Në mundsh e Kipling, Rubairat e Omar Khajam apo Korbi i Edgar Allan Poe e shumë autorë me vargje emblemë kanë qenë më të njohurat duke nxitur sfidën e shqipëruesve, sjellë në disa versione përkthimi, sprova gjuhe e tingulli, modele mendimi dhe leximi të zëshëm…por rekordin në 17 variante përkthimi e ka njohur “Fausti” dhe posaçërisht marrë nga vargjet e këngës së famshme “Mbreti i Tules”. Historia e rrëfyer nga poeti Sadik Bejko, Agron Tufa, Behar Gjoka, Demir Gjergji, Pandeli Koçi në ditën e kujtesës për Ndre Mjedën
Nga Violeta Murati
Në mundsh e Kipling, Rubairat e Omar Khajam apo Korbi i Edgar Allan Poe mes shumë autorëve të tjerë me vargje emblemë, kanë qenë më të njohurat duke nxitur sfidën e shqipëruesve, sjellë në disa versione përkthimi, sprova gjuhe e tingulli, modele mendimi dhe leximi të zëshëm…por rekordin në 17 variante përkthimi e ka njohur “Fausti” dhe posaçërisht marrë nga vargjet e këngës së famshme “Mbreti i Tules”. Ai që krijoi një finale revolucionare për historinë e magjistarit të pesëqindës ishte poeti gjerman Johan Volfgang Gëte, që e shkroi dhe e rishkroi disa herë mes viteve 1793 dhe 1832. “Fausti”, i përshkruar si një individualist i trazuar shpirtërisht që i përballon kufizimet dhe ndalimet që urdhëron kisha në emër të dijes, në gjithë pjesën e parë të tragjedisë, prej shoqërimit me Mefistofelin, ka një moment që mbetet në mendje: lidhja me Margaritën! Por, momenti tragjik i kësaj historie ndiqet në vëllimin e dytë, nga vargjet “Mbreti i Tules”, marrë si fund i jetës, fund i dashurisë e besnikërisë, që njeh për përkthyes të parë, lirikun e “Andrrës”, Ndre Mjedën.
Nuk dihet pse është kthyer në sfidë kjo këngë, por si duket një prej arsyeve kryesore, bashkë me historinë e dashurisë, është edhe tingëllimi në shqip të cilin studiues, shkrimtarë, poetë e kanë sjellë nga brezat përmendësh deri sot. Kulmin e ka pasur në vitet ’60-të e ’70-të, në fakt deri në këto vite kemi pasur të përkthyer variantin e Skëndër Luarasit, në toskërishte, dhe atë të Pashk Gjeçit në gegnisht, ky i fundit dhënë lexuesit së bashku me variantin e Shpëtim Çuçkës në vitin 2009, nxjerrë në qarkullim në panairin e librit të atij viti. Për këtë kujtesë ka shërbyer një nga takimet e fundit për Mjedën, në përvjetor lindjeje, që organizohet çdo vit në Kishën e Kuklit, në Lezhë
Deri n’dekë besnik ke s’thohet/ Ishte n’Tule ‘j padisha,/ Diq e dashta mbas do kohet/ E ‘j got’ arit shej i la…Ky version i vargjeve sjellë për herë të parë në shqip nga Mjeda është mbajtur mend më gjatë, dhe pothuaj ky është më i ngulituri duke u konsideruar nga studiuesit si përkthimi më brilant sjellë nga liriku.
Poeti Sadik Bejko e reciton menjëherë me zë, ndërsa tregon edhe historinë e Margaritës.
Duke u ndalur në asketizmin e Mjedës, si model i lirikës shqiptare, e aristokrat i gegnishtes, shkrimtari Agron Tufa na tregon se është një rast unik në letrat shqipe përkthimi i vëllimit të dytë nga Fausti i Getës. “Mbreti i Tules”, përkthyer së pari nga Mjeda, dhe pas tij njihen 17 përkthyes. Por asnjë prej tyre, thotë Tufa, nuk ka arritur të krijojnë një ritëm, figuracion e sidomos kadencë aq të rrjedhshëm të shqipes.
