Fotot bardhezi nga Shqipëria nuk ndalen për herë të parë në aparatin fotografik të Virginë Caquot; pas mbylljes së ekspozitës në Paris “Histori pa fjalë”, ka sjellë episode të jetës së përditshme, por dhe një reflektim arkitekturor çfarë po ndodh në transformimin e qytetit shqiptar
Fotografia artistike si reflektim, emocion, udhëtim në jo pak raste ndërton vizionin estetik duke u shndërruar pothuaj në një përfaqësuese e dëshmive transformuese. Shqipëria mund të jetë vendi ideal për ta stimuluar këtë, edhe pse ekstremet urbane dhe arkitekturore kalojnë në një histori. Në këta interesa ka lëvizur, udhëtuar prej 2015 fotografja franceze Virginë Caquot duke ritreguar në bardhezi Shqipërinë e saj, atë që e shikon si “vendi i shqiponjave”. Kjo tërheqje është shfaqur së pari në Paris, kur para pak ditësh Caquot ka mbyllur ekspozitën e saj “Histori pa fjalë”, duke afruar intuitën pariziene drejt ekzotikës së përditshme shqiptare, si në të shumtën e rasteve, çudibërëse.
Ky udhëtim trevjeçar vjen edhe në Tiranë, në ekspozitën që hapët nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve, “Në vendin e shqiponjave, 2015-2017” e organizuar nga GKA në bashkëpunim me z. Rezart Jasa, koordinator i marrëveshjes “Les temps forts entre l’Albanie et la France” në kuadër të shkëmbimeve kulturore Francë-Shqipëri.
Projekti, i konceptuar dhe realizuar nga vetë autorja, paraqet përmes 30 fotografive bardhezi të një formati të mesëm, një udhëtim pamor të artistes gjithkund nëpër Shqipëri gjatë periudhës shtator 2015 dhe korrik 2017. Ato kapin momente të jetës së përditshme të njerëzve, atmosferave dhe ngjarjeve. Për këtë ekspozitë Caquot shprehet se “Fotografia ime është kryesisht intuitive, e udhëhequr nga situatat e zakonshme të përditshme të hasura gjatë udhëtimeve. Gjithashtu, përpiqem që ajo të jetë estetike, poetike apo e çuditshme, sepse është gjuha e shprehjes sime, reflektimi i emocioneve të mia dhe pres që ajo të shprehë më shumë se sa unë mund të them me fjalë. Ajo është një dialog vizual midis meje dhe spektatorit. Është në dorën e tij të zbulojë këto momente nëpërmjet këndvështrimit tim. Në këtë ekspozitë unë i jap spektatorit vizionin tim për Shqipërinë sot”. Virginie Caquot është një fotografe e pavarur franceze nga qyteti i Lilës. Ajo ka mbaruar studimet për Histori–Gjeografi dhe Zhvillim Social në Universitetin e Lilës, dhe fillimisht ka punuar si mësuese. Nga 2012, Virginie Caquot iu kushtua krejtësisht fotografisë me të cilën është marrë prej 20 vjetësh.