Dy vjet më parë, kur aksioni kundër koleksionistit Gjergji Thimio, u trumbetua si veprimi i parë i rëndësishëm i kësaj qeverie, pati shumë dyshime.
Vetë Gjergji Thimio, i arrestuar me akuzën e vjedhjes dhe kontrabandës së veprave të artit, tha se kjo po bëhet me qëllim që t’i grabisin pasurinë e siguruar në mënyrë të rregullt.
Opozita shkoi më tej, kur tha se qeveria dhe veçanërisht deputeti Koço Kokëdhima, kanë për qëllim të rrëmbejnë ikonat e Gjergji Thimios.
Pak ditë pasi ikonat e tij u transportuan në mënyrë skandaloze nga galeria, Shqiptarja.com raporton se janë zhdukur 671 ikona nga fondi i sekuestruar prej Gjergji Thimios.
Sipas gazetës, Ministria e Kulturës ka njoftuar se janë ruajtur vetëm 476 ikona, ndërkoha që në tetor të vitit 2013, policia raportonte sekuestrimin e 1147 veprave.
Gazeta ngre pikëpyetje për fatin e 671 ikonave të tjera.