Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Rudi Erebara: Modestia vezulluese e yjeve

$
0
0

Në letërsinë tonë për herë të parë ndodh të rrëfehet gjithanshëm, ndershmërisht e me objektivitet artistik periudha në fjalë, duke përfshirë si personazhe letrare diktatorin dhe pasuesin e tij, si dhe prototipa më të vegjël letrarë – kopje të zvogëluara, të zvjerdhura të tipave realë historikë, me rëndësi në muzeun e kujtesës komuniste shqiptare

Nga Virion Graçi

Romani i Rudi Erebarës “Epika e yjeve të mëngjesit”- fitues i çmimit europian të letërsisë 2017, është rrëfimi më i gjatë në këtë zhanër prej autorëve të ardhur në skenën tonë letrare në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Duke e marrë në duar mendoja çfarë historie shoqërore mund të jetë e përfshirë në të; sa personazhe lindin e veprojnë në këto qindra faqe, e, më kryesorja – a mund të ketë koherencë, rrjedhshmëri, intensitet në rritje gjatë vizitës në këtë galeri karakteresh, episodesh, ndodhish personale e kolektive?! Romani i tij i parë, i para shtatë viteve, “Vezët e thëllëzës” na e ka premtuar si autor të talentuar, të sigurt në vetvete e fin në sendërtimin e ideve të tij letrare-artistike. Po kështu dëshmohet R. Erebara dhe në romanin Epika…

Po romani vetë, çfarë dëshmon? Nisur nga historia e vërtetë e një piktori të njohur shqiptar, dënuar në periudhën komuniste me burg për ndikime nga kubizmi (??) në pikturën e tij “Epika e yjeve të mëngjesit”, romani me të njëjtin titull sjell ndryshimet, gjendjet sociale, politike, psikologjike e traumatike të ndodhura në vendin tonë në vitet shtatëdhjetë duke nisur me kupolën drejtuese, te shtresa e inteligjencës, te artistët, fshatarët, te punëtoria e te punonjësit e propagandës së partisë-shtet.

Në letërsinë tonë për herë të parë ndodh të rrëfehet gjithanshëm, ndershmërisht e me objektivitet artistik periudha në fjalë duke përfshirë si personazhe letrare diktatorin dhe pasuesin e tij, si dhe prototipa më të vegjël letrarë – kopje të zvogëluara, të zvjerdhura të tipave realë historikë, me rëndësi në muzeun e kujtesës komuniste shqiptare.

Kredon e vet intelektuale, qytetare autori e shpalos në parathënien e librit:  roman për imoralitetin e diktaturës komuniste, për historinë e gjatë të pushtimit të shqiptarëve nga një pushtet e makineri ushtarako-policore e agjenturore shqiptarësh. E pazakonshme dhe për t’u respektuar kjo shpallje e përkatësisë morale, botëkuptimore e etike e autorit mu në prag të rrëfimit të tij madhor. Çfarë zhvillohet pas kësaj deklarate ndershmërie premtuese është letërsi e mirëfilltë, art rrëfimtar epik i arrirë.

Dy janë personazhet të cilat mbartin në vepër dy polet kryesore të botës së atëhershme shqiptare, dy skajet e shoqërisë sonë, piktori Sulejman, alias Edmondi dhe Koci. I pari është pjesa e sakrifikuar e shoqërisë, kurbani klasor e vetjak prej diktaturës; pasuritë e tij familjare janë shpronësuar, grabitur, përvetësuar nga shteti komunist, përfshirë shtëpinë prindërore me kopshtet, pemët e lulet e oborrit; sakrifikimi i tij vijon si punëtor mëditës i specializuar në sektorin e dekoracioneve propagandistike e përmbyllet si i burgosur politik për shkak të një pikture me partizanë që ka realizuar e dorëzuar për ekspozim. Antipodi i tij, Koci, në kujtesën tonë historike është simbiozë e dy figurave të shënuara të enciklopedisë komuniste; simbiozë e Kocit të parë varfanjak, proletari bakërxhi që ndërroi jetë ditën e demonstratës komuniste të Korçës, e automatikisht, numërohet si dëshmori i parë i kësaj lëvizjeje; dhe, Koci i dytë, figurë e rëndësishme e Partisë Komuniste të Shqipërisë, eksponent i shquar i organeve shtypëse, i makinerisë vrasëse të shtetit të ri. Trajektorja e jetës së tij është tipike si e sivëllezërve të tij të idealit, në parti, vdes i vrarë, i helmuar nga shokët e udhëheqjes.

