Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Kolonia e Artit UET: Ankand pikturash për kërkimin shkencor

$
0
0

koloniaKa marrë jetë edicioni i dytë i Kolonisë së Artistëve, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Njëmbëdhjetë piktorë të njohur do të krijojnë, frymëzuar nga natyra e Shqipërisë së Mesme. Në fund të këtij aktiviteti do të zhvillohet edhe një ankand me punimet e artistëve, ndërsa të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për të financuar kërkimin shkencor

Një vepër arti është një investim…Kështu u shpreh piktori Abaz Hado gjatë ceremonisë që i dha jetë për të dytin vit Kolonisë së Artit UET, e cila mbledh për një javë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat për të krijuar, duke u frymëzuar nga natyra e Shqipërisë së Mesme. Një nismë që sipas organizatorëve do të shndërrohet në një traditë të vazhdueshme dhe do të organizohet çdo javë të parë të nëntorit.

Piktorë të njohur në vend janë mbledhur për të krijuar galeri pikturash me tematikë peizazh nga Shqipëria e Mesme, më pas nga vende të tjera të Shqipërisë. Të gjithë bashkë me telajot e penelat në duar, ata do të jenë gjashtë ditë në Petrelë e vende të tjera rrotull Tiranës për të sjellë sipas vështrimit të tyre artistik peizazhin.

Këtë vit kolonisë i janë bashkuar njëmbëdhjetë piktorë si Kujtim Buza, Pashk Përvathi, Adrian Devolli, Petrit Duriçi, Dashnor Kullolli, Luan Boriçi, Nikolin Ivanaj, Abaz Hado, Çlirim Ceka, Aleksandër Dragoti dhe Azem Kuçana.

Kjo nismë, e cila ka marrë jetë nga Universiteti Europian i Tiranës, drejtohet artistikisht nga Bujar Kapexhiu, karikaturisti i mirënjohur dhe nga i biri, specialist i dizajnit grafik dhe pedagog në këtë universitet, Kled Kapexhiu.

“Piktorët janë të gatshëm të krijojnë veprat e tyre dhe në 6 ditë do të vazhdojnë me krijimin rreth Tiranës kryesisht në Petrelë – me vizione nga Shqipëria e Mesme- që do të bëhen më pas vepra të bukura arti. Nuk e teproj aspak po të them se janë nga piktorët më të mirë sot në Shqipëri. Kemi shansin që janë të angazhuar për Koloninë e Artit UET”, – u shpreh Bujar Kapexhiu gjatë ceremonisë, ndërsa i dha jetë aktivitetit gjashtëditor.

Kolonia do të përmbyllet me një ceremoni të veçantë në kompleksin “Illuminatum” në Petrelë, ku do të ekspozohen punimet e piktorëve, si edhe vepra nga koleksioni i Universitetit Europian të Tiranës dhe në praninë e pedagogëve, studentëve e dashamirësve të artit do të çelet një ankand për blerjen e pikturave, ndërsa të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për të financuar kërkimin shkencor të Universitetit Europian të Tiranës.

Piktori Abaz Hado, i cili merr pjesë për herë të parë në një koloni artistësh të organizuar në Shqipëria, përgëzoi synimin e kësaj nisme.

“Jam për herë të parë në një koloni artistësh në Shqipëri dhe e pranova ftesën, sepse këtu ka një synim të qartë ç ‘duhet bërë me këto punime. Së pari për të krijuar një galeri arti dhe kjo është e rëndësishme. Duke pasur vite që merrem me marketingun e artit e kuptoj qartë rrugën që do të hapë kjo galeri dhe që bëhet për herë të parë një ankand i këtij lloji me këtë koloni dhe planet janë afatgjata dhe besoj se do të ketë rezultate të mira dhe vijueshmëri të mirë e pozitive dhe shkon aty ku duhet produkti artistik dhe jo për një person, por për një komunitet të tërë dhe për t’u shndërruar në një model” – u shpreh Hado.

Ndërsa piktori nga Lezha, Pashk Përvathi u shpreh se kolonitë e artistëve janë koha më e bukur për piktorët shqiptarë, të cilët po i gëzojnë këto nisma në këta 25 vjet lirie.

Bashkë me Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit Europian të Tiranës, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Përvathi kujtoi iniciativat e para kur piktura dhe piktorët shqiptarë nisën të ekspozohen jashtë, një rast i tillë ishte 15 vite të shkuar në Pallatin e Kombeve në Gjenevë.

“Të gjithë piktorët e pranishëm në këtë koloni janë të mrekullueshëm, por mua më lidhin kujtimet veçanërisht me dy prej tyre; Kujtim Buzën dhe Pashk Përvathin. Pesëmbëdhjetë vjet më parë isha ambasador në OKB në Gjenevë dhe për herë të parë në praktikën e shtetit tonë, organizuam në Pallatin e kombeve ekspozitat e para të piktorëve shqiptarë. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur piktorë shqiptare e nuk ishin ekspozuar piktura shqiptare. Këtë traditë e nisi Kujtim Buza bashkë me të atin dhe e vazhdoi Pashk Përvathi me tre kolegë. Ne i kombinuam këto aktivitet me festë kombëtare dhe u dha mundësinë të gjithë ambasadorëve dhe personaliteteve të Zvicrës për t’i parë”, –u shpreh Ksenofon Krisafi.

Kolonia e Artit është një prej nismave që Universiteti Europian i Tiranës ka marrë në mbështetje të arteve pamore. Çdo muaj në mjediset e këtij universiteti do të ketë ekspozita vetjake ose të përbashkëta të piktorëve shqiptarë si edhe të studentëve të dizajnit dhe në harkun kohor të tre viteve ky universitet po planifikon të themelojë Fakultetin e Arteve.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708