Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Premierë botërore “DODA”: Për Baronin vjenez që u propozua Mbret i Shqipërisë

$
0
0

Baroni vjenez 55-vjeçar vret sekretarin e tij shqiptar, Bajazid Elmas Doda, në banesën e tij…rasti unik i dashurisë mes dy burrave, në Shqipërinë e fillimshekullit XX, shoqëruar me aventura e bëma në historinë tonë, propozuar për t’u bërë Mbret i Shqipërisë, duke shkruar 180 libra; spiun, politikan, ushtarak që udhëtoi dhe dokumentoi në foto të rralla rajonin dhe Shqipërinë, baroni Dr. Franc Nopça – nesër kjo histori në Prizren premierë botërore në dokumentarin “Doda”

Më datën 26 prill 1933 gazeta Neue Freie Presse e Vjenës botoi artikullin e mëposhtëm:

“Drama e përgjakshme në rrugën Singer. Studiuesi si vrasës dhe vetëvrasës. Siç u njoftua, Privatdocent (Baron) Dr. Franc Nopça, pesëdhjetepesëvjeçar, vrau dje paradite sekretarin e tij afatgjatë, shqiptarin dyzetepesëvjeçar Bajazid Elmas Doda, në banesën e tij në katin e tretë të shtëpisë së parë në rrugën Singer, numër 12, dhe pastaj vrau veten para tavolinës së dhomës së punës me një të shtënë në gojë. Nga hulumtimi mjekësor zyrtar doli që sekretari kishte pësuar dy të shtëna gati në të njëjtin vend në tëmblën e majtë, të cilët shpuan kafkën krejtësisht, kështu që fisheku, pas daljes nga koka, ngeli në jastëkun e karriges…”, kjo është kronika më dramatike e dijetarit vjenez që ndodhej në Shqipërinë e Veriut në fillim të shekullit të kaluar jo vetëm për arsye personale apo shkencore, por ishte aktiv edhe në fushën politike…kur për pak po bëhej Mbret i Shqipërisë. Franc Baron Nopca, kjo figurë e rrallë me një shenjë tragjike nga pas është shndërruar për herë të parë në një histori dokumentare, premiera botërore e së cilës do të jetë nesër në mbrëmje duke garuar në kategorinë e filmit dokumentar të DokuFest 2017. Franz Baron Nopça shkroi 180 libra dhe artikuj dhe arriti të publikojë rreth 150. Një politikan, një spiun, një ushtarak, që bënte punë në Rumani, Maqedoni, Shqipëri… ashtu sikur kishte thënë një shkencëtar italian për Nopçan: “ai ishte si kometë, lëvizte shumë shpejt dhe sillte dritë për të tjerët”. Ky dokumentar është për jetën dhe aventurat e tij, bashkë me partneren dhe sekretaren, shqiptarin e veriut, Bayazid Elmas Doda. Në një shkresë policie, Nopça pas aktit të vrasjes dha këtë deklaratë: “Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flente gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë duke qenë se ai do të kishte vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet”.

Më 1913, Nopça u propozua kandidat për postin e mbretit të Shqipërisë duke qenë se kishte njohuri të thella dhe mjaft mbështetje në Veri. Por, siç shkruan albanologu Robert Elsie, ai tërhoqi kandidaturën, siç thotë, nga inati për copëtimin e Shqipërisë. Sipas Nopçës, krijimi i shtetit shqiptar siç doli nga Konferenca e Londrës ishte lindja e një foshnje pa jetë. Kështu përfundoi angazhimi politik i tij për Shqipërinë. Pas Luftës së Parë Botërore, Nopça jetoi në Budapest dhe pastaj në Vjenë ku është marrë kryesisht me punën shkencore, ndër të tjerat edhe me veprat themelore të albanologjisë. Nopça u bë i njohur gjithashtu si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij. Botimet e tij albanologjike nga vitet 1907 deri në 1932 u përqendruan kryesisht në fushat e mëposhtme: parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare. Shkencëtari dhe albanologu hungarez, Baroni Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe në jug të Ballkanit (Bosnjë, Kosovë, Maqedoni, Serbi) midis vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore. Gjatë udhëtimeve të shumta në malësinë e Shqipërisë së veriut mori me vete jo vetëm një pushkë por edhe një “kodak” me të cilën sot studiuesi Robert Elsie i ka përmbledhur në një koleksion fotot e tij të rralla nga rajoni. Ndërsa origjinalët e fotografive prej xhamit ndodhen në Muzeun Hungarez të Historisë Natyrore (Magyar Természettudományi Múzeum) në Budapesht.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708