Tridhjetë vjet histori personale të përmbledhura në një libër. Genci Muçollari rrëfen se si i ka sjellë në shqip baladat legjendare të rrokut botëror, në një kohë kur vetëm t’i dëgjoje rrezikoje jetën…
Nga Suadela Balliu
Kujtimet e mia më të hershme me muzikën e huaj i ruaj atëherë, në fillimvitet ’90, ku valët e kanaleve televizive muzikore si MTV apo “Viva” vinin lirshëm në Shqipëri. Vite më vonë, me bashkëmoshatarë qeshnim sesi duke u përpjekur t’i kuptonim sikur ato të ishin tekste shqip, kishim krijuar vargje krejt të reja, disa syresh tejet komike të disa këngëve hite…
Tashmë, me teknologjinë në mollëzat e gishtërinjve (në kuptimin literal të fjalës) mjafton të shkruash titullin e këngës apo emrin e grupit në një motor kërkimi, dhe menjëherë të shfaqen dhjetëra faqe interneti që të ofrojnë tekstet e plota… Brezi i ri e ka pak të vështirë të besojë se të pasionuarit pas rrokut vinin kokën në rrezik vetëm për t’i dëgjuar, ndërsa tekstet e këngëve i ruanin me shkrim dore në blloqe shënimesh…
Një prej tyre është Genci Muçollari, i cili ka sjellë në shqip legjendat e rrokut botëror në librin “Një antologji e Rock n’roll”, një historik i shkurtër i lindjes së muzikës rrok; zhanret dhe ndarjet e tij dhe grupet e këngëtarëve, që mblodhën rreth vetes miliona admirues dhe baladat e tyre më të famshme. Janë trembëdhjetë; nga Beatles, Bob Dylan, Black Sabbath, Cat Stevens, Jim Morrison&The Doors, Jimi Hendrix, King Crimson, Led Zeppelin, Leonard Cohen, Pink Floyd, The Police, The Queen dhe The Rolling Stones, dhe disa nga këngët e tyre që Genci i ka sjellë në formën e poezive të përkthyera në shqip. Për të, një dashamirës vetë i poezisë, nuk bëhet fjalë vetëm për tekste këngësh, por për poezi të mëdha që trajtojnë filozofinë e jetës.
Frymëzimin shpesh e patën prej poetëve dhe mendimtarëve të mëdhenj si, T.S Elliot, Lord Bayron, William Blake, Walt Whitman, Samuel Coleridge, Aldous Huxley, apo Allen Ginsberg & Brezi Beat. “Pasioni i tij për muzikën rrok i ka fillimet në vitet ’80, në valët e radiove që dëgjoheshin fshehurazi, e mbyturazi. Një dashuri që do të mbërthente edhe të vëllain e Gencit, Tanin, e të dy bashkë do të mbanin shënim edhe emrat e grupeve dhe baladat më të dashura.
“Kisha bërë vetë një palë kufje dhe me to dëgjonim këngët. Kështu i kopjoja varg pas vargu, gërmë pas gërme. Shihja gjëra të jashtëzakonshme”, – rrëfen Genci, ndërsa blloqet ku i hidhte vargjet e këngëve i ka ende edhe sot, pas më shumë se tridhjetë vitesh, një dëshmi e kohës kur pasionet të kërkonin më shumë mund sesa sot. “Kur dëgjon rrok, është një dimension për të hyrë te poetikja. Është e vështirë të hysh me racionalitet, të përkthesh. Ajo që është shumë interesante tek unë, kam dashur të shkruaj vetë poezi”. Kam botuar në një sërë revistash letrare në vend si “Aleph”, “Mehr Licht” apo “Poeteka”, jo vetëm me përkthime, por edhe me krijimtarinë e tij lirike. Qesh kur tregon se disa vargje i kuptonte edhe gabim… ndërsa tregon nëpër fletët e blloqeve voluminozë, disa të shoqëruara edhe me skica të vizatuara nga vetë Genci, të stemave apo emblemave që mbanin grupe të ndryshëm rroku. Kujton sesi nga copa revistash apo gazetash shkëpusnin fotografitë e yjeve si Bob Dilan apo Jim Morrison, apo herën e parë kur udhëtoi jashtë Shqipërisë drejt Zvicrës në fillim viteve ’90 dhe i ranë në duar revista të ndryshme me yjet e rrokut. “Në vitin 1991 i shkruam një letër televizionit MTV, dhe i kërkuam të transmetonte një