, veçanërisht, duke informuar në kohën e duhur partnerët ndërkombëtarë. Kështu u veprua me grupin konsultativ ndërkombëtar OSBE/SHBA/BE/Këshilli i Europës (KE). Hapja ndaj partnerëve nuk është vetëm çështje mirësjelljeje, ajo është, gjithashtu, dhe mbi të gjitha çështje efikasiteti. T’i vendosësh të gjithë “në të njëjtën varkë”, do të thotë që secili do të jetë mëse i interesuar për të arritur shëndoshë e mirë.

Vendos rregullat që në nisje: Gjysmëzyrtarisht hodha idenë e projektit të negociatave të fshehta, për zgjidhjen e problemit të zhbllokimit të institucioneve. Skema do të ishte si vijon: takim i palëve pjesëmarrëse çdo ditë në orën 17; fshehtësi absolute ndaj mediave, kjo e fundit ishte vënë në dijeni vetëm për ndihmën teknike, duke përjashtuar çdo lloj aluzioni për gjendjen e brendshme politike; caktimi nga mazhoranca dhe opozita i tre negociatorëve për seancën e parë të së hënës së ardhshme.

Mos e shty takimin pa një arsye të forte: Mësimi që duhet nxjerrë: mos e ndrysho kalendarin, në rast se nuk ka arsye të fortë për të kundërshtuar.

Kujdesu për logjistikën, mizanskenën: Logjistika, në një negocim, duhet të përbëjë një shqetësim të vazhdueshëm për atë që shërben si moderator, lehtësues apo ndërmjetësues. Negociuesit nuk duhen vendosur ballë përballë, më mirë krah në krah për një objektiv të përbashkët sesa përballë, duke shikuar me inat njeri-tjetrin, apo më keq akoma, duke u sharë hapur me njeri-tjetrin. Mizanskenë do të thotë të simulosh një situatë të ngjashme. (autori thotë se nuk duhet të mungojë kafeja, biskotat etj)

Mëso të reagosh në çast (të jesh hazër xhevap): Në një takim, dialog apo negociim, është e pamundur të parashikosh reagimet e njërës apo tjetrës palë…Le ta lëmë shtypin ta zbrazi thesin, që nuk janë veç hamendësime. Opinioni publik do të jetë më mirë i përgatitur për suksesin e negociatave tona, në rast se arrihet.

Bëj sa më shumë konsulta: Numri i madh i konsultave është nganjëherë i pashmangshëm. E dëshmon këtë, java e parë e negociatave që u hap të hënën…Dhe kështu me radhë…

Prano gabimet: Në kulmin e negociatave mund të ndodhë që të kërkosh më shumë se ç’duhet…Dhe kjo më ka ndodhur, me të vërtetë…  Duhej luftuar për vendosjen e një ekuilibri të ri. Ky ishte çmimi që duhet të paguaja, për gabimin tim në vlerësimin e situatës.

Respekto bashkëfolësin dhe tregoje që po e respekton: Kur je në rolin e lehtësuesit të dialogut nuk mund të kërkosh respektin e bashkëbiseduesve pa treguar, ti i pari, respekt për ata. Mesazhi duhet të jetë i qartë dhe i besueshëm. Unë për vete isha i bindur për këtë: “…Përkushtimi ndaj çështjeve të shtetit meriton respekt, prandaj unë ju respektoj”. Ky do të jetë lajtmotivi im. Nuk është e tepërt ta përsëris. Duhet të jesh vetë i bindur që të bindësh të tjerët. Në të kundërt, kur në një diskutim të zjarrtë, një nga protagonistët ndërkombëtarë tregohet i parespektueshëm, më keq do t’i dalë dhe atmosfera do të acarohet. Do të duhet kohë që dialogu të rifillojë me një ton më të qetë.

Fjalë e dhënë do të thotë që të bësh atë që ke thënë: Në një çast të caktuar, mund të duket se negociata është futur në një rrugë pa krye. Të gjitha përpjekjet paskan qenë të kota. Pikërisht, në këtë kohë do të jetë me vend, të bësh ç’është e mundur, por me shumë kujdes. Dhe kjo ndodhi, kur problemi i kryesimit të komisionit të zgjedhjeve ngeci. Duhej riparë dokumenti dhe të vendosej një ekuilibër i ri. Tensionet ishin rritur një shkallë, e vetmja zgjidhje ishte hedhja për diskutim e një pakete të re…Dhe rezultati është ky, Loja «o fitoj, o humbas» funksionoi.

Fjalët i merr era, shkrimet ngelen: Shkrimet kanë më shumë vlerë se fjalimet, aq më tepër, që takimet për negociata ishin pezulluar. Ndërkohë, propozimet konsensuale, siç ishin përfshirja e partive të vogla apo shtimi i numrit të anëtarëve të komisionit, zunë vendin që duhej në propozimin me shkrim të konsensusit.

Ruaj gjakftohtësinë: Të shumta ishin rastet kur negociatorët e humbisnin durimin apo, thjesht, çoroditeshin… Kujtoj, për shembull, një koleg diplomat, të cilit iu prish mendja kur i thashë mbasdite, se ndoshta do të na duhej ta bënim takimin tonë të fshehtë në fund të ditës dhe më kërkoi t’ia konfirmoja..: “Sepse mbas orës 17 nuk ka njeri që të na shërbejë kafetë”

Ndër të tjera autori thekson se mandati i zgjedhur nga populli duhet respektuar prej ndërmjetësit ndërkombëtarë negociues, por nuk mund të biem dakord me gjuhë sharjesh! Pjesëmarrja në bashkëpunime duhet të ketë sens konstruktiv, interesi duhet të jetë e ardhmja e këtij vendi. Asgjë nuk është e përkryer! Dhe në vend që të elektrizojmë atmosfera, të shohim në mënyrë modeste për përparime, për të kurorëzuar nënshkrimin. Të gjithë presin të rigjejnë qetësinë për ditë më të mira.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708