Pavarësisht origjinës klasore e vendit në hierarkinë e kohës, personazhet kryesore të këtij romani demonstrojnë si veti të përbashkët heteroniminë, emrat e dytë si shkurtime, si tjetërsime të identitetit të mëparshëm: Sulejman/Edmond; Enver/Veri; Ramis/Ramish; Ismail/Mali, etj. Emrat e dyzuar bashkëvenë me vetjet e dyta të të njëjtit njeri, me qeniet e burgosura brenda qenies, po aq të gjalla, egoiste, kërkuese, të përçudnuara sa dhe qenia e dukshme, e shpërfaqur në shoqëri konform standardeve të ngrira të shoqërisë socialiste. Por i kemi disa nuancime dhe në këtë mes. Te Sulejmani (piktori i dënuar) emri i dytë Edmond shfaqet si mjet shpëtimi t’i ikë të kaluarës klasore e cila ia pengon jetën, përparimin në shoqërinë e re; njëherësh shfaqet si utopi individuale, si rimishërim i ëndërruar i tipit letrar Edmond Dantes, i cili mundi të kthehej gjallë e bukur nga burgu, mundi t’i ndëshkojë armiqtë, arriti ta restaurojë plotësisht të shkuarën e tij duke bërë drejtësi vetjake kundër një grupi të përbetuarish konspirativë; po kaq, si njeri i rrënjosur me shpirt e mendje në botën e artit, piktori Sulejman e ka mbiquajtur veten Edmond (Dantes) duke e parandjerë të afërt e të sigurt për veten e tij ferrin shqiptar si ai i Dantes.

Duke shkruar për romanin Epika… të R. Erebarës nuk zbulojmë enigma, sekrete intrigash romanore njohja e të cilave e largon lexuesin nga libri. Pjesën kryesore në aspektin sasior në romanin e tij e zënë biseda e veprime të përditshme, deri diku rutinore, pa denduri të dialogut e simbolikë të kamufluar të veprimeve; Rudi e tregon jetën e jetuar me ritmin e ngadaltë, prozaik e të rëndomtë me të cilën ajo ashtu është kryer dikur. Midis fjalësh e shprehjesh të shkujdesura të një jete prozaike, midis veprimesh robotike të ata kryejnë në trekëndëshin paqësor punë-kafene-shtëpi, paranojakët politikë, gjahtarët e fajeve ideologjike, receptorët e çmendur të makinerisë shtypëse-survejuese të shtetit totalitar, krijojnë sipas fantazisë e interesit të tyre pushtet-mbajtës viktimën e radhës, armikun e rrezikshëm, të burgosurin e përjetshëm, të dënuarin me vdekje.

Romani dendësohet mjaft emocionalisht në episodet periodike kur Sulejmani, i vetëm në shtëpi, në errësirë, me ndërgjegje a me pavetëdije, bëhet pikë lidhjeje e kryqëzim kujtimesh mes prindërve të tij të ndjerë, mes lumturisë së dikurshme, e humbur, e përdhosur dhe, mbresave nga jeta e përditshme në atelienë e madhe ku prodhohet kozmetika për fytyrën e lodhur e të përgjakur të sistemit politik të kohës.

“Epika e yjeve të mëngjesit” është roman që nuk ka pretendime filozofuese, manieriste, stilizuese, e mbase kjo modesti e natyrshme ia shton hijeshinë, ia garanton suksesin letrar; por, ajo që na mëson autori me heroin e tij fatkeq përkon frikshëm me çdo kohë ku kufizohet liria dhe dinjiteti njerëzor deri në ekstrem; ai, Sulejman/Edmondi, piktori i talentuar, mu në çastin kur përfundon së bëri përsosmërisht të bukur portretin e diktatorit, në atë çast është i tepërt për diktatorin,  i panevojshëm për shtetin diktatorial, ai e ka kryer dhe shërbimin e fundit ndaj shtypësve të tij e tani i takon shpërblimi i caktuar, burgu, vrasja.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708