këngë të Led Zeppelin. Megjithëse unë dhe vëllai nuk e dëgjuam nëse e kishin transmetuar këngën, e kuptuam që letra jonë ishte lexuar, pasi na erdhën dy bluza me stemën e MTV-së, dhe disa stickers me logon e tyre”- tregon Genci, ndërsa njërën prej tyre e ka ngjitur në kapakun e njërin nga blloqet e shënimeve, ku ka përmbledhur të gjithë grupet e rrokut dhe rrymat. Informacion i pafund i llojit enciklopedik i ruajtur me dorë, dhe vetëm nga ato çka ai dhe i vëllai i dëgjonte në emisionet radiofonikë. Tashmë ky informacion, falë internetit apo literaturës – që asokohe e tepërt të thuhet, që ishte e ndaluar- gjendet lehtë, por jo me një përvojë jete. Nëse për shumë, dashuria për rrokun ishte pasion i çmendur rinie, që erdhi duke u shuar, kjo nuk ndodhi për Genci Muçollarin. Ai nuk hoqi dorë kurrë nga të dëgjuarit e muzikës rrok e as nga idhujt e tij – më të dashurit duket të jenë ata që i përmend edhe më shpesh si “The Doors” apo Led Zeppelin. “Vazhdoj të dëgjoj muzikë rrok. Tashmë është mënyrë jetese. Disa prej tyre, megjithëse i kam dëgjuar me mijëra herë, vetëm tani arrij t’ua gjej të plotë kuptimin e vargjeve” –thotë ai, ndërsa nuk i referohet përkthimit, porse kumtin që ato vargje kanë brenda.
Gjuha angleze e ka ndihmuar së pari t’i përkthejë baladat, ndërsa përvoja e jetës dhe interesimi në çështjet spiritualë e meditimin e bën të ndjejë në tërësi domethënien e rrokut, që për të nuk është vetëm muzikë, por një transcendencë apo “breakthrough” dhe një ndjesi lirie pakufi.
Ai kurrë nuk preferoi të vishej me xhaketa lëkure, xhinse të grisura apo të gjera në fund apo streçe të ngushta e kambale të rënda, siç në fillim vitet ’90 bënë shumë të rinj edhe në Shqipëri, por nuk hoqi dorë nga rroku, siç bëri i vëllai, i cili tashmë jeton në Kanada, dhe në fillim kur shkoi nuk harronte t’i dërgonte të vëllait disqe apo revista e katalogë me muzikë rrok. “Kitarën do të kisha dashur ta mësoja. Vetëm ideja e atyre përjetimeve surreale, sikur del jashtë qenies tënde…”. Të duket pasion i çuditshëm për të ashtuquajturit “djemtë e këqij” të cilët predikonin për “seks, drogë e rock n’ roll”, e shumë prej tyre humbën jetën nga mbidoza e përdorimit të drogave, për dikë që është i dedikuar me punën e tij të shpëtojë pikërisht ata që vuajnë nga varësia e drogave dhe parandalimit nga HIV/AIDS. Genci Muçollari është drejtuesi i organizatës “Aksion Plus”, e angazhuar jo vetëm në ndihmë ndaj atyre që vuajnë, por edhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe të rinjve me fushatat e tyre të vazhdueshme.
“Tekstet që kam zgjedhur, nuk diskutohet që janë poezi, por i kam zgjedhur sepse kanë të bëjnë pak me jogën, meditimin, budizmin, pra me lirinë në vetë thelbin e saj. Kjo është e reja që e çmoj shumë”- rrëfen Genci, ndërsa flet për të gjitha të mirat që një njeri përfton nga të ushtruarit të jogës e meditimit, jo si një trend apo për motive vetëm të jashtme fizike, por për ekuilibër dhe shërim të brendshëm.
Ky është edhe mesazhi që ai ka dashur të sjellë me librin e tij “Një antologji e rock n’ roll në Shqipëri”.
“Fillimisht janë botuar në revistën letrare “Mehr Licht” me idenë për të sjellë diçka të re, pastaj menduam pse të mos i botonim në një libër.”
Një fragment nga ky libër i botuar më 2006 –ën nga shtëpia botuese “Ombra GVG” tashmë gjendet edhe në kurrikulën e shkollave të mesme. Në librin e Gjuhë-Letërsisë, 12, Botimet shkollore Albas, janë përfshirë katër faqe për Poezinë dhe muzikën Rock.
