Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Në kishën e Mjedës, në Kukël

$
0
0

mjeda1Për të gjetur shtëpinë dhe Kishën e Mjedës, në rrugën drejt Kuklit mungon orientimi, asnjë guidë drejt qendrës unike në Shqipëri

Nga Violeta Murati

Ditë gri, me mjegull, por jo e zymtë për Kishën e Mjedës në Kukël. Në fundjavën e shkuar, aty ku shtëpia e poetit është kthyer në muze dhe në kishën ku shërbeu në jetën e tij të dytë, prej pesë vitesh Dom Nik Ukgjini mban “meshë” letrare në faltoren e Zotit.

Është gjë e rrallë për jezuitët që t’ua lirojnë “vendin e shenjtë” poetëve e muzikës. Nga Kosova e Mali i Zi, në kishën e Kuklit mbahet fryma, për të përshpirtur vargje e vizione që herë duken të prekshme e të njohura, e herë të largëta dhe plot mistere.

Ja, rasti për Mjedën është krejt unik. Piktori i famshëm i Kosovës, Rexhep Ferri sapo mbërrin shtrëngon duart me miq e të panjohur, e menjëherë shpjegon arsyen e fortë patriotike pse ndodhet aty: Im atë ka udhëhequr kryengritjen e Koplikut, e ndaj dua të vij këtu përherë, edhe pse s’më lidh asgjë tjetër me Shkodrën.

Në krye të shkallëve, ku është vendosur shtatorja gjigante e Mjedës me veladonin-këmborë të priftit, Dom Nik Ukgjini pret miqtë e besimtarët nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, duke kuptuar ndjeshmërinë: dua t’i bëj bashkë, të gjithë! Janë studiues letrarë, poetë, nxënës shkolle, besimtarë, gazetarë që mblidhen e ftohen për vit në kishën e Mjedës.

“Vijnë këtu ata që e duan dhe e kanë në zemër Mjedën”, – thotë aktorja shkodrane, Merita Smaja, në fjalën e saj në jubileun e pestë të takimeve.

Vendosur  rrëzë një kodrine të butë, dy godinat të lidhura bashkë, kisha dhe shtëpia-muze e Mjedës ngjajnë të lartësuara, të madhërishme, me hije të rëndë pas supeve të poetit. Të gjithë ftohen së pari të hyjnë në shtëpinë e poetit, e kthyer në qendër muzeore.

Piktori Arben Golemi ka sjellë për këtë rast disa vizatime në një ekspozitë dedikimi në emër të galerisë së arteve. Drejtorin e saj, “heroi” që ka ngritur në këmbë shtëpinë e poetit dhe e ka shndërruar në një nga qendrat më të vizituara, Dom Nik Ukgjinin nuk e zë aq lehtë entuziazmi i misionit të përmbushur. Atë e shqetëson fakti se Shkodra, krahasuar me qytete të tjera, ka pasur mjaft figura, që për fat të keq, pak prej tyre kanë mundur të ruajnë relikte, apo të kthejnë shtëpitë në muze si nderim e kujtim apo udhërrëfyes për brezat.

Kështu, jo fort larg Shkodrës, në fshatin Kukël- që i përket komunës së Bushatit, ka jetuar për 30 vite më radhë ky rilindas i madh, poeti më shquar i lirikës shqiptare Ndre Mjeda. Kompleksi i tij, (Kisha, shtëpia) gjatë kohës së komunizmit për fat të mirë ka mbijetuar. Dhe gjatë viteve 2011- 2012, është risistemuar ambienti, është restauruar Kisha dhe shtëpia e ndërtuar nga vetë dora e poetit. “E gjithë puna e madhe ka përfunduar më 18 tetor 2014, kur dhe u bë hapja solemne e shtëpisë-muze. Në këtë vit (2015) është realizuar filmi dokumentar kushtuar Ndre Mjedës dhe Qendrës Muzeore me titull ‘Ndërtuesi i fjalës dhe i veprës’, si dhe një guide prej 70 faqesh në gjuhen shqipe dhe në anglisht”, – na saktëson Dom Nik Ukgjini, duke na thënë se këtu

ka një dyndje të vizitorëve nga trevat shqiptare, të cilët vijnë me dëshirën për t’u gjunjëzuar para poetit, përkthyesit, politikanit, intelektualit të spikatur, Ndre Mjeda.

Por për të shkuar deri në shtëpinë e Mjedës s’ka asnjë tabelë, asnjë sinjalistikë të ngjashme rrugore apo guidë prezantuese për turistët. Ky është edhe shqetësimi i priftit, por dhe i atyre që mbërrinin njëri pas tjetrit me aventurën e ngatërresës së gjatë të rrugës për në kishën e Mjedës.

