‘Dasma e shtyrë’ titullohet një prej filmave, ku ka interpretuar në vitin 1984, ndërsa martesën e quan zgjedhje që shpesh mund të jetë edhe fatale. Aktori i teatrit dhe i kinemasë zbulon jetën e tij të vërtetë përtej roleve të shumtë që zëfillin prej moshës 11 –vjeçare , me trupën e teatrit “Skampa”, ku i ati artisti i popullit Lec Shllaku qe regjisor , për të mos u ndalur më kurrë si mbi skenë, pas saj dhe në sheshxhirim. Dashuria e parë që ende dhemb, e humbur kushedi ku, përkufizimi i gruas në një këngë krejt të pagjasë që mban titullin “I maschi” …
E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?
Po, po fare mirë, shumë herët. Nuk di asgjë për të. Një kujtesë që dhemb kudo që ta prekësh.
Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?
Do t’isha unik sikur të ndodhte kështu.
Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?
Janë solare; jo vetëm në ngjyrë, por edhe në shpirt.
Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?
Nuk vjen nga hiçi, ka në gjenezë qytetari.
Ç’do të thotë për një burrë “dashuria kalon nga stomaku?
S’dua ta besoj kurrë këtë thënie! E urrej! Primitivitet.
Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?
Zgjedhje që rezulton shpeshherë fatale.
Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?
Pashmangshmëri e natyrshme.
Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?
Stacion ku fillon ndërprerja e udhëtimit të mundimshëm.
Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?
As nuk duhet të e guxojmë ta përziejmë me leksin Nënë.
Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo?
“I maschi” Gianna Nanini.
Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?
Vazhdoj të bëj gjithnjë; krijimtaria artistike është dhuratë e shtrenjtë për partnerin e për publikun.
Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?
Jo, jo…vetëm aq.
Kur i thoni një gruaje që e doni?
Kur intelekti i saj vjen nga e ardhmja.
Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)
Kurrë nuk kam ide të gabuar për veten. E kam pasur në divorc të vazhdueshëm Bovarizmin. Vetëm induksion mbi shpellat katastrofike të servir.
Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macbeth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?
Nuk jam aq i pashpirt të bëj retush mbi finalen e Shekspirit në veprën e Makbethit.
Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?
Ndofta po, ndofta jo. Varet së tepërmi nga anatomia e shpirtit në atë periudhë.
Më mirë një shef apo një shefe?
Do preferoja një robot. Do isha kureshtar për thashethemet e kësaj përzgjedhjeje.
Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?
Burrat janë oshilantë, ndaj pas martese ndryshojnë sa nuk u beson syve.
Çfarë konsideroni seksi te një grua?
Inteligjencën e femininitetin klasik.
Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?
Na doni apo na shihni si ‘pasatempo’?
Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?
Mirë bëjnë, por kur përgjigjen?! Shumë herë ndjej dëshpërim.