Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Agim Faja, piktori emblemë i një qyteti të vogël

$
0
0

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një nga piktorët më të mirë shqiptarë, shndërruar në një emblemë për qytetin e tij të vogël, Shijakun, ndërsa bashkëqytetarët e tij e përcollën dje për në banesën e fundit

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare Agim Faja, i njohur si një nga piktorët më të mirë shqiptarë, shndërruar në një emblemë për qytetin e tij të vogël, Shijakun, ndërsa bashkëqytetarët e tij e përcollën dje për në banesën e fundit. Piktori që njihet si ilustrues i abetares, do mbahet mend prej shumë breza, duke e identifkuar edhe si piktori i abetares. Ndërsa disa nga tablotë e tij qëndrojnë të ekspozuara prej një jave në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit, ku piktori Agim Faja u paraqit së bashku me 14 kolegë më të rinj nga qyteti i Shijakut. I bllokuar në karrige për shkak të shëndetit të rënduar artisti shijakas vazhdonte të vizatonte dhe të shkruante. “Emri i artistit është i lidhur shumë ngushtë me Shijakun, qytetin ku lindi dhe punoi gjithë jetën. Edhe shtëpia e tij mjaft e thjeshtë ndodhet vetëm pak metra larg qendrës së zhurmshme, në një nga rrugët e ngushta që shkojnë drejt periferisë. I mësuar me njerëzit, Agim Faja nuk ishte nga ata artistë që kërkojnë vetminë për të pritur ‘muzën krijuese’ ”, shkruan për të agjencia telegrafike e lajmeve. Në studion e vogël në hyrje të oborrit ka patur vazhdimisht njerëz ndërsa në tavolinën e studios dalloheshin dhjetëra fletë të bardha, të mbushura me një shkrim të bukur e të rregullt sikur të ishin përgatitur në një shtypshkronjë të specializuar. Agim Faja ishte ilustruesi i “Abetares”, librit të parë të fëmijëve shqiptarë për më shumë se 15 vjet. Ilustrimet e tij vinin pas atyre të Abdurrahim Buzës dhe Qamil Guranjakut, të cilët kishin punuar me abetaret pas vitit 1945. Ilustrimet ishin një nga pikat e forta të Piktorit të Merituar Agim Faja. Në vitin 1966 ai merr përsipër të ilustrojë “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve shqiptarë me legjendat e Mujit e Halilit, me zanat  dhe orët e malit. Gjithsej 35, të gjitha origjinalet e ilustrimeve që janë riprodhuar me mijëra herë në faqet e librit të Mitrushit të madh, Agimi i Shijakut i ka vendosur pas xhamave të mbërthyer në mur. Bashkë me to kanë zënë vend tablo të ndryshme, vizatime, studime e punime të hershme. Në 55 vjet karrierë artistike, Agim Faja ka hapur 11 ekspozita, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore. Disa vjet më parë bashkë me djemtë Arditin dhe Ergysin dhe me nipin Francin, edhe ata piktorë, artistët Faja përkujtuan në Shijak 50-vjetorin e ekspozitës së parë figurative në qytetin e vogël. Agimi do të mbahet mend gjatë edhe për kontributin në hartimin e historisë së Shijakut, një vepër në 5 vëllime, ku janë grumbulluar prej vitesh kujtime nga të moshuarit, grimca folklori të zonës, dokumente dhe foto, një pjesë e të cilave janë botuar në formën e broshurave.

 

Jaho Brahaj: Agim Faja, piktori i abetares

“Ikja e një Miku dhe Personaliteti të pikturës shqiptare është një lajm i trishtë. Ruaj kujtimet e paharruara nga takimi me kërkesën e tij, pasi unë kisha përgatitur nga dorëshkrimi dhe botuar novelën e Sh. Gjeçovit “Mnera e Prezës”. Përgatitja dhe botimi i kësaj vepre me subjekt nga jeta e Shqipërisë së Mesme e kishte emocionuar dhe gëzuar piktorin. Ai kishte shkruar dhe realizuar disa skica për legjendën mbi të cilën ishte ngritur subjekti i kësaj novele, por kur kishte lexuar novelën ishte tepër entuziast për një botim të kësaj vepre me ilustrime nga dora e tij dhe filloi punën me pasion. Vepra do ishte rivlerësuar me dyzimin tek autori i novelës dhe ilustrimi mjeshtëror. Ruaj një fotokopje të një skice të projektit të tij me ketë temë. Mjerisht nuk u sigurua një fond modest për realizimin e këtij projekti. Më ka nderuar me një vlerë të veçantë për mua, një kompozim të tij “Gratë lajnë rrobat në lumë”, që më dhuroi edhe si shkëmbim për kënaqësinë që i kishte dhanë botimi i kësaj vepre të Gjeçovit. Brezi im ishte njohur me profesor Fajën që në klasën e parë. Abetarja me të cilën mësuam abc-në… ishte ilustrim mjeshtëror i Agim Fajës. Lamtumirë miku i mirë.”

