Sot në mbrëmje, Teatri i Operas dhe Baletit hap siparin e sezonit të ri me premierën e “Don Giovanni”, e cila vjen me regjinë e italianit Mariano Bauduin, e që do të ngjisë në skenë emra të njohur si Eva Golemi, Armando Likaj, Eriona Gjyzeli, Sokol Tomorri etj.
Joshësi më i madh i historisë së njerëzimit rikthehet sonte në mbrëmje në Tiranë, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të çelur sezonin e ri artistik, këtë herë me shije italiane, pasi regjia i është besuar italianit Mariano Bauduin.
Nën petkat e Don Zhuanit dhe Dona Anës vijnë baritoni Armando Likaj dhe sopranoja Eva Golemi, e cila i rikthehet këtij roli pas plot 18 vitesh nga hera e parë.
Opera me dy akte e Mozart vjen me një koncept të ri regjisorial skenografik dhe sa u përket kostumeve.
Bashkë me Likaj dhe Golemin, kastës i bashkohen Ulpiana Aliaj, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli, por edhe artistë të huaj si Marco Ciaponi, Daniele Terenzi dhe Enrico Marchezini. Dirigjimi i orkestrës i është besuar Paolo Carbone, i cili ka bashkëpunuar edhe më parë me orkestrën e TKOB, kurse regjia i përket një tjetër artisti italian, Mariano Bauduin, i cili premton një Don Zhuan ndryshe.
“Ekipi i Teatrit të Operas dhe Baletit më ka mbështetur shumë gjatë gjithë këtyre ditëve. Kam gjetur aprovim në shumë koncepte regjisoriale që kam dashur të sjell për publikun shqiptar. Do të shihni diçka, një Don Giovanni ndryshe në këtë teatër”- është shprehur ai.
Orkestra simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit do të dirigjohet nga Paolo Carbone, i cili mbërrin për herë të dytë në tiranë.
“Bashkëpunimi i parë me Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe artistët e këtij institucioni ka qenë mjaft i mirë. Për këtë u riktheva sërish. Por, këtë herë 2 aktet e operas së Mozartit do t’i sjell sa më afër frymës së tij. Po kujdesem shumë që të mos ngjajë si Verdi.”- ka thënë Paolo Carbone.
“Don Giovanni” Opera me 2 akte nga Wolfgang Amadeus Mozart, shkruar në vitin 1787, dhe shfaqur për herë të parë në vitin 1787.
Don Zhuani, një fisnik i ri, arrogant dhe seksualisht i shthurur, abuzon dhe nëpërkëmb çdo njeri derisa takon diçka që nuk mund ta vrasë ta mundë apo ta manipulojë..
Morali i operas vjen në fund të shfaqjes “ Ky është fundi i një të ligur: vdekja e një mëkatari gjithnjë i përngjan jetës së tij (“Questo è il fin di chi fa mal, e de’ perfidi la morte alla vita è sempre ugual”).
Opera do të shfaqet për publikun edhe në mbrëmjet e 16, 18 dhe 20 shtator.