“Lala Meredith-Vula, Urtësi sot e mot” – ekspozitë personale e Lala Meredith-Vula, e kuruar nga Monika Szewczyk, hapet të premten më 20 nëntor. Janë dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith-Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku). Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14, por ekspozita që paraqitet është vlerësuar nga organizatorët se përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku
Fjalët që karakterizojnë ekspozitën e Lala Meredith-Vula në Muzeun Marubi në Shkodër i gjejmë të shkruara mbi një pankartë, në njërën nga fotografitë që artistja shqiptaro-angleze shkrepi në Vranjevc të Prishtinës, më 4 maj 1990. Ato shprehin parimet që udhëheqin një transformim historik delikat brenda një komuniteti. Këto fjalë duket sikur përkojnë me të gjithë punën artistike të Meredith-Vula, e cila na paraqitet në të njëjtën kohë imediate dhe e çdokohshme, duke u integruar me procese të ngadalshme që kërkojnë një shoqëri të gatshme për të pranuar ndryshimet si dhe bashkëveprim me tokën, duke përfshirë këtu edhe materialet natyrore që ajo ofron.
Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme, Freeze me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katërvjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat kosovarë, ku ajo filloi të fotografonte mullarët. Në këto forma agrare, ajo kishte gjetur “thelbin e veprës së artit”. E nëse dëshironte të rilidhej me atdheun e saj, një dëshirë e tillë abstrakte duhej të rrënjoset diku thellë në tokë, ashtu si vetë mullarët.
Pas tri dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma. Por roli i Meredith-Vula si dëshmitare u transformua kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjakrave në rajonin ku kishte fotografuar mullarët. Kjo është ndarja që bën kuratorja Monika Szewcyzk për ekspozitën personale të fotografes së njohur me origjinë shqiptare, Lala Meredith-Vulës, që pritet të hapet më 20 tetor në mjediset e Muzeut Marubi, me një logo unike “Urtësi sot e mot”. Kjo ekspozitë sjell te “Marubi” dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith- Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku). Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14, por ekspozita që paraqitet është vlerësuar nga organizatorët se përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përveç tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula dhe trashëgimisë së pasur të dinastisë Marubi.
“Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studiuesit Anton Çeta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremoniale, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe komunitetet”, thuhet në fjalën e kuratores.
Bashkëbisedimet e hapura janë shumë të rëndësishme për artin dhe për ndërtimin e ekspozitave. Edi Hila, piktori i mirënjohur shqiptar dhe profesor i gjeneratave më të reja të artistëve që kanë studiuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, është shprehur mbi fotografitë e mullarëve të mikes dhe artistes. Hila ka komentuar: “Lala ndërton një dialog me secilin nga mullarët. Ata personifikojnë atë çfarë Lala ka parë dhe çka i kanë thënë asaj”. Ndërkohë, pjesëmarrja e Meredith-Vula në documenta 14, si dhe ekspozita e saj në Muzeun Marubi u mundësua nga sugjerimi i Erzen Shkollollit, i cili në rolin e tij si këshilltar kuratorial në documenta 14 ishte i pari që ia prezantoi punën e fotografes, ekipit të kuratorëve të documenta 14.