Fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare në festivale të filmit dhe i propozuar për Akademinë e Çmimeve Oscar për filmat e huaj, filmi “Bota” i regjisores Iris Elezi është një ndër filmat shqiptarë më të suksesshëm të viteve të fundit. Pas premierës në Tiranë vitin e kaluar, filmi do të shfaqet në kinemanë e Prizrenit më 14 janar. Jo aq bujshëm sa suksesi kinematografik ka kaluar pretendimi i Maks Velos se filmi është bazuar në novelën e tij të 2004-ës, titulluar “Klubi Karavasta”….
‘Bota’ nuk është më e madhe se një kafene. Ajo është vetë kafeneja, po aq se edhe vetë bota e disa personazheve që duken të harruar nga pjesa tjetër e planetit, në filmin e regjisores Iris Elezi, një prodhim mes Shqipërisë, Kosovës e Italisë i cili në një vit ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm për veten por edhe për kinematografinë shqiptare, kur kjo e fundit e propozoi si më përfaqësuesen ose më të denjën për kategorinë e filmave të huaj në çmimet e Akademisë “Oscar”. Qysh prej daljes së këtij lajmi, vetë regjisorja Elezi ka luftuar fort për të gjetur mbështetjen që i nevojitet filmit për të pasur shanse mes 81 filmave konkurrente në të njëjtën kategori, të cilët përdorin të gjitha mjetet promovuese për t’u përzgjedhur në ceremoninë e shkurtit të këtij viti. Filmi e pat premierën botërore në Pragë, ku edhe u vlerësua me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Karlovy Vary”, më pas erdhi në Tiranë, ku publiku kryeqytetas pati premierën shqiptare e ndërsa më 14 janar do të udhëtojë drejt Prizrenit, për t’u shfaqur në kinemanë e qytetit “DokuKino” për shikuesin nga Kosova. Në kafenenë ‘Bota’ nuk ndodh asgjë e njëherazi gjithçka ndodh. Përmes tre personazheve, të mbetur në një fshat të zhveshur, të harruar kur dikur njerëzit internoheshin duke u izoluar me vetmi. Edhe pse pas viteve ’90 për personazhet e “Botës” izolimi në këtë fshat ku koha ka ngecur, vazhdon të jetë gjendje e ngulmët. Izolimi duket të jetë gjendje mendore, ose shpirtërore. Ish-të përndjekurit politikë janë harruar nga politika e re, nga jeta dhe nga vetë koha, në këtë fshat pa emër buzë kënete. Tre fate lokale që mbështjellin fatin universal. Histori të së shkruarës që rikthehen dhe një autostradë që nis të ndërtohet. Subjekti që paraqesin Iris Elezi dhe Thomas Logoreci është eksplorimi i Shqipërisë sot përmes karakterit dhe shpirtrave të trazuar të tri personazheve, që ashtu si autostrada që po ndërtohet pranë fshatit të tyre, përpiqen të ndërtojnë jetët e tyre. Iris Elezi, regjisorja e diplomuar në ShBA për teori dhe kritikë filmi, pas realizimit të disa filmave dokumentarë debutoi në filmin me metrazh të gjatë, pikërisht me “Bota”. Gjatë premierës në Tiranë, Elezi qe shprehur se për të shkruar skenarin e këtij filmi i janë dashur më shumë se tre vite kohë dhe kërkime. Në pasqyrën e Hollywood Reporter, propozimi shqiptar për “Oscar”, ndoshta filmi me buxhetin më të vogël për realizim, konsiderohet si një rrëfenjë tragjikomike e shpirtrave të vetmuar të përndjekur nga fantazmat e historisë. “Bota” e Iris Elezit dhe Thomas Logorecit fillimisht ndihet letargjike dhe shpërfillëse, por sjell një kafshatë të madhe emocionale në aktin e fundit duke adresuar amnezinë kolektive rreth së kaluarës së dhunshme komuniste të vendit. E parë si Tokë e Askujt, e veshur me një aurë prej materiali ëndrrash ngjan disi me ndonjë film klasik të Felinit apo një dramë të Samuel Becket. “Sfondi mund të jetë i Shqipërisë bashkëkohëse por koha dhe vendndodhja janë të një bote tjetër”. Flonja Kodheli, Fioralba Kryemadhi, Artur Gorishti, Luca Lionello, Tinka Kurti dhe Alban Uka janë disa prej aktorëve që interpretojnë në këtë film, duke i bërë personazhet tredimensionale e duke pasuruar edhe skenarin që sipas festivalit Karlovy Vary, është një pasqyrë e qartë fotografike e Shqipërisë së sotme, ndërthurur me muzikë nostalgjike të një trashëgimie të kaluar. Cila botë mund ta çajë bllokadën e izolimit? Për regjisoren Iris Elezi, “Bota” në shqip duket si mundësi për t’ia dalë.
