“Dear Albania”, dokumentari i aktores me origjinë shqiptare Eliza Dushku, do të transmetohet në 68 stacione televizive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga data 1 tetor.
Lajmi është konfirmuar nga vetë aktorja si dhe “American Public Television”. Transmetimi i dokumentarit do të bëhet në shtetet kryesore të SHBA-së si në New York, California, Florida, Washington etj. “Dear Albania” u promovua në Shqipëri, më datë 26 qershor, në Muzeun Historik Kombëtar.
Filmi dokumentar është konceptuar si një pasqyrë e promovimit të pasurive dhe vlerave të Shqipërisë, ku janë përfshirë personalitete të njohura, imazhe mahnitëse dhe monumente kulturore. Kush ishte Shqipëria në kohën e diktaturës, në kohën e Zogut e deri në kohën e Skënderbeut; janë të gjitha për t’ua treguar botës në dokumentarin e Eliza Dushkut. Rini, art, kulturë, ëndrra dhe shpresë. Ky është imazhi që jep Eliza Dushku, konceptuar si një “letër dashurie” nga Hollivudi për Shqipërinë.