Para se të hyjmë në gjendjen hyjnore e pështjellimeve lirike të Mjedës, Dom Nik Ukgjini, që kërkon ta kthejë vëmendjen te një situatë më tej se kisha, thotë se më shqetësuese për momentin është dhe gjendja e përcjellësve elektrikë në fshatin Kukël, ku shtyllat janë të dëmtuara dhe ndodhen nëpër pemë dhe buzë rruge, telat e kryqëzuar nëpër rrugë dhe të copëtuara. Dom Nik Ukgjini tregon se për këtë arsye u pezullua dhe udhëtimi i vajzave të “Miss Globe” që do të njiheshin me qendrën kulturore. “Rreth këtij problemi, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, më shkresën, prot. 5236, dt. 17.11. 2014, iu drejtua Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, dhe kjo e fundit e pati vënë në lëvizje OSHEE-në në Shkodër, por situata deri tani sikur ka mbetur ‘status quo”, – shpjegon prifti. Me vetëdijen se tanimë qendra po merr përmasa ndërkombëtare, Dom Nik Ukgjini pasi flet për sakrificat, thotë se kanë kërkuar lëmoshë deri në Amerikën e largët, duke kërkuar mirëkuptimin e institucioneve për zgjidhjen e problemit, me të cilat po përplaset kjo qendër unike në Shqipëri.

Kështu janë habitur dhe të ftuarit, poetët të cilët nuk kishin prekur ndonjëherë fjalën në foltoren e kishës. Studiuesi Behar Gjoka do ndante mu aty “andrrën” e parealizuar, se si një dorëshkrim studimor mbi veprën e Mjedës i ka humbur, po mundi të ndante me miqtë se “Andrra e Jetës” është një kryevepër e padiskutueshme, një kryevepër klasike në letërsinë tonë. Përvoja e mjeshtrit, filozofit dhe atit shpirtëror- një triniti për Gjokën si vlerë shqiptare.

Çaste muzike e kompozuar nga At Martin Gjoka, “Përmbi lumë Babiloni” e të tjera, luhen në foltore. Edhe Shendi i vogël mban gjithë kohën një vëllim me poezi për fëmijë dhe me një zë kumbues, me plot dashuri do recitonte vargje të Mjedës.

Ndërsa ndalet në asketizmin e Mjedës, si model i lirikës shqiptare, e aristokrat i gegnishtes, shkrimtari Agron Tufa tregon se është një rast unik në letrat shqipe përkthimi i vëllimit të dytë nga Fausti i Getës. Bëhet fjalë për “Mbreti i Tules”, përkthyer së pari nga Mjeda, dhe pas tij njihen 17 përkthyes. Por asnjë prej tyre, tha Tufa, nuk kanë arritur të krijojnë një ritëm, figuracion e sidomos kadencë aq të rrjedhshëm të shqipes. Por kjo histori vazhdoi më gjatë mes poetëve e studiuesve Sadik Bejkos, Behar Gjokës, Demir Gjergjit e Pandeli Koçit, duke kujtuar përmendësh gjithë vargjet e “Mbretit të Tulës”, si një histori unike që kurrë deri tani nuk ishte përmendur. Besnikëria deri në vdekje e Mbretit të Tules, i fundit, e fundit jetë, e fundit dashuri, e fundit mbretëri…

I larguar nga Shqipëria më 1880, Mjeda studioi në qendrat më elitare evropiane: Milano, Paris, Spanjë, Poloni, Dalmaci dhe pas shumë kohe kur u brumos me kulturë evropiane, u kthye në vendlindje në një kohë kur ajo ndodhej nën pushtimin osman.

“Shqipërinë e la nën vujtje dhe gjeti nën vujtje. Kjo e nxiti që t’i kushtohej për të edukuar me edukatë krishtere, portë merrej dhe me fusha të tjera ku kishte zbrazëti sa i përket letërsisë e poezisë, përkthimeve dhe shumë fusha të tjera”. Por veprimtarinë e tij më të madhe, ëndrrën e tij e realizoi në Kukël, në shtëpinë e tij, në katin e dytë, në dhomën e djathtë, në atë tryezë që gjejmë sot, dhe në kishën e tij në krah, ku është lutur që Zoti të mishërohet në këtë popull…Kjo e ka nxit të punojmë pa ndërprerje, ndaj jeta e tij ka qenë e begatshme”, – na thotë Dom Nik Ukgjini…

mjeda2

mjeda3

mjeda4

mjeda5

mjeda6

mjeda7

mjeda8

mjeda9

mjeda10


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708