Klubi Karavasta ose Bota e Maks Velos
…Peizazhi u ngurtësua edhe më shumë nga skeletet e betonit. Bunkerët e tjetërsuan peizazhin. Dhe atë pak përgjumje dhe ëndërrim që kishte ia hoqën përfundimisht. Vërtet ishte si një poezi e shkruar mbi një letër të zezë me bojë të bardhë, por kishte një shpirt. Bunkerët ia varrosën edhe atë pak poezi të zezë. Të ngritur larg e larg, të drejtuar me ballinë nga deti e rrethonin Mesasin si një ylber i shtrirë barkas duke i zbuluar qytezës shpinën….Mesasi është një fshat buzë kënete, i mbirë si në mes të asgjësë, me njerëz në një jetesë të përditshme thuajse robotike, të pakuptimtë, të paqëllimtë i përshkruar në novelën e Maks Velos “Klubi Karavasta” përmes në proze lakonike, por goditëse me një peizazh absurd, pasuruar edhe nga përshkrimet e godinave me strukturë aq të zhveshur sa do të bënin të mjerë edhe shpirtin më të pasur apo të bunkerëve masivë në një fushë të zbrazët që ngjajnë me një skenë apokaliptike. Banorët e zonës nuk janë më të ndryshëm se peizazhi. Të izoluar në këtë tokë të mallkuar, në një kënetë që duket se ua ka thithur në llucën e vet ekzistencën, janë mbetjet e fundit por më kokëfortat e regjimit komunist. Të vendosur atje në internim, ata kanë humbur lidhjet me të kaluarën e largët. Ky ferr dantesk nuk i lejon të largohen edhe pse janë vitet ’90. Rrëfenja me të pushkatuar, spiunime, vetëvrasje, dashuri, filozofi të një ekzistence fantazmagorike dhe një klub që bëhet agora e këtyre krijesave të vogla që mundohen të adaptohen në këtë kohë të re e regjim të ri, që sërish i ka lënë në harresë. Askush nuk pretendon të dalë nga harresa, nuk ka as ideale të mëdha, përveç vetëdijes së kthjellët të plakut Andrea, që Velo ka rrëfyer se është alteregoja e tij. Të gjithë janë të rëndësishëm e njëheri askush nuk ka rëndësi në atë panoramë të një përjetësie të pakohë, me ngjyra të zbehta të një toke të shkretë moçalore. Të gjithë që i shesin gjithçka të gjithëve. Të gjithë që duan t’i përshtaten ekonomisë së tregut, pastaj ekonomisë së fajdeve. Vjeturina që shiten e blihen dhe e vetmja që nuk lëviz është një karakatinë me çati kashte, tavolina e karrige plastike, e klubit “Karavasta”, një mikrobus që i nxjerr jashtë në botën e madhe e që i kthen sërish në izolim banorët e saj dhe një qen… Dhe shitësi i brisqeve, një tellall modern i komunitetit që ka nisur të shesë armë dhe municione, për të treguar se ka mbërritur ’97 dhe ccmednuria njerëzore ka mbetur po e njëjta me atë të komunizmit. Shpirtrat e vegjël të zhytur në llucën e Mesasit…Velo e pat shkruar më 2004-ën, i nxitur nga miku i tij Virgjil Muçi. Kopjet e botuara u shitën të gjitha. Një prej tyre, Velo thotë se ia pat dhuruar regjisores Iris Elezi, e cila bashkë me Thomas Logorecin, ishin miqtë e tij. “Është një homazh për të gjithë ata të harruar që kanë qenë të burgosur dhe i kam vendosur në Karavasta, në një kafene të caktuar dhe madje më erdhi shumë keq që në një film kohëve të fundit, është xhiruar aty, në po atë kafe, në po atë vend. Duke marrë këtë temë dhe nuk thotë fare..” – kështu do të