Por kjo histori vazhdon më gjatë në bisedën mes poetëve e studiuesve Sadik Bejkos, Behar Gjokës, Demir Gjergjit e Pandeli Koçit etj, duke kujtuar po në një ditë shiu, përmendësh gjithë vargjet te “Mbreti i Tulës”, si një histori unike që kurrë deri tani nuk ishte përmendur. Besnikëria deri në vdekje e Mbretit të Tules, i fundit, e fundit jetë, e fundit dashuri, e fundit mbretëri…“Kjo është këngë e famshme e besnikërisë deri në vdekje, është momenti kur Margarita një nga personazhet e Gëtes, kur ndahet nga Fausti, i këndon Mbretit të Tules”, thotë Bejko duke ndalur në konkretizimin e vargjeve të para nga Fausti: Deri n’dekë besnik ke s’thohet…Mbreti pinte, qante dhe kujtonte të dashurën e tij. Në fundin e jetës, po ashtu dhe të mbretërisë…la gjithçka trashëgimi “por putirin nuk ia la”, ose kupën e artë të dhuruar nga Margarita nuk ia dhuroi kujt, duke e hedhur në det si kujtimin e dashurisë…Atëhere mbasi piu të fundit kupë: “Piu ma t’mbramin e lumnoi/ Pijsi plak, mandej putirin/ Ndër valë t’detit e flakroi…”. Mbreti i Tules, fali çdo gjë, gjithë mbretërinë por gotën e arit e kishte shenjë nga e dashura, atë e hodhi në det. Duke folur mbi vargjet e njohura, Bejko thotë se ishte Mjeda i pari që solli në shqip këto vargje, dhe kjo mbahet mend gjatë. Sipas tij, ky është varianti i shqipërimit që nuk ka mundur askush nga përkthyesit e mëpasëm ta kapërcejnë. Bejko përmend përkthimin në ’57 të Skënder Luarasit, i detyruar ta përkthente, ai ka sjellë versionin krejt të ndryshuar në toskërishte. Në fakt, edhe poeti Pandeli Koçi këtë variant e ka të mësuar përmendësh, atë të Skënder Luarasit, duke krahasuar, ndërsa Mjeda e përkthen: Trashgimtarit ia la shkrue,/ Por putirin nuk ia la…, Skëndër Luarasi e shënon (reciton përmendsh Koçi): “Na ish një mbret në Tulë,/ besnik gjer varr,/ I fali mikja bullë/ një kupë derdhur në ar..”
“Po, “Fausti” në thelb nuk i flet shijes së njeriut, por mendjes së tij. Dhe historia jonë mijëravjeçare njerëzore na mëson se pa mendjen nuk mund të hedhim as edhe një hap të vetëm përpara, as individualisht, as, aq më pak, shoqërisht.E megjithatë “Fausti” i drejtohet me atë mënyrën e vet, në të vërtetë gjeniale, edhe shijes së njeriut. Së pari, sepse nuk ka bukuri njerëzore, që të mos jetë e krijuar nga mendja e njeriut. Së dyti, sepse një krijesë e vërtetë e mendjes njerëzore është patjetër e bukur, pavarësisht nëse ajo është një produkt material apo një krijim shpirtëror, nëse është një shfaqje e talentit të saktësisë shkencore apo një krijesë e fantazisë artistike”, ka shkruar përkthyesi i “Faustit”, Shpëtim Çuçka.
Pse janë nxitur kaq shumë përkthyes drejt kësaj pjese? Bejko thotë se “ndonjëherë nuk dihet se si krijohet ky itensitet përkthimesh. Ndoshta “fajin” për këtë e ka Mjeda, sepse e ka përkthyer aq bukur, sa të tjerët i futi në një sfidë të tillë. Mjeda ka bërë një gjë të jashtëzakonshme, ndoshta në asnjë gjuhë të botës nuk janë marrë 17 poetë, pa e arritur asnjë si Mjeda. Mjeda ishte shkaktari. I ka vënë në garë përkthyesit, poetë e shkrimtarë. Në letërsinë shqipe nuk ka ndonjë poezi tjetër që të jetë përkthyer kaq shumë”.
Edhe studiuesi Behar Gjoka thotë se vargjet e përkthyera nga Mjeda janë të paarritshme. “Është poezia më e përkthyer dhe Mjeda qëndron padyshim në krye. Mund të bëhet një libër vetëm vargjet e Mbretit të Tulës”, thotë poeti Demir Gjergji.
Mbreti i Tules nga Gëte, na tregojnë se poetë e shkrimtarë që janë marrë me variante të këtyre vargjeve janë edhe Perikli Jorgoni, Jorgo Bllaci, Pertef Kruja, Sejfulla Malëshova, Arshi Pipa, Skënder Luarasi, Vehbi Bala etj., dhe se, jo të gjithë e kanë marrë për ta përkthyer drejtpërdrejt nga gjermanishtja, kjo është pika më e diskutueshme për cilësinë dhe afrinë e gjuhës në shqipërim.
