Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Tre Tenorët 2015, zërat që vijnë nga Turqia

$
0
0

tre tenoret2Edmond Tullumani, producent i koncertit “Tre Tenorët”, shpjegon risitë e shfaqjes që do të zhvillohet më 9 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Rruga e gjatë e udhëtimit 15-vjeçar, pse u zgjodhën tenorët nga Turqia dhe surprizat për shikuesit

Si është menduar koncerti “Tre Tenorët” i këtij viti?

Koncerti i këtij viti ka të veçantën e tij, sepse ka mbledhur dashurinë dhe shpirtin e derdhur në 15 vite nga zemrat e shumë artistëve pjesëmarrës, si tenorë, orkestrantë, dirigjentë, regjisorë dhe të ftuar të ndryshëm,të cilët së bashku me artistët tenorë nga Turqia do të sjellin një natë magjike të veçantë në Pallatin e Kongreseve, më 9 dhjetor.

Pse bëtë një zgjedhje të tillë për të sjellë në Tiranë tre tenorë nga Turqia?

Turqia është një vend mik ballkanik, që e lidhin shumë gjëra me Shqipërinë. Mos harroni se Turqia është një vend që ka 5 opera dhe shumë artistë të mëdhenj, krahas muzikës së saj tradicionale që afrohet shumë me ne. Gjithashtu, disa artistë shqiptarë kanë kontribuar atje, siç është rasti i baritonit të madh shqiptar, Ramiz Kovaçi, i cili punoi në Turqi si pedagog për 5 vjet dhe ndërroi jetë në Izmir. Pra ky koncert është edhe në kujtim të tij.

Cilët do të jenë të ftuarit e koncertit?

Të ftuarit janë Bujar Llapaj, dirigjent që vjen enkas nga Kanadaja, Genc Tukiçi, pianisti mik i koncertit tonë, i cili vjen nga Parisi, Armaldo Kllogjeri, tenori ynë i nivelit europian, Besnik Doshlani, flautist me vlera të mëdha në vend dhe jashtë, i cili vjen nga Bolzano(Itali), si dhe qershia mbi tortë, e vetmja lule femër në këtë koncert, soprano e mirënjohur tashmë Ramona Tullumani.

Çfarë surprizash do të ketë koncerti i këtij viti?

Ashti si çdo vit nuk do të mungojnë edhe surprizat për shikuesit tanë në sallën e Pallatit të Kongreseve. Një pjesë e mirë e tyre janë ndjekës të përvitshëm të koncertit, ndaj është dëshira ime si organizator që ta kënaq publikun. Artistët shqiptarë do të festojnë së bashku me artistët tenorë nga Turqia me shumë surpriza të bukura, me një program fantastik,që do t’ju befasojë dhe materiale të tjera surprizë që do t’ia lëmë koncertit. Është e sigurt se koncertit nuk do t’i mungojnë perlat e muzikës së bukur klasike, që çdo vit dëgjohen me kërshëri nga publiku, të interpretuara në koncertin “Tre Tenorët”.

Po organizoni edicionin e 15-të të koncertit “Tre Tenorët”. Kur e nisët këtë udhëtim, a mendonit se do të ishit duke u marrë me përgatitjet edhe në dhjetor 2015?

Kur e fillova këtë ide dhe projekt, shpirti im dhe i stafit punonte për koncertin që kishim atë vit dhe befas, kështu pa e kuptuar, u gjendëm sot pas 15 koncertesh,që kanë bukurinë dhe të veçantën secili. Siç ju thashë, kemi dhënë dashuri në vitet që kalojnë dhe ndoshta ky është burimi i suksesit tonë.

Cilët kanë qenë artistët kryesorë që kanë performuar në këta 15 vjet në skenën e “Tre Tenorëve”?

Artistët kanë qenë të gjithë emra të njohur, si në skenat shqiptare dhe ato të huaja, duke përfshirë, tenorët, skenografët, dirigjentët, regjisorët, skenaristët, orkestruesit, kompozitorët, punonjësit e teknikës e shumë të tjerë. Nuk do të doja të veçoja asnjë, sepse janë pjesë e bukur e tortës dhe e kontributit të këtij eventi të rrallë që është kampion ndoshta në botë për nga jetëgjatësia, pasi këtë vit festojmë 15-vjetorin. Pra të gjithë janë kryesorë e të rëndësishëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për performanca live, ku duhet kontributi maksimal i të gjithëve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708