shprehej Velo në një intervistë televizive, bashkë me pretendimin se skenari por edhe vendndodhja e xhirimeve është vjedhur. Në fshatin Adriatik, pati udhëtuar para disa vitesh me botuesin Bujar Hudhri, peizazhi dhe kafeneja me rrogoza e fshatit, hapësira e thatë dhe këneta e goditën aq sa të sillte në jetë librin e tij. “Ishte e vështirë të përcaktoje se çfarë ishte. Nuk mund ta quaje as fshat, as qytezë. E quanin fermë, po as fermë tamam nuk ishte, më shumë ishte një pjesë ferme, domethënë vetëm pallatet e fermës; vetëm pallatet, kurse drejtoria, shkolla, infermieria ishin më vete diku nga fusha. Ishte një bllok banesash, gjithsej dymbëdhjetë pallate trekatëshe të ngritura në mes të fushës. Kishte dhe dy dyqane të ndërtuara më vonë, njëri ushqimor dhe tjetri me artikuj industrialë” –shkruan Velo në librin e tij. Pas daljes së filmit “Bota” tha se u ndje i fyer e se nuk mori as edhe një përgjigje nga regjisorja Elezi, e cila sipas Velos ka qenë kontradiktore në përgjigjet e saj rreth skenarit. Ai kujton se regjisorja i pat treguar për një skenar ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në një fshat ku ndërtohej një autostradë e cila ndryshonte gjithë jetën atje. Por jo atë të filmit “Bota”, që Velo thotë se ajo ia ka vjedhur. Nga ana e saj regjisorja nuk është përgjigjur rreth çështjes. Megjithëse nuk ka munguar një falënderim i saj për Maks Velon, në fund të premierës shqiptare të filmit. Velo thotë se priti një ndjesë nga regjisorja që nuk erdhi kurrë e as nga instancat të cilave ai iu drejtua duke kërkuar drejtësi. Do të mjaftohej edhe me disa titra në fund të filmit, ku i jepeshin kreditet novelës së tij, bazë për filmin, por as kjo nuk u bë. Për Velon nuk ka ndodhur ngase regjisorja duket ngulmuese për të realizuar një film autor, e nëse do t’ia atribuonte skenarin Velos nuk do të quhej më i tillë. Filmi e bëri Velon ta risillte për lexuesin librin,në ribotim nga shtëpia botuese “Toena”. Libri, sipas Velos është i pari i kushtuar këtij komuniteti të ish- të internuarve. Me gjithë debatin, filmi “Bota” vijon suksesin ndërkombëtar, ndërsa novela e Maks Velos, e shkruar më 2004-ën, pa ribotimin dhe u kthye në duart e lexuesit e së shpejti autori thotë se po përgatitet për ta zgjeruar këtë subjekt në formën e romanit. Gjykimi i mbetet atyre që pasi kanë parë filmin, kanë lexuar edhe librin, ose anasjelltas.
Suadela Balliu
Fitoret e “Bota”
Emri i festivalit: | Çmimi i fituar: |
Karlovy Vary Intl. Film Festival | Çmimi i Kritikës – FEDEORA |
Reyjkavik Intl. Film festival | Çmimi i Kritikës – FIPRESCI |
Reyjkavik Intl. Film festival | Çmimi i Publikut |
CINEDAYS, Macedonia | Çmimi Special i Jurisë |
SEEFest, Los Angeles | Çmimi i Publikut |
SEEFest, Los Angeles | Çmimi Special i Jurisë |
DEA Film Festival, Saranda | Regjia Më E Mirë |
Balkan Film Festival, Pogradec | Filmi Më i Mirë i Gjatë |
Intlernational Fest of Varna, Bulgaria | Filmi Më i Mirë i Gjatë |
San Francisco Intl. Film Festival | Nominuar për Çmimin Golden Gate |
Foreign Film Category – Oscar | Përfaqësuese e Shqipërisë |