Madje ka studiues që shkojnë edhe drejt faktit se konceptin e Mjedës për përkthimin mund ta kuptojmë më mirë po të kemi parasysh pikërisht përkthimin e poezisë Mbreti i Tules.
Është vlerësuar se nga kjo formë përkthimi poezia shqipe ka konsoliduar larminë e madhe të vargjeve apo modeleve të paharrueshme të tyre, si ajo e rubairave të Nolit.
I larguar nga Shqipëria më 1880, Mjeda studioi në qendrat më elitare evropiane: Milano, Paris, Spanjë, Poloni, Dalmaci dhe pas shumë kohe kur u brumos me kulturë evropiane, u kthye në vendlindje në një kohë kur ajo ndodhej nën pushtimin osman.
“Shqipërinë e la nën vujtje dhe e gjeti nën vuajtje. Kjo e nxiti që t’i kushtohej për të edukuar me edukatë krishtere, por të merrej dhe me fusha të tjera ku kishte zbrazëti sa i përket letërsisë e poezisë, përkthimeve dhe shumë fusha të tjera”. Por veprimtarinë e tij më të madhe, ëndrrën e tij e realizoi në Kukël, në shtëpinë e tij, në katin e dytë, në dhomën e djathtë, në atë tryezë që gjejmë sot, dhe në kishën e tij në krah, ku është lutur që Zoti të mishërohet në këtë popull…Kjo e ka nxit të punojmë pa ndërprerje, ndaj jeta e tij ka qenë e begatshme”, – na ka treguar Dom Nik Ukgjini, i cili ka rezistuar në idenë e tij, prej shumë vitesh në kujtesën për Mjedën, në ditët e nëntorit, nga ku erdhi edhe rasti unik, i rrallë në kujtesën që ka njohur letërsia shqipe, ajo e përkthimit në 17 variante të një prej historive më tragjike të dashurisë, e mbretërisë, e fundit të jetës.
Përkthyer nga Ndre Mjedja
Mbreti i Tulës
Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tule ‘j padisha,
Diq e dashta mbas do kohet
E ‘j got’ arit shej i la.
Sa at gotë arit gja nuk dote
E gjithmonë me tene piu;
Por ka ‘j lot për faqe i shkote
Gjithsaherë pite fatziu.
Kur pau vedin tuj mbarue
Njeh qytetet, e gjithçka
Trashgimtarit ia la shkrue,
Por putirin nuk ia la.
N’deje t’i’parve, n’buzë të dedit
Gjith’, parsinë n’nji gost’ i thrret;
Ulet n’gost e ka rreth vedit
Mbledhun bashkë parsin’ e vet.
E t’ksaj t’kandshmes jetë dëshirin
Piu ma t’mbramin e lumnoi
Pijsi plak, mandej putirin
Ndër valë t’detit e flakroi.
Tuj e zhyt’ e pau n’fund t’zallit
Tuj këcye, nalt tuj hupë me turr;
E n’at’ ças i ranë prej ballit
Fikun syt’ e s’piu ma kurr.
Margarita e thjeshtë e naive, një ëndërr e papërballueshme dashurie
Fragment nga parathënia e librit
Nga Shpëtim Çuçka*
[…]Mefistofeli dëshiron ta kënaqë Faustin me qejfet e jetës. Ai është i bindur që doktor Faustit ajo që i ka munguar në jetë kanë qenë pikërisht qejfet. Dhe në radhë të parë dy prej tyre: qejfet e pijes dhe qejfet e marrëdhënieve me femrën. Ndaj e shpie në pijetoren e Auerbahut, e lidh me Margaritën, e shpie në qejfet e natës (natën e Valpurgës).
A ka ndonjë gjë të re këtu për lexuesin e sotëm? Në thelb duket se jo. A nuk ofron edhe sot shoqëria njerëzore, madje me shumicë – pas disa përpjekjesh jo edhe aq të sinqerta për të vënë ndalim ligjor – pije alkoolike, përfshirë drogat, dhe qejfe sensuale? Mos vallë ende duhet të themi se këto lloj “shërbimesh” i paska në dorë Mefistofeli dhe ai e mëkëmbësit e tij i vjelin të ardhurat e këtyre “sektorëve”? Apo, për të qenë më të qetë me ndërgjegjen tonë, duhet të themi se këto të këqija janë në fund të fundit të pashmangshme?