“Nuk e dija këtë fakt, por mbesa ime gjimnaziste më thotë, pasi kishte parë emrin tim në ato faqe që ishin përfshirë. Rita Petro që e përfshiu te letërsia e shkollave të mesme, e pa librin si një studim, libër kreativ që ilustrohej me tekste kënge” – thotë Genci, duke shtuar se me makinën e vogël muzikore nuk shkon larg, po nuk pati shpirtin. “Duke pasur parasysh që të rinjtë, përveç se të marrin mësimet standarde dhe njohuri akademike, kanë shumë nevojë për t’u edukuar për aftësitë për jetën, se si të përballojnë stresin e problemet e tyre, si të ulin dhe të shmangin rreziqet ndaj të cilave ekspozohen, si dhe kur duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur, si të shohin drejt të ardhmes me këmbët në të tashmen, si të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë konstruktive, si të jenë në paqe me veten dhe të tjerët, por dhe ne funksion të shëndetit të tyre holistik, qendra jonë gjithashtu ofron ekspertizë dhe mbështetje edhe për tematika si: Mendimi pozitiv dhe edukimi tërësor nëpërmjet Jogës dhe meditimit dhe Muzika Rock, poezia dhe fryma e lirisë që përcjell te të rinjtë”, – thotë Genci, duke besuar se këto tema kanë ndikim të madh te të rinjtë.
“Besoj se transformimi i vërtetë fillon nga brenda, nga mendja, shpirti dhe pastaj del dhe vepron jashtë nesh. Ashtu si poeti W. Blake, apo Walt Whitman shikonin një “botë apo univers në një kokrrizë rëre apo fije bari”, dhe ne besojmë se botët e brendshme dhe të pasura të të rinjve mund të ‘shpërthehen’ për të zbuluar territore të reja, të pakufishme, shpresë-dhënëse për të ardhmen”.
Për Gencin, muzika rrok ishte një epokë rilindjeje fizike, mendore dhe shpirtërore, për të cilën bota kishte nevojë që pas luftës së Dytë Botërore. “Brenda Rock-ut kishte shumëçka që nga poezia, filozofia, sublimja, hyjnorja, blasfemia, vulgariteti, protesta dhe vizioni. Në grupe si Rolling Stones, The Doors, Led Zeppelin, Black Sabbath, Police, AC/DC mund të përjetoje çdo lloj gjendje – ishte energjia e purifikuar e Rock-ut”.Amerika dhe Britania ishin dy tokat më të mundshme ku Rock-u lindi, sepse kishte një truall poetik-filozofik ku krijesa e re mund të rritej. Edhe Gjermania mundi të sjellë disa risi. Brezi Beat dhe Brezi i Luleve ishte kulmi i shpërthimit të Rock-ut që gjeti disa arsye më shumë për të përfaqësuar një brez që ishte lodhur nga politika dhe konformizmi. Motoja anti-konformiste arriti majat me Punk-un, por që edhe ky në fund të fundit u dorëzua para fuqisë së korporatave, që mund të blejnë gjithçka. Sot, e sheh muzikën rrok si të përciptë me lirika konsumiste apo të rëndomta, shpesh të errëta, mbizotërojnë dhuna, seksi, neveria dhe pesimizmi. “Modele si 2 Pac apo të tjerë që bëjnë orgji, dhe këndojnë për vrasje në lagje, nuk është se sjellin ndonjë frymëzim për liri të vërteta. Pak ndihet ndikimi i qëllimtë, mbase i korporatave apo njerëzve të fuqishëm të oligarkëve, për të tredhur personazhet e Rock-ut që dikur ishin të aftë për të bërë përmbysje të mëdha”, – mendon Genci Muçollari, duke i qëndruar besnik asaj rrymë që e zbuloi në vitet ’80-të, e që i hapën një portë drejt transcendencës, ndërsa përkthimin poetik e çuan në nivele të tjera. Duke cituar një nga vargjet e përkthyera prej Gencit, nga poeti britanik Basil Bunting “Penat janë pendë të lehta. Që të shkruani merrni dalta”… nga ato që gdhendin historinë, edhe me poezi si një brez i tërë rrokerësh që sollën revolucion, jo vetëm në muzikë, por edhe në lirika…
Paqja është një fjalë
Prej deti dhe ere.
Paqja është një zog që këndon,
Ndërsa ti buzëqesh.
Paqja është dashuria
E armikut si një mik;
Paqja është dashuria që ti i jep
Një fëmije.
Paqja është filiz
prej zemrës së njeriut;
Paqja është njeriu, fryma e të cilit
Është pragu i ditës.
Paqja është agimi
I një dite pafund;
Paqja është fundi, si vdekja,
e luftës.
King Crimson