Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Zahaj: Kur sillja modernen në skenografi gjatë komunizmit

$
0
0

Karriera e tij, qysh nga dita kur hyri si stazhier në dyert e RTSH-së më 1979-ën është e gjatë dhe janë me qindra skenat e emisioneve televizive, shfaqjeve teatrore, të operës e baletit, festivaleve të këngës, teatrove të kukullave, që mbajnë nënshkrimin “Zahaj”. Skenografi i njohur rrëfen se si futi elementet moderne atëherë kur as nuk konceptoheshin dhe kur një dekor i guximshëm mund të të çonte drejt burgut…

Nga Suadela Balliu

Foto: Jetmir Duraku

“Unë jam imazh”, thotë Bashkim Zahaj ndërsa nis të rrëfejë rrugëtimin e gjatë në skenografi, disa ditë pasi ka mbyllur ekspozitën vetjake me veprat e thuajse të gjithë karrierës. Karriera e tij, qysh nga dita kur hyri si stazhier në dyert e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1979 është e gjatë dhe janë me qindra emisionet televizive, shfaqjet teatrore, të operës e baletit, festivalet e këngës, teatrot e kukullave, skenat e të cilëve mbajnë nënshkrimin “Zahaj”.

Për publikun dashamirës të artit kishte përzgjedhur njëqind syresh, ato që kanë lënë edhe shenjë në veprimtarinë e tij si skenograf. Zbulon se ka qenë i vetmi student i diplomuar në Skenografi Televizive në brezin e tij. “Më kish pëlqyer skenografia e televizionit qysh kur vizitova një studio televizive kur isha ende në Lice. U mrekullova nga gjendja dhe m’u ngulit në kokë. Madje bëra edhe një kompozim të vogël” , kujton Zahaj, ndërsa studimet e larta i kreu më pas në Akademinë e Arteve në profilin e Skenografisë. “Por asokohe kishte një problem. Mirë që mbaruam, po ku do të punonim? Sepse mund të punoje vetëm aty ku të caktonin…”.

Pas studimeve, rrëfen se e dërguan të punonte në një fshat të Beratit. Me gjasë do të jepte mësime vizatimi për nxënësit e shkollës. “Por unë shfrytëzova një ligj. Thuhej se pasi studenti kryente arsimin e lartë duhet të bënte një vit stazh, në profesionin e tij. I binte që Ministria e Arsimit ta kishte shkelur këtë nen, sepse më kishin çuar në fshat dhe nuk kishte të bënte me profesionin tim. Çfarë bëra?! Zgjodha skenografi televizive që të futesha në televizion e ta bëja stazhin atje. Ashtu ndodhi”.

Pas stazhit punoi edhe dy vite të tjerë pa rrogë, në RTSH. “Kur shkova e gjeta tavolinën e studios së lajmeve të mbuluar me batanije. Futa syprinën e xhamit në vitin 1982. Futa ndriçimin në skenat statike e të ngurta të festivaleve. Futa të shkëlqyeshmen, lucido-n. Kam futur idenë e tredimensionales, kur akoma nuk njihej si koncept në skenografi. Vërtet sot është futur ndriçimi LED, atëherë ne nuk kishim por vendosnim neone. Efekti ishte i njëjtë. Apo dyshemetë lucido; sot bëhen me peksiglas, atëherë përdornim një linoleum të zi që shkëlqente, të cilin unë e futa qysh herët në dekore. Të gjitha elementet bashkëkohore që nuk mendoheshin se mund të përdoreshin për skenografi, i futa menjëherë në skenografitë e mia. Sigurisht që ka patur edhe dekore që nuk më janë pranuar dhe janë quajtur të guximshme” , tregon Zahaj.

Një prej këtyre dekoreve që skenografi i quan të guximshme aq sa mund t’i rrezikonin jo vetëm vendin e punës, por edhe lirinë ishte ai i një studioje televizive ku do të zhvillohej një bisedë me udhëheqësin e asaj kohe, Enver Hoxhën. “Unë prezantova një dekor që nuk kishte as flamuj të PPSH-së, as fotografi të Enver Hoxhës, as fabrika e uzina, as citate, asgjë. Ishte një holl shumë i bukur, me një ndriçim të fshehtë, duke përdorur elementin e ngrohtë të drurit, me dy volume të mëdha që futeshin në studio dhe asgjë politike. Çuditem dhe sot që u pranua! Nganjëherë, kur vlera estetike arrin maksimalen ne nuk shohin subjektin. Është si një femër, kur e sheh estetikisht, aq të bukur e harron cili është subjekti. Ishte aq e kuruar estetikisht dhe doli një emision shumë i bukur me puntata çdo javë dhe ka qenë nga dekoret më të bukur që kam realizuar” , kujton Zahaj, duke shtuar se ruan ende fotografitë dhe bocetin e dekorit mes punëve të tij.

Skenografi i ri Zahaj u pa me sy të mirë nga stafi i RTSH-së, pasi puna e tij spikati menjëherë. I lejohej edhe të monitoronte televizionet e huaja, për të parë tendencat në skenografi. “Më mbanin pak me hatër, por jo në tejkalim. Sepse pastaj rrezikoje”, shton Zahaj.

