Aliçka, Kongoli, Vehbiu, Lleshanaku dhe Vasili, janë pesë autorë, veprat e të cilëve do të përkthehen në gjuhë të huaj me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Kjo e fundit shpalli dje fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj. E rikonfirmuar në postin e ministres së Kulturës në Qeverinë “Rama 2”, Mirela Kumbaro, e bashkë me të dhe i gjithë stafi i saj, të çliruar nga ankthi i ndonjë ndryshimi të mundshëm, kanë vijuar punën aty ku e kanë lënë.
Që të nesërmen e rikonfirmimit, Kumbaro u paraqit në ministri (siç e ka bërë edhe më parë), për të vijuar me aktivitetin e ditës dhe qëlloi që të ishte, si për këmbë të mbarë, një takim me pesë autorë të rinj, të prozës së gjatë e të shkurtër e poezisë. Bëhet fjalë për fituesit e Fondit për Krijimtarinë Letrare për të Rinj (Manjola Nasi, Saimir Muzhaka, Belfjore Qose, Eris Rusi, Elona Çuliq).
Ndërsa dje u shpall lista e pesë autorëve dhe pesë veprave që do të kenë mundësi të përkthehen dhe të promovohen në një tjetër gjuhë për vitin 2017. Si pas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, kjo listë vjen si “vijim i politikave kulturore në mbështetje të autorit shqiptar dhe të promovimit të letrave shqipe jashtë vendit, si dhe në përkrahje të përkthyesve dhe shtëpive të huaja botuese të interesuara në përkthimin e letërsisë shqipe”.
Po ashtu, qëllimi i këtij fondi është “t’u vijë në ndihmë përkthyesve të huaj që janë të interesuar të përkthejnë nga gjuha shqipe, si t’u lehtësojë kostot e botimit botuesve që marrin përsipër t’u ofrojnë lexuesve të huaj vepra të letërsisë shqipe”. Mësohet se nga 8 aplikime të shtëpive botuese të huaja, u përzgjodhën 5 prej tyre, të cilët kaluan fazën e seleksionimit.
VEPRAT
Romane, përmbledhje me poezi, por edhe intervista nga burgu. Fondi i përkthimit nga gjuha shqipe në atë të huaj u ka dhënë të drejtën e botimit pesë veprave, të botuara në shqip gjatë viteve të fundit.
Një ndër to është “Rrëfenja me ndërkombëtarë” i Ylljet Aliçkës, i cili është kërkuar nga shtëpia botuese italiane, “Rubbettino Editore”. Një roman që “u nxjerr të palarat” trupave diplomatike në Shqipëri, që jo rrallëherë trajtohen si perëndi në vendin tonë.
Si ish-diplomat, ai zbulon sekrete e prapaskena nga jeta dhe veprimtaria brenda këtyre hapësirave ndërkombëtare. “Bolero në vilën e pleqve”, një roman nga Fatos Kongoli, do të përkthehet po ashtu në gjuhën italiane dhe do të botohet nga “Salento Books”. Një roman psikologjik, që e shikon jetën përmes disa perspektivash.
“Plethora Editions” do të botojë “Ndërhyrjet e zotit Shyti” nga Adrian Vehbiu. Një përmbledhje përsiatjesh mbi tema të ndryshme, ku nuk mungon edhe një ton ironik. Luljeta Lleshanaku do të flasë spanjisht me poezitë e saj. Një “Përmbledhje poetike” do të botohet nga “Editorial Argonáutica”.
Tërësisht ndryshe nga katër të parët, vjen libri i Eni Vasilit, për botimin e të cilit ka shprehur interes, po ashtu, shtëpia botuese italiane “Salento Books”. “Unë kam vrarë” është një përmbledhje intervistash të realizuara nga gazetarja Eni Vasili, me gra që vuajnë dënimin me burg, për shkak të krimit të vrasjes.
Janë intervista të mbushura me përjetimin personal të gazetares, të cilat nuk të bëjnë të urresh autoren e krimit, por injorancën dhe varfërinë që i shtyjnë drejt veprimesh, për pasojat e të cilave, ato as e kanë idenë./Panorama/