 

Një shënim peng për Agim Fajën 

Nga Flutura Açka

Një javë më parë, siç më ndodh shpesh kur jam jashtë, nga shkujdesja ndaj telefonit, e kisha humbur një telefonatë nga miku im Agim Faja. E pashë shumë më vonë se ora 10.28 kur ai kishte telefonuar. Ndaj i shkrova një sms: “I dashur Agim… ”  dhe mes të tjerash i kërkoja leje nëse mund ta botoj një foto nga të fundit që bëra me të, bashkë me një shënim të vogël të dashurisë dhe admirimit tim për të, dhe se do të vija ta takoja së shpejti. Nuk mora përgjigje, dhe kam një peng të madh se nuk do ta marr më përgjigjen. E kisha bërë rutinë të shkoja shpesh dhe ta takoja në studion e tij. Më telefononte shpesh, më shume ai me atë kujdesin e tij të patëdytë, thjesht për t’ia dëgjuar zërin njërit-tjetrit. Me Agim Fajën jam takuar shpesh në studion e tij në Shijak dhe gjithnjë e kam vërejtur se edhe pse baritja ime shkonte nëpër një hapësirë më të gjerë se ç’ishte studioja a tij e vogël, ai ishte përherë më i informuar se unë mbi botën e madhe, me të mund të flisje gjithçka, por për politikë më pak se për gjithçka. Rrethuar nga shënime të pafundme të radhuar tashmë në fashikuj të lidhur bukur si ai dinte, mes pikturave të tij, ca edhe nudo të fshehura dikur në të ritë e tij, mes një dashurie dhe përkushtimi të rrallë si e bijve të tij dhe mes kujtimeve që dinte si t’i mbronte dhe çmonte në përkryerje, Agim Fajën e gjeje në punë, edhe pse të tetëdhjetat e tij e kufizonin. Dhe në çast, në tryezën e tij të mbushur me botën e tij pikturike, një tryezë pune që i ngjante një koleksioni të çuditshëm me përmasën e një minibote, nga kujdesi i Durries, së shoqes, sa ishte gjallë, dhe më vonë të birit, Arditit, në tryezë ia behnin gjithfarë pijesh, ëmbëlsirash e frutash mikpritjeje, që e sfidonin për ca çaste shtrëngesën që i ka shoqëruar gjithë jetën artistët e vërtetë shqiptarë. Në jetë më ka ndodhur rrallë të takoj njerëz që të kenë një respekt të tillë për kulturën dhe historinë shqiptare si ai. Agim Faja ishte një piktor i mrekullueshëm, por dhe një njeri aq i dashur. Por ishte edhe një muze i gjallë. Dhe ka lënë pas një muze të vyer. Agim Faja nuk kishte kompjuter që të të habiste me virtualitetin e ftohtë dhe fantazmagorik të dizajnit të sotëm, vazhdonte ashtu me penë e bojëra shkollën e tij “të vjetër” për të cilën botën do ta zërë gjithmonë malli, edhe pse me shkëlqimin e tyre që zë pluhur ndonjëherë në këndin e relikteve, na ndjell një emocion akut kur e ndeshim dhe na bën të na kalojnë një grimherë sindromën e Stendalit, siç më bënin nudot dhe pikturat e hershme në studion e Agim Fajës, që nuk kishin vetëm peshën e dikurshme të emocioneve të tij, por të secilit prej nesh kur jemi tërësisht vetvetja. Unë nuk e di nëse i kam të sakta shënimet e takimeve me Agim Fajën, por di që Agim Faja mbante me kujdes çdo detaj të jetës së tij, pasi për të çdo çast kishte vlerën që i jep vetë njeriu, dhe për një punëtor të madh si ai çdo çast kishte një peshë specifike të tillë, të pazakontë mes shqiptarësh. Do të më mungosh miku im, tani kthesën për Shijak do ta marr më rrallë, por ajo studio e vogël në shtëpinë e vjetër në Shijak, është ndër gjërat që do ta vizitoj përherë me mall.

U prefsh në paqe miku im, Agim Faja!

Utrecht, 28 qershor 2017

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708