Megjithëse rrëfen se futi shumë elemente novatore në dekoret e studiove televizive, në fund të ditës e dinte se publiku nga shtëpia do e shihte në bardhezi. “E ndieja shumë këtë. Që unë e punoja me ngjyra dhe nga shtëpitë shihej bardhezi. Madje bëra edhe një studim vetë. Mora një tabelë të madhe me gamën e ngjyrave, i fotografova në bardhezi, i vura secilës një kod dhe bëra seleksionimet sesi dukeshin bardhezi e kuqja, lejlaja, e verdha… a rrinin apo jo bukur nga ekrani dhe eliminova ato që nuk dukeshin bukur”.

Kujton duke qeshur se as ai vetë në shtëpi nuk kishte televizor me ngjyra. “Njëherë në studion e madhe kur po bëhej analiza vjetore erdhi Ramiz Alia. U ngrita në këmbë dhe iu drejtova: “Shoku Ramiz, një gjë do të kërkoja! Nuk ka kuptim që brigadieri në një kooperativë bujqësore i jepet autorizim për televizion me ngjyra dhe skenografit të RTSH-së nuk i jepet”. Ishte i pranishëm i gjithë stafi i RTSH-së dhe u bë një zhurmë e madhe në mbledhje. U çua Marash Hajati, drejtori Përgjithshëm dhe më përkrahu, duke thënë se skenografi duhet ta ketë një televizor me ngjyra. Autorizimet shpërndaheshin nga Komiteti i Partisë e megjithëse më dhanë të drejtë, nuk ma dhanë autorizimin për një TV me ngjyra. E gjeta me rrugë miqësie”, qesh ai, duke shtuar se ndonjëherë i është dashur t’ua shpjegojë familjarëve apo miqve sesi dukej në të vërtetë dekori me ngjyra. “Televizioni është magji dhe skenografi ka rolin kyç. Nganjëherë hahen regjisorët, skenaristët, kameramanët se kush është i pari. Por përderisa është ekran fiton imazhi, pastaj vjen fjala, regjia, ndriçimi e me radhë. Edhe po t’ia heqësh zërin, po ishte imazhi i bukur do rrish ta shohësh. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz shohin kanale të huaja edhe pa e ditur gjuhën, sepse i kanë imazhet skenografike të përsosura. Por këtu tek ne nuk i është dhënë roli i duhur. Në gjithë këtë veprimtari që kam bërë, jetoj modestisht. Po të ishim në një vend matanë kësaj sipërfaqe do të ishim shumë herë më të vlerësuar”.

Nga të gjithë skenografitë që ka realizuar, festivalet mbeten të parapëlqyerit e tij. Ai që ka mbetur gjatë në kujtesën e publikut është Festivali i Këngës në RTSH i vitit 1997, ku e ktheu skenën e Pallatit të Kongreseve në një varrezë makinash dhe shtroi nën këmbët e këngëtarëve dhe moderatorëve fletë gazetash. “Ishte e qëllimshme nga ana ime. Po të hapim arkivin do të shohim se shtypi luajti rol negativ në atë vit. Mjaft të kujtoj gazetën “Albania” ku Ylli Rakipi e kishte në titull kryesor “Vlora në arkivol”. E imagjinon dot? Pra, këtë gjë kaq negative që kishte shtypi i asaj kohe që i futi njerëzit të vriteshin me njëri-tjetrin dhe çfarë bëra?! I shtrova gazetat në tokë, vajta te varrezat e makinave, mora makina të prishura, i përpunova, i sharrova ku doja unë dhe i futa në Pallatin e Kongreseve. Ajo goditi shumë, sepse në vendin e luksit unë solla mizerien. Aty ku organizoheshin spektakle bukurie, ku gratë visheshin me fustane elegantë, me stoli, unë futa makina të djegura, goma, llamarina ndërtimesh, tuba”.

Kujton se pati përpjekje nga mediet për të penguar festivalin. Ishte një revoltë personale e artistit, që shihte si gjymtohej Tirana dita-ditës, me makina të braktisura, llamarina që pushtonin Sheshin “Skënderbej” e Parkun Rinia, kioskat me qofte dhe kutërbimi i urinës… “Tirana u bë geto dhe unë këtë Geto e çova në festival. Ky ishte qëllimi. Më mori në telefon kryeministri i asaj kohe dhe më tha të hiqja gazetat. Natën e parë ishin gazetat origjinale dhe meqë u bë e madhe e më kërkuan t’i hiqja, e leva sipërfaqen me bojë të bardhë dhe vizatova gazeta. Ideja ishte e njëjta. Ajo ka qenë një nga më të bukurat. Në skenografitë e mia e vëren se nuk janë skenografi për skenografi-që ka edhe të tilla- por janë skenografi ku mbahet një lloj qëndrimi, është një gjë e fshehur aty. E kam shkruar edhe në Facebook: “Mos u mundoni të merrni vesh çfarë kemi bërë! Do të kuptohet nga një brez që vjen”. Është e vështirë të kuptohet në bashkëkohësi, si për keq si për mirë. Artisti është gjithmonë në atë ardhmen. Të gjithë punën e tij në skenografi, ka në plan ta hedhë në një katalog voluminoz, ku çdo skenografi do të ketë poshtë edhe një përshkrim të shkurtër, të idesë që e kanë shtyrë autorin ta hedhë në skicë, kontekstin, kohën dhe vendin ku është realizuar, që brezat të shohin rrugëtimin e skenografisë në Shqipëri, ata breza që Zahaj përgatit në auditorë, jo vetëm me njohuritë, por me mprehtësitë artistike për të sjellë në skenë dhe në ekrane imazhin që flet në gjuhë universale dhe tërheq si me magnet syrin e publikut.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708