Pas debutimit si regjisor, Artur Gorishti ka vendosur t’i zbulohet publikut në një tjetër dimension; atë të piktorit. Ai solli 72 punime të realizuara në 25 vjet, në një ekspozitë vetjake që u çel mbrëmjen e 29 nëntorit…
Kishte tetë vjet që i mungonte publikut shqiptar e ndërsa filmi “Bota” do e rikthente si aktor, Artur Gorishti përgatiste një botë të tijën për ta shpërfaqur.
Pas debutimit si regjisor në filmin me metrazh të shkurtër “Breath” me të cilin konkurroi në edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival, mbrëmjen e 29 nëntorit iu shfaq publikut edhe si piktor me ekspozitën e tij vetjake, në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Janë 72 punime të përzgjedhura nga 900 krijime të Gorishtit realizuar në një periudhë 25- vjeçare.
Peizazhe, portrete, brendi, kompozime, të realizuara në një teknikë mikse shpalosin ndjesitë e artistit, që kësaj here ka vendosur të flasë vetëm përmes gjuhës së imazhit dhe ngjyrave.
Megjithëse një krijimtari të pasur për dikë që pikturën nuk e ka as profesion dhe as formim, Gorishti deri më tani ka preferuar t’i mbajë vetëm për vete pikturat.
Ishin miqtë e ngushtë, ata pak që kishin kundruar punimet në shtëpinë e tij si edhe profesionistë të arteve pamore që e nxitën Gorishtin t’i nxirrte nga fshehja për t’i ekspozuar për një publik më të gjerë. Megjithëse i njohur si aktor, poet dhe regjisor, drejtori i GKA, Artan Shabani e quajti një poet me plot gojën Gorishtin.
“Në krijimtarinë e tij si piktor ne takojmë qindra vepra, në teknika të ndryshme si piktura, akuarele guashe, tempera, grafika, vizatime. Krahas ekspozitës këtu në GKA do të shfaqet edhe filmi me metrazh të shkurtër “Breath”, i cili siç e dini është vlerësuar me çmime. Së bashku me ekspozitën, ky projeksion fton publikun të njohë në dimensionet e vërteta artistin Artur Gorishti”, është shprehur drejtori i GKA-së.
Ylli Drishti, kuratori i kësaj ekspozite është i mendimit se këto punime prezantojnë një artistë mirëfilli të artit pamor.
“Edhe pse nuk ka një formim akademik në pikturë, aftësia për të hedhur në letër, apo telajo atë çfarë përjeton një moment të caktuar të jetës së tij, është kaq e fortë, kaq e dukshme dhe shumë ekspresive sa nuk mund të anashkalohet. Në këtë ekspozitë është edhe një cikël punimesh të cilat autori i ka realizuar mbi intervista të ndryshme që ka dhënë ndër vite. Mbi këto intervista ai ka pikturuar me penel në krahun e majtë një imazh të tij i cili përcjell një gjendje të caktuar”- është shprehur Drishti.
Një tjetër pikë e rëndësishme e karrierës së tij artistike, e ka quajtur Gorishti këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 9 dhjetor të këtij viti.
“Ky është një moment i cili vendos një kthesë të caktuar në atë që unë e quaj karrierë të artistit. Këto punë janë çaste të brishtësisë, dobësisë, apo errësirës që njeriu ka në momente të caktuara në jetën e tij dhe të cilat unë jam përpjekur t’i transmetoj, apo përkthej në diçka tjetër, më të gëzueshme”, është shprehur Gorishti mbrëmjen e çeljes së kësaj ekspozite, duke e quajtur mbrëmjen e 29 nëntorit, që përkuan edhe festimet e Natës së Bardhë, si momenti i duhur për ta kapërcyer mosdëshirën e tij për t’i ekspozuar këto punime.
“Ka vërtet shumë punë, jo vetëm piktura, por foto, montazhe, ju takon specialistëve, kuratorëve, që nëse gjejnë diçka interesante, apo ndonjë ekspozitë tjetër brenda tyre, ta realizojnë. Ka plot cikle në to”- ka thënë Gorishti, i lumtur që talenti i tij në pikturë është vlerësuar nga profesionistë.
Ata që nuk kishin pasur mundësi të shihnin filmin me metrazh të shkurtër “Breath”, kanë pasur mundësi ta ndjekin në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, së bashku me pikturat e tij. Në këtë film, Gorishti shfaqet si regjisor, aktor, por edhe skenarist pasi subjekti i
mbështetet mbi një prej tregimeve të librit “Dyert” të shkruar nga Artur Gorishti, botuar në vitin 2013 nga “Zenit”.
“Gjithçka vjen në funksion të kinemasë, por pasioni im është si për pikturën ashtu edhe për filmin. Ka një çelës… nëse e gjen për të hapur këto dyer që janë të lidhura me njëra-tjetrën nuk është ndonjë frikë e madhe për të bërë gjëra. Përpjekja është e njëjtë, qoftë për të shkruar skenarin, qoftë për të pikturuar, për të bërë regjinë e filmit apo për të aktruar. Është mirë kur i bashkon dhe ke sukses”, – është i mendimit Gorishti.
Pasionet e tij shtrihen edhe më përtej. Prej pak kohësh ai ka hapur një galeri antikuarësh në kryeqytet, pagëzuar si “New Gallery” – një rilindje e së parës që Gorishti e kish hapur në zonën e ish-Bllokut, të cilën e mbylli nëntë vjet të shkuar kur u largua drejt Montrealit.
Me rikthimin ka vendosur të çelë një galeri të re, por edhe të shpalosë përmasat që publiku nuk ia kish njohur. Në verën e këtij viti Gorishti realizoi edhe filmin e dytë me metrazh të shkurtër dhe po përgatitet për të tretin, të cilët do të qëndrojnë bashkë si një trilogji dhe sapo ka mbaruar së shkruari skenarin e një filmi të gjatë.
S.B