Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Musa Ramadani në Forumin e UET, bisedë me pedagogë dhe studentë

$
0
0

 

Ramadani: Libri nuk do të zhduket kurrë, edhe pse digjitalizimi është i mrekullueshëm

Pas ceremonisë së akordimit të çmimit “Kadare”, shkrimtari fitues, Musa Ramadani është bërë pjesë e forumit në Klubin Letrar me pedagogë e student të UET-it.  Ramadani ka folur për veprën e tij të fundit, që i dha çmimin, “Profeti nga Praga”, një roman fiction frymëzuar nga shkrimtari çek Franc Kafka, si dhe nga personazhet e veprave kryesore të tij.

Ramadani është ndalur edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, se si kjo distancë letrare asnjëherë nuk ka qenë normale, ndërkohë që institucionet qeveritare, ministritë nënshkruajnë marrëveshje por asnjëherë si ky rast, nuk e kanë bërë konkrete këtë marrëdhënie.

Ramadani: “Franc Kafka është një, është një censor tragjik, jo autocensor, që nga familja prindërit, shokët, institucioni ku ka punuar, si jurist, edhe pse pedant. Vetëm katër tregime janë përkthyer në gjuhën çeke, përndryshe ka qenë i panjohur. Vetëm Metamorfoza është botuar së gjalli. Të gjitha veprat e tjera janë botuar pas vdekjes në Amerikë”.

Shkrimtari ka folur për librin e parë që ka future në Shqipëri, në vitin 1989, por i është zhdukur, nuk ka arritur të qarkullojë. Për këtë moment, Ramdani thotë se ka dëshmitar shkrimtarin Besnik Mustafa që ishte në dijeni të kësaj historie. Ndërsa thotë se “çdo libër i botuar në Prishtinë gjendej në Bibliotekën Kombëtare, gjendej në institucione sikurse të çdo libër i botuar në Shqipëri gjendej në Bibliotekën e Prishtinës, dhe në redaksinë e Rilindjes. Ky ishte monopoli. Ne shkonim fshehtas t’i merrnim librat…”

Studiuesi nga Kosova, Agron Gashi ka folur mbi përvojën krijuese të Musa Ramadanit, të vlerësuar në Kosovë. “Nuk ka studiues të letërsisë në Kosovë, që është serioz, nga vitet ’60, që nuk ka shkruar, shkrime kritike të nivelit akademik për Musa Ramadanit. Secili tekst mbi veprën e tij ndryshon në varësi të qasjes dhe metodës së studimit. Në vitet ’70-të për ne, në Kosovë, Musa Ramadani bashkë me Teki Dervishin, Beqir Musliu, Ymer Shkrelin dhe autorë të tjerë, por në mënyrë të veçantë kjo katërshe sikur i kanë vënë mision vetes të dallohen dhe të japin kontribut në fushën e prozës, poezisë dhe në dramë, madje dhe në pikturë, dhe në fushën e gazetarisë. Pra është një brez që vërtetë ka shpërhtyer…”

Musa Ramdani duke folur për brezin e viteve ’70-të në Kosovë, tha se: Brezi i viteve ’70 ka pasur autorë shumë të mirë. Kur flisnim me Azem Shkrelin e tjerë pos Lorkias, Eseninit nuk shkonin më tutje. Ndërkaq ne ndiqnim revista që dilnin në gjuhët ish jugosllave, kroate, boshnjake etj., por e gjithë gjenerata ime e ka ditur frengjishten Rugova, Sabri Hamiti, dhe ne të tjerët nga pak. Ne lexonim gazetën serbe dhe librat më shumë. Kështu kishim kërkesa të thyenim disa klishe, steriotipe, disa kanone…ndoshta kjo na shtynte të silleshim në mënyrë bohemike, për sa lejohej në atë kohë.”

Për pyetjen se si ndikon letërsia në transformimin e shoqërisë, apo të një vendi, si dhe me ndërhyrjen e teknologjisë përballë librit, letrës, Ramdani u përgjigj: “Letërsia mund ta emancipojë, mund të ndikojë në edukimin, leximin dhe kulturimin e lexuesit. Megjithë këto celularë, kompjutera, internete, unë mund t’ju them se jam një libër i gjallë. Digjitalizimi është i mrekulluyeshëm. Por libri është libër, kur ta prekësh është diçka krejt tjetër,  është një energji, është diçka e çuditshme. Është kënaqësi të shohësh dikë në rrugë me një libër në dorë, siç ndodh në disa vende ku kam pas fatin të shkoj. Në tren, urban, metro, kjo na duhet neve.

Unë e dua muzikën e adhuroj, edhe vizatoje kam nisur në moshën 55 vjeçare, por libri është i pazëvendesueshëm, ka vendin e vet. Libri nuk do të zhduket kurrë. Të gjitha ata që parashohin vdekjen e autorëve dhe të librit,mund të them se jam kundër, sepse  libri është i pazëvendeëshëm, ka vendin e vet dhe do ta ketë. Literatura tek çdo popull, tek çdo letërsi me çfarëdo tradite të gjallë të jetë, është letërsi e mirfilltë letrare, dhe është letërsia përcjellëse, në daçi i thoni letërsi e verdhë, e lehtë, rosë, bulevardeske apo policore. Letërsia e mirfilltë e ka rrugën e vet, as nuk i pengon këto, dhe as këto nuk e pengojnë atë”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708