Ajo që këtu ka rëndësi të vihet në dukje është se Faustin nuk mund ta joshte as pijetorja e as nata e shtrigave dhe shtriganëve. Gëtja me të tilla skena duket se ka dashur vetëm të na e përforcojë neve këtë mendim (në rast se e kemi menduar vërtet një gjë të tillë) mbi pamundësinë e qejfeve të tilla të çakërdisura për të bërë për vete njerëzit që e marrin seriozisht jetën e tyre. Dhe në gjithë pjesën e parë të tragjedisë që nga shoqërimi i Faustit me Mefistofelin ajo që mbetet në mendje është lidhja e Faustit me Margaritën. Edhe pse Margarita nuk është e pranishme veçse në një pjesë relativisht të vogël të tragjedisë, roli i saj është ai i një personazhi themelor. Në figurën e saj Gëtja ka mishëruar pikëpamjet e tij lidhur me marrëdhëniet burrë-grua, lidhur me rolin e gruas në fatin e burrit.
Margarita përveç bukurisë ka një shpirt të thjeshtë dhe të pastër. Dhe përveç dhurative vetjake ka edhe “dhuratat” e edukatës shoqërore: vetëdijen shoqërore të një vajze të varfër, bindjen te morali patriarkal dhe besimin fanatik fetar. Shkurt, ka një botë shpirtërore në dukje si një dërrasë të pashkruar, ku mund të shënosh ç’të duash, por ku në të vërtetë janë gdhendur në mënyrë të pashlyeshme normat e një shoqërie tejet antinjerëzore. Margarita, ashtu si Ofelia, është simboli i vajzës engjëllore. Dhe në të njëjtën kohë është shoqërisht po aq fatkeqe sa edhe ajo. E megjithatë Faustit, këtij dijetari me botë të ndërlikuar, që nuk gjente kënaqësi me asgjë në jetë, Margarita e thjeshtë e naive iu bë si një ëndërr e papërballueshme dashurie. Dhe në rast se jeta e Faustit u thur tragjike, atëherë lidhja e tij me Margaritën nuk mund të ishte, sipas logjikës artistike por edhe shoqërore të kohës, madje të të gjitha kohërave, veçse pjesë thelbësore e kësaj tragjedie. Shkalla e zhvillimit të çdo etape njerëzore mund të matet edhe vetëm nga shkalla e pranimit të dashurisë si kusht i vetëm i ndërtimit të marrëdhënieve burrë-grua. E vërteta është që dashuria ka qenë kurdoherë e nënshtruar nga marrëdhëniet e pronës, të interesit, në atë masë që gruaja ka qenë e nënshtruar nga burri në një shoqëri në thelb mashkulloriste. Pra, dashuria dhe gruaja kanë qenë kurdoherë të shtypura. Shitja e ligjëruar e trupit nga ana e gruas edhe sot në të ashtuquajturat shoqëri moderne perëndimore është dëshmia më e qartë e shkallës së skllavërimit të ndjenjave. Në këto rrethana të gjitha deklamimet e bujshme për respektim të të drejtave të njeriut tingëllojnë jo vetëm të gënjeshtërta, por edhe si një tallje cinike.Pikërisht lidhja e Faustit me Margaritën i vë në fund të fundit vulën anës vetjake të jetës së Faustit. Fausti, ky simbol i njeriut të vërtetë, natyrisht nuk mund të rronte vetëm për dashurinë, por në të njëjtën kohë ai nuk mundej as të ishte i lumtur pa dashurinë. Në të vërtetë e tërë jeta e tij e gjatë mbeti një brengë e humbjes së dashurisë me Margaritën. Fakti që kjo dashuri e tij nuk arriti, për mjaft arsye, të përmbushej lumturisht në jetë, ishte kështu një tjetër dëshmi, shumë e madhe, e asaj që jeta shoqërore për njerëzit e vërtetë nuk mund të mos ishte tragjike. Në një shoqëri, ku njerëzit e kanë të vështirë të realizojnë kuptimin e vërtetë të jetës, dashuria, edhe atëherë kur është e mundshme, duket e pafuqishme për t’i bërë ata plotësisht të lumtur. Kjo është njëra nga pikëpamjet kryesore të Gëtes për marrëdhëniet burrë-grua. Por nëse Margarita humbi jetën nga dashuria për Faustin, ndërsa ky u shenjua në mënyrë të pashlyeshme nga fati i saj tragjik, fundi i tragjedisë përmban megjithatë thelbin e pikëpamjes tjetër kryesore të Gëtes për rolin e gruas në jetën e burrit. Kur Fausti në pleqëri të thellë arrin të përfytyrojë se cili është kuptimi i jetës dhe mjafton ky përfytyrim lumturues që ai sipas kontratës me djallin të humbë jetën, shfaqet Margarita, e vdekur prej kohësh, e cila i lutet shën Mërisë ta falë dhe ta pranojë në parajsë shpirtin e të dashurit duke mos ia lënë Mefistofelit, i cili pandeh se tanimë shpirti i këtij njeriu (ne do të thoshim “kujtimi” i tij) i takon botës së të keqes. Dhe tragjedia mbyllet në mënyrë kuptimplotë me vargjet: Femëramshuara/ na lartëson!
Për rolin lartësues të gruas në jetën e shoqërisë Gëtja nuk ka qenë i pari që ka shkruar, as i fundit. Shembujt nga bota e letërsisë nuk kanë të numëruar. Madje, po të duam megjithatë të sjellim disa të tillë, mjafton të kujtojmë vendin qendror që i jep Dantja në “Komedinë hyjnore” të dashurës së tij, Beatriçes; ose cilësimin si engjëll që Hamleti i bën Ofelisë, pastërtia e së cilës është e tillë, saqë mjafton prania e saj që ai të sjellë ndër mend të gjitha mëkatet që ka kryer; ose faktin që të gjithë personazhet kryesorë dhe pozitivë në shumicën e dramave të Ibsenit janë gra. Këto vepra jo vetëm mbeten dëshmi artistike e vendit poshtërues, që shoqëritë e epokave të ndryshme i kanë ruajtur për turpin e tyre gruas, por edhe janë ndër gjykimet më të rrepta dhe shuplakat më përvëluese që i janë bërë një turpi të tillë.
Mbarimi i pjesës së parë të tragjedisë, që mbyllet me çastet e fundit të jetës së Margaritës është edhe më i zymtë e më i rëndë se vetë përfundimi i veprës me vdekjen e Faustit. Një vajzë në thelb e pafajshme dënohet me vdekje. Shoqëria feudale e krishterë gjermane e kohës triumfonte mbi të drejtën më intime të njeriut, atë të dashurisë. Dhe të tilla ekzekutime kryheshin në zemër të Evropës edhe në rini të Gëtes.
Pra, në mbarim të pjesës së parë të tragjedisë Fausti kishte kuptuar se nuk mund të ishte i lumtur si dijetar i mbyllur në atë “bimsë” e “burg”, siç e quan ai studion e tij. Natyrisht nuk kishte gjetur kurrfarë kënaqësie as në pijetore e as në “netët e bardha” të shpirtrave gjermanikë (“Nata e Valpurgës”). Për fat të keq në shoqërinë e kohës dhe me ndihmën e Mefistofelit, gjeniut të qejfeve por jo të ndjenjave, ai nuk arriti të lumturohej as në dashuri, ashtu sikurse nuk ishin lumturuar as shumë paraardhës të tij të shquar letrarë.
Në larminë e skenave dhe të ngjarjeve jo vetëm të pjesës së parë por edhe të gjithë tragjedisë fati i Margaritës lë një mbresë krejt të veçantë. Mund të merret me mend se ç’gjë e rëndë është pesha në ndërgjegje e vdekjes së njeriut të dashur. Njerëzit mund t’i përjetojnë në mënyra dhe intensitete të ndryshme dukuritë shoqërore, por fatin vetjak ata, në përgjithësi e në përputhje me ligjet e natyrës, e përjetojnë mjaft më afër e më fort. Vlen të kujtohet këtu një kronologji: skenat, ku merr pjesë Margarita, janë shkruar më se gjysmë shekulli përpara se Gëtja të fillonte, në pleqëri të vonë, madje në vitet e fundit të jetës, të shkruante pjesën e dytë të tragjedisë. Pra, për më se gjysmë shekulli e gjithë tragjedia e Faustit mbeti në thelb një tragjedi dashurie. Dhe nuk do të ishte aspak çudi të mendohej që pas atij fundi vërtet tragjik të Margaritës Gëtes iu deshën dhjetëvjeçarë të tërë derisa të krijonte një përfytyrim të qartë se si mund të vazhdohej më tej fati i heroit të tij pa rënë në banalizim të këtij fati, pra edhe të vetë veprës.
*Fragment nga parathënia e veprës “Fausti”, “ Gëtja dhe “Fausti””, botimet “Toena”, 2008.