Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Nudoja: Historia e njerëzimit të zhveshur në art

$
0
0

Pavarësisht teknologjisë, zhvillimeve, epokave që ndërrohen, rrymave që ia lënë vendin njëra-tjetrës,  interesi për nudon nuk  do të zbehet kurrë. Nudoja do të ekzistojë sa të ekzistojë njeriu dhe…për sa kohë njeriu të jetë artist. Maks Velo, Arben Bajo dhe Fahredin Spahija, tre artistë që e kanë lëvruar nudon në artin e tyre flasin për këtë kërkim të pandalshëm të përsosmërisë, që fshihet në format e lakuriqta të trupit njerëzor

Nga Suadela Balliu, Madame Mapo 

Nuk lindi në Greqinë e lashtë, për t’u zhdukur , rishfaqur e  për të mos ikur më kurrë në Rilindje. Joshja e artit  me trupin e zhveshur daton mbase prej fillesave të  llojit njerëzor  në tokë. Aq sa ka ardhur e dëshmuar, përmes një statuje të vogël prej 11 centimetrash të një trupi të kolmë e të lakuriqtë  gruaje e njohur si Venera e Willendrorf-it, flet të paktën për 28 mijë vjet histori të pranisë së nudos në art.

Të tjera figura që përfaqësonin hyjni pjellore, të gjetura prej gërmimeve arkeologjike u pagëzuan si të tilla, Venera. Perëndeshat e zhveshura i gjejmë në artin babilonas e atë të Egjiptit të lashtë. Të tjera , shpesh në poza qartësisht seksuale, vijnë nga tempuj indianë e po ashtu nga gdhendjet  në dru të artit japonez.

Perënditë ishin ata që mundeshin të gdhendeshin në gjithë madhështinë e tyre, të zhveshur, por jo të vdekshmit e zakonshëm. Derisa grekët e lashtë nisën të kremtonin kurmet njerëzore në gara sportive e festivale religjiozë. Atletë e luftëtarë përjetësoheshin në shtatore që shpesh i tejkalonin përmasat reale, për të ardhur si dëshmi e sensit të së bukurës të qytetërimeve antikë, deri në ditët e sotme si një komunikim që i kapërcen dhe rrëzon hendeqet e kohës.

Gruaja e zhveshur ( por gjithnjë hyjnore) në artin helen –ku  shoqëria lëvdonte më së shumti bukurinë mashkullore –mbërrin  më vonë. Praksiteli është i pari që i heq cohën me cilën mbuloheshin deri atëherë perëndeshat greke, duke krijuar të parën skulpturë nudo femërore të Afërditës së Knidusit, krijuar më  360-340. Ishte ky hapi i parë që e ktheu më pas në dukuri të zakontë nudon femërore në artin helen.

E parë rrallë gjatë Mesjetës – edhe pse magjepsja pas nudos nuk u zhduk më prej artit në asnjë epokë  – nudoja femërore u rishfaq  me plot shkëlqimin e saj në Italinë e shekullit të 15 –të. Fill pas kësaj, eroticizmi u bë shumë i ndjeshëm  në piktura si Venera e fjetur e Giorgone-s ( 1510) që e vendoset nudon e mbështetur në peizazhe idilike apo seria e Danaes, nga Titani (1553-1556). Këto vepra frymëzuan shumë nudo të mbështetura në shekujt që erdhën pas. Në shekullin e  19 –të, lëvizja orientaliste i shtoi një tjetër nudo të mbështetur subjekteve të pikturave europiane, odaliskën, vajzën e haremit. Më e famshmja është  “Odaliska e Madhe”, pikturuar nga Ingres më  1814 –ën.

Gjithnjë në ngritje, në eksplorim të formave të reja, kompozimeve, ngjyrave apo rrymave, artistët i kanë sjellë arteve figurative disa prej kryeveprave botërore , të trupit të zhveshur njerëzor. Boticcelli, Titan, Albrecht Durer, Michelangelo, Rubens, Rembrant, Goya, Renoir, Rodin, Schielle, Modigliani, Lucien Freud janë disa nga emrat  që shkruan historinë e nudos nga Rilindja e deri në bashkëkohësi.

“Davidi” i Mikelanxhelos, “Mendimtari” i Rodenit, “Lindja e Venerës” e Botiçelit, “Nudo që zbret shkallëve” e Duchampit një replikë të së cilës e ka realizuar edhe gjeniu i fotografisë shqiptare Gjon Mili, janë vetëm disa nga kryeveprat e artit botëror me temën nudo.

Por çfarë i tërheq aq fort drejt nudos artistë apo kundrues?

Autori britanik, historian arti,  Kenneth Clark  shprehej se  seksualiteti është pjesë e tërheqjes së nudos si subjekt arti, duke thënë “asnjë nudo, dado abstrakte, nuk mund të dështojë në ngjallë te spektatori pak ndjesi erotike, edhe sikur të jetë hija më e zbehtë dhe nëse nuk e bën këtë është art i keq dhe moral i rremë”.

I pamungueshëm edhe në Shqipëri lëvrimi i këtij zhanri, megjithë vështirësitë dhe specifikat që kaloi arti dhe artistë si pjesë e nj shoqërie nën censurë e vëzhgim të pandërprerë prej instancave shtetërore. Përtej kërkesave të propagandës së makinës –shtet, për heronj madhështorë, të lavdishëm, njeriun e ri, kishte jo pak artistë që tentonin t’i arratiseshin Realizmit Socialist,  të paktën brenda studios së tyre. Nëse kapeshin, mund t’u ndodhte si skulptorit Janaq Pacco , të cilin e detyruan t’i thyente me duart e tij serinë e  10 nudove femërore.

Megjithatë kish pasur edhe një kohë lulëzimi, fill pas krijimit të Institutit të Arteve ku studentët mësonin të pikturonin nudo me modelë përpara.  Maks Velo rregën se  nudot e para i ka realizuar atë kohë, në shkollë , që edhe pse ia dogjën apo sekuestruan pikturat, disa prej tyre i ka realizuar sërish kur iu kthyen sendet dhe posedimet e konfiskuara pas rënies së regjimit.

“Ishte si një shpërthim i nëndheshëm,  i pavetëdijshëm, si një çarje primitive… U ktheva në një njeri i shpellave. Kur punoj nudo, jam një i hipnotizuar në përgjithësi” –rrëfen  Maks Velo, i cili ka lëvruar nudon në krijitmarinë e tij, jo vetëm në pikturë por edhe skulpturë.

Një tjetër artist që e nisi rrugëtimin  me artin gjatë regjimit komunist është edhe skulptorit Arben Bajo. Megjithëse ishin vitet e fundit  ’80 dhe ndjehej se çlirimi nga dogmat ishte pranë.

“E ndërtuar në atelietë e Akademisë së Arteve në Tiranë, skulptura e Bajos guxoi të ishte ndryshe në ato vite kur edhe studentë të tjerë shqiptarë po vinin në diskutim gjuhën plastike e stereotipale të metodës së Realizmit Socialist. Para kësaj, për dekada të gjata e të trishta, artistët shqiptarë ishin përshtatur me statusquo-në e orientuar shtetërore, për të konkluduar në një produkt të shumtë në numër, monumental e glorifikues” -kështu e përshkruan skulpturën e Bajos, Ermir Hoxha.

Në një tjetër atmosferë të zhvillimeve të arteve  dhe politike, e ngjizi dhe e zhvilloi karrierën e tij artistike Fahredin Spahija, që diplomën e tij në artet figurative në Prishtinë, e ka përshtatur me mbase me krijimin më të mahnitshëm të moderniteti; aparatin fotografik.

“Trupi i njeriut është krijimi më sublim dhe më kompleks,  por njëkohësisht edhe më i bukuri që ka ba Perëndia, ndër tana krijesat tjera kurse ai femërori është pasuruar me forma e linja për ta dalluar nga ai mashkullori”- thotë Spahija, duke pranuar se nudoja zë vend qendror në krijimtarinë e tij artistike dhe se prej katër vjetësh po zhvillon një teknikë krejt origjinale me akull.

Megjithë pluralizmin jo vetëm politik, por edhe atë të lëvrimit të zhanreve artistike apo të të menduarit dhe parë botën, artistët vënë re se nudoja ende në Shqipëri shihet me rezerva, të paktën në artet figurative.

Ata shpjegojnë sesi nudoja  e tyre nuk ka të bëjë me lakuriqësinë vetëm si të tillë, apo me zgjimin e epsheve, por çon drejt një të kuptuari të ri dhe magjepsje me misterin që mban trupi i njeriut, në kërkim të pandalshëm të përsosmërisë…për t’u ndjerë pak krijues.

Pavarësisht teknologjisë, zhvillimeve, epokave që ndërrohen, rrymave që ia lënë vendin njëra-tjetrës,  interesi nuk do të zbehet kurrë prej nudos  e cila sipas Maks Velos do të ekzistojë sa të ekzistojë njeriu dhe…për sa kohë njeriu të jetë artist.

Maks Velo: Kur pikturoja nudo në vitin 1963

 

Arben Bajo: Skulptori pas nudos melankolike

Fahredin Spahija: Nudoja në kohën e akullit


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708