Vrasësi i Verbër, nga Margaret Atwood, përkthyer nga Agim Doksani. Ky roman është fituesi i çmimit Man Booker Prize në vitin 2000 dhe disa të tjerëve. Në të rrëfehet saga e një familjeje të pasur kanadeze, e kryesisht peripecitë e dy motrave.
Përse vallë kërkojmë me kaq këmbëngulje të përkujtojmë veten? Madje e bëjmë këtë edhe në gjallje. Dëshirojmë ta theksojmë ekzistencën tonë, njëlloj siç pshurrin qentë mbi fikësit e zjarrit. I vendosim në vend të dukshëm fotografitë tona në korniza, diplomat tona në pergamenë, filxhanët e veshur në argjend; vendosim monogramet në të linjtat tona, gdhendim emrat tanë në pemë, i shkarravisim në muret e banjave publike. Gjithnjë e njëjta shtysë. Çfarë shpresojmë të marrim në këmbim? Miratim, zili, respekt? Apo thjesht vëmendje, e cilitdo lloj qoftë ajo? Më së paku duam një dëshmitar. Nuk e durojmë dot idenë që më në fund zërat tanë do të heshtin, si një radio që po i bie bateria…Vdekja e mistershme e gruas së re, Laura Çejs prej vitit 1945, ndoshta dhe vetëvrasje ka mbajtur fijet e së shkuarës edhe pas 50 vjetësh duke u kujtuar nga të mbijetuarit, familja. Raporti i letërsisë me të shkuarën, historinë dhe kujtesën gjithnjë është një moment intuitiv që e kthen labirintin imagjinativ të shkrimtarit për të ushtruar mendjen krijuese. Romani që mban këto fije kujtimesh rreth të mistershmes, dhe çfarë ndjek një histori të gjatë rrëfimi, është “Vrasësi i verbër” e autores Margaret Atwood, me të cilin ka fituar në vitin 2000 çmimin “Man Booker”, pasuar edhe me të tjerë. Ky botim vjen në shqip nga botimet Pegi, përkthyer nga Agim Doskani, një roman që nuk është vetëm saga e një familjeje të pasur, por edhe saga e fajeve dhe përgjegjësive që mblidhen mbi njëra-tjetrën, si të ishin kukulla të vogla të verbra, që na lënë gjithmonë me pyetjen: “Po individi, ç’rol luan këtu?”.
“Në prag të panairit, është e qartë që ky është një nga titujt më të mirë që Botime Pegi do të ketë sivjet. Në këtë roman do të gjeni luftën për para e pushtet, dashurinë, xhelozinë dhe dinakërinë, si dhe një prej personazheve më të ndërlikuara të historisë së letërsisë: një heroinë që ngre pyetje fondamentale mbi përgjegjësitë, fajet dhe keqardhjen që mund të na shoqërojë një jetë të tërë”, thotë botuesja e Pegit, Loreta Berhani.
Është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani nis me vdekjen e mistershme, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues. I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë. Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923. “I shkëlqyer… i pasur… Atwood-i është poete… dhe mjeshtre e trillimit; pothuajse asnjë fjali në prozën e saj të shpejtë, të thatë e megjithatë të etur, nuk dështon së bëri një punë të dobishme, duke kompletuar kështu një tablo të gjerë”, ka shkruar shkrimtari John Updike, në The New Yorker; ndërsa Sunday Times, shkruan: “Atwood nuk ka shkruar kurrë me kaq afsh dhe zhdërvjelltësi… një roman kaq i larmishëm që do të ngjallë interesin e të gjithëve… Brilant!”. Margaret Eleanor Atwood (Ottawa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjioz Booker Prize (në të cilin ka qenë finaliste për pesë herë) pikërisht me “Vrasësi i verbër” dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez.