Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Dalin fotot e retushuara të Marubëve nga Zogu deri tek Enveri

$
0
0

Fotografitë e retushuara të arkivës së Marubit do të jenë në qendër të një ekspozite e cila tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur. Kjo ekspozitë vjen e kuruar nga Luçjano Bedeni, drejtor i Muzeut Marubi

Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes procesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit. Drejtori i Muzeut të Marubit, Luçiano Bedeni flet kështu mbi teknikën dhe metodat e hershme kur nisi manipulimi i fotografisë, duke na sjellë përmes kësaj historie, për herë të parë në një dokumentim publik fotot e retushuara të arkivës së Marubit.

“Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së procesit të manipulimit. Historikisht fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’ia mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800”, tregon Bedeni. Ndërsa ka vendosur këtë synim historik, Bedeni është dhe kurator i ekspozitës të quajtur “Manipulim”, duke treguar se në vitin 2013 disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve.

Në fjalën kuratoriale që shoqëron këtë ekspozitë tregohet se fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri.

Kështu thuhet se fotografia e Pietro Marubbit e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon njëherë si klient, njëherë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë thotë Bedeni që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës.

“Fotografia e portretit të Pietros vendosur në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotik afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave. Eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega”.

Po ashtu, kuratori flet edhe për imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë që u realizuan më 1938 nga Keli që, iu nënshtruan gjithashtu procesit të retushit me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. “Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec te fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten. Dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve”, shkruan Bedeni.

Sipas kuratorit një ndër qëllimet e retushimit ishte edhe eliminimi i “armiqve të popullit” nga fotografitë. Ja si e raporton këtë situatë Bedeni: Këtë praktikë e gjejmë edhe në vendet e tjera të bllokut lindor, si në rastin e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste (1944 – 1991). Me fillimin e shtetëzimeve u krijuan Repartet Fotografike (1952) të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Fotografët të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private, qenë të detyruar t’i dorëzonin koleksionet fotografike dhe të punonin për shtetin. Pjesë e këtyre Reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit të cilët kishin për qëllim survejimin e procesit. Kjo “makineri” propagande bëri që as fotografitë e Marubëve të mos i shpëtonin dot teknikës së retushimit me qëllim censurën ose propagandën politike që ishte përhapur masivisht. Albumi me fotografi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), hapet me njërën prej fotografive më spektakolare të manipulimit gjatë regjimit komunist. Personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalimet përshëndetëse me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936, ishin fshirë të gjithë duke na shfaqur vetëm diktatorin shqiptar Enver Hoxha tek mbante një fjalim. Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubit të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923, ku nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta”. Në fund të fjalës së tij kuratoriale, Bedeni thotë se kